Veli Karahoda: Tangoja e Fundit në Paris

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Veli Karahoda: Tangoja e Fundit në Paris

Mesazh nga Agim Gashi prej Sun Mar 15, 2009 10:59 pm

Tangoja e Fundit në Paris

Veli Karahoda


Nga mahnitja rinore me atitudën prej bohemi të Baudelaire-it, me vargjet e squllura me absint të Verlaine-it dhe me aventurierizmin e Arthur Rembaud-së, po ecja rrugëve të gurta të Parisit me një dëshirë të sinqertë dhe të papërmbajtur për të rikthyer diçka nga e shkuara e Qytetit të Dritave. Diçka. Një grimë atmosferë. Një fustan balerine të vagëlluar nga vinjetat e dridhura të pastelit të Degasë, një pëshpëritje intrigante zonjash parisiene në llogari të provincialistes Madame Bovary. Asgjë nga këto. Kalova një mbrëmje të këndshme i kredhur në ndenjësen e një teatri në Saint Denis, ku pas shfaqjes Medea të Euripidit takova aktorin shqiptar Rexhep Mitrovica. S’qe për t’u ankuar, megjithëse Euripidi më ktheu në Ballkan dhe aroma e Parisit s’pati asgjë të veçantë. Ndoshta nostalgjia për një botë të perënduar ishte diçka libreske dhe e paarsyeshme. Sepse Parisin e pashë dhe e njoha në libër. Nëpërmjet Georges Duroyit të Maupassantit, Frederikut të Flaubertit, Julien Sorelit të Standhalit, të cilin e çuan në kullën-burg në Besançon për ta ekzekutuar me një dramacitet si të prerë nga koha elizabetiane. Grimca përshkënditëse fjalësh mbi fletët e verdha të librave. Hije të së shkuarës. Personazhe. Njerëz që s’kanë ekzistuar kurrë. Me siguri ishte dija ime e kufizuar letrare-historike që ishte kthyer në kriter, nëse doni në kriter turistik.
Është mjaft e turpshme të rrëfehesh për gjëra kaq sentimentale, por njerëz jemi. Më 1991 e doja një Paris tjetër, një Paris nga përfytyrimet poetike, nga përshkrimet ekzagjeruese, nga klishetë kulturore të ngulura si gozhda në imagjinatën njerëzore. Në vend të pllakateve subtile të Toulouse-Lautrecut, në Gare du Nord po ecja ndanë reklamave të ndritshme të filmave amerikanë. As balerina, as vallëzuese kabaresh, as prostituta epshore të Lautrecut. Anthony Hopkinsi në rolin e Hannibalit, kanibalit. Al Pacino në rolin e Kumbarës. Në Paris kishte diçka amerikane asokohe, megjithëse vetëm në filmat me sinkronizim francez dhe me një Al Pacino tjetër që fliste frëngjisht. Franca ”amerikane” ka bërë një jetë filmike, me Brandon në romancën gjysmë-pornografike të Bertoluccit ”Tangoja e Fundit në Paris”, me Gene Heckmanin në kafenetë e tymosura të porteve të Marseilles-it, e kështu me radhë. Jashtë pëlhurës filmike kishte një bar amerikan në njërën nga rrugicat anësore në Champs-Elysees ku buçiste një blues rënkues si në paralagjet e New Orleansit, me vokalin e plasaritur të John Lee Hookerit. U ndjeva si në shtëpi, sepse kjo ishte koha ime dhe Faulkneri m’u duk më i afërt se Flauberti. Kaq për Parisin amerikan. Përjashta, në rrugët e Parisit ndjeva vetëm një konfuzion francez, diçka e padefinuar mirë, diskrete, në mos latente, e fshehur si një rrenë, një si humbje kulturore që afektonte francezët. ”Kryqëzatat” kulturore anglosaksone. Kush mund të shpëtojë nga ato? Kjo mund të qe një ”pyetje ekzistenciale” që mbase francezët e përtypnin si një zhangël mishi gjatë darkës në bistronë më të afërt.
Edhe sot është kështu, megjithëse ka kohë që s’kam ecur, ashtu si i dehur nga nostalgjia e librave, mbi kalldrëmet e Balzacut. Kështu është puna me literaturën. Dehja e shkaktuar nga fjalët nuk shkulet të nesërmen, siç ndodh mbas një nate festash. Këso budallallëqesh letrare ngelin më gjatë në kujtesë dhe është mirë të mos ngucen. Të mos provokohen kot. Libri në libër. Jeta në rrugën e asfaltuar, mbi trotuar, aty ku turisti kureshtar rri i mbështetur pas një shtylle duke pritur autobusin që do ta çojë në ndonjë muze ku lavdia dhe heroizmi janë të paprekshme, edhe pse mbledhin pluhur.
Ende në një delir të përhershëm refuzimi dhe rebelimi, plus me një sovranitet të konzervuar sipas recetave të De Gaulleit – kjo si një mburojë kundër amerikanizimit ose si një shprehje e pastër e antiamerikanizmit – francezët s’mund të thuhet se gëzojnë komfortin e dikurshëm të monopolit kulturor ose politik. Parisi është në fakt shumë më plak, shumë më i vjetër nga ç’duket. Përfund kalldrëmeve romantike të Parisit ka deponi skeletesh dhe një kanalizim gjarpërues i denjë për t’u hulumtuar nga aventurierët e zhurnalistikës shkencore angleze që sajojnë emisione të pafundme mbi qytetet e nëndheshme. Ja një qetësi e çastshme për shpirtin francez: një dokumentar anglez mbi plakjen franceze. Vetëm kaq. Sepse lanternat e Parisit shkëlqejnë tashmë në rrugët e Nju-Jorkut. Atje është qendra kulturore e botës. Jo në Paris. Më pëlqen kjo gjë, ndryshimi, lëvizja. S’bëj rehat në ujërat e ndenjura të Parmenidit. Mirëpo kjo gjë është shqetësuese për parisienin, madje edhe për varrtarin kujdestar të qimiterit në Pere Lachaise, derisa vizitorët kërkojnë kryesisht varret e amerikanëve, fjala vjen varrin e Jim Morrisonit. “Fucking yankees”, mund të hakërrohet në heshtje kopshtari i varrezave duke mbledhur bishtat e cigareve të marihuanës poshtë epitafeve. Fjala “yankee” rrjedh nga gjuha e indianëve Sioux dhe do të thotë hajdut. Megjithëse nuk është e qartë se ç’lidhje ka globalizmi me kleptomaninë.

Por s’është vetëm nëntoka parisiene që është plakur aq shumë sa të kthehet në një temë thjesht historike, madje në duart e gazetarisë aventuriere angleze – zoti na ruajt – edhe në temë dëfryese të mbasdarkës. Më e keqja nuk vjen ndërkaq nga Indiana Johnsët anglezë, por nga plakja politike. Politika franceze është shumë herë historike, jo sepse e bën historinë, si dikur, por sepse e ka të vështirë të shkëputet nga historia, nga lavdia, nga heroizmat e së shkuarës. Kurse Parmenidi, që mohonte ndryshimet, s’ka qenë as francez.
Të mos përmendim aleancat e vjetra. Në fakt, bash këto duhen përmendur. Aleancat e vjetra. Konstruksionet diplomatike të ndryshkura. Rebelimi francez. Antiamerikanizmi i hapur ose diskret. Dobësia historike e diplomacisë franceze ndaj Rusisë. Arroganca e De Gaulleit ndaj Rooseveltit. Bomba atomike franceze në emër të ruajtjes së sovranitetit. Ose viti 1966, kur De Gaulle e shkuli Francën nga strukturat ushtarake të NATO-s me arsyetimin se atlantizmi nuk i bënte mirë Francës, ngaqë ia cenonte pavarësinë, sovranitetin dhe e vinte nën komandën amerikane. De Gaulle i manireve tradicionale franceze për t’u rebeluar për hir të rebelimit, shefi i një shteti që akoma i mbante kolonitë si një medaljon lavdie dhe heroizmi në qafë, kundërshtonte luftën amerikane në Vietnam. Imperializmin. Tipike franceze dhe paradoksale. Për më tepër, De Gaulle, ashtu si pjesa më e madhe e inteligjencies majtiste franceze, donte një zbutje, një përmirësim marrëdhëniesh me Bashkimin Sovjetik. Sërish një restaurim aleancash të vjetra. Qëkur De Gaulle i ktheu shpinën Lyndon Johnsonit dhe transferoi selinë e NATO-s nga Parisi në Bruksel, francezët vazhduan me rebelime politike, me lazdrime foshnjarake, me refuzime të cilat nuk kanë dëshirë t’i quajnë antiamerikanizëm, por ndoshta një mangësi evropiane ose një paaftësi organizative e evropianëve që s’bëjnë dot një hap pa ndërhyrjen amerikane. Jo ngaqë nuk duan. Nuk munden. Edhe kjo pamundësi është një gjë historike, muzeale. I ka rrënjët thellë, si damarë bungu, në historinë evropiane, atje ku francezët i gjejmë shumë herë të rreshtuar në anën e gabuar, fjala vjen, me sllavët.
Merret vesh që socialistët francezë do të pëlqenin më shumë një aleancë ushtarake evropiane me një zinxhir komandues evropian dhe me një Francë të fuqishme në mesin e më të brishtëve. Kështu janë mësuar. Më mirë bullgari poshtë këmbës, sesa amerikani te kryet. Gjithçka tjetër është atlantizim, amerikanizim, kërcënim mëvetësie, sarkozizëm. Sepse bash Sarkozy është një amerikan me pasaportë franceze, siç pat thënë socialisti Eric Besson. Ndryshe nga kundërshtarët e De Gaulleit, të cilët, për paradoks, duan të konservojnë status quonë degaulliane, Sarkozy po provon të pamundurën për të shkëputur vazhdimësinë e traditës antiamerikane të imponuar nga De Gaulle e të pasuar nga Pompidou, d’Estaindi, Mitterrandi dhe Chiracu. Sarkozy e pranon plakjen si diçka njerëzore dhe të pashmangshme. Jo i shtyrë nga ndonjë dell darvinizmi, por thjesht nga arsyeja e shëndoshë. Nëse asgjë tjetër, plakja ka një sharm, kurse rebelizmi politik i kotë, i mbështetur në retorikë dhe jo në resurse, është qesharak. Resurset franceze janë përsëri tema historike për turistët dhe fantastët e literaturës: Moulin Rouge, kabaretë, kolonitë, gijotina, bonapartizmi, monopoli kulturor i skaduar, e kështu me radhë. Por ka edhe gjëra që s’mund të kundërshtohen. Gastronomia dhe temperamenti pasionant nuk i mungojnë francezit. Dhe kjo nuk është pak.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi