Mehmet Bislimi:Demonstratat që tundën për shkatërrim themelet e ish-Jugosllavisë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Mehmet Bislimi:Demonstratat që tundën për shkatërrim themelet e ish-Jugosllavisë

Mesazh nga Agim Gashi prej Sun Mar 15, 2009 11:01 pm

Demonstratat që tundën për shkatërrim themelet e ish-Jugosllavisë

Mehmet Bislimi
Pranvera e vitit 1981

Pranvera po vjen ngadalë. Si duket nuk mund të kalojë kaq lehtë pa u hetuar “koincidenca” e vlimeve të furishme në Kosovë, që zakonisht kanë ndodhur e po ndodhin gjatë muajit mars. Që nga viti 1981 e deri te rënia e Komandantit Legjendar, marsi ishte prehri ku mbështeti kokën e tij plot me halle populli ynë liridashës. Edhe më pas, kur Egzonin me shokë i përpiu Ibri i ftohtë, e deri tek ditët e sotme, ngrohtësia e tokës gjatë muajit mars sikur na forcoi, tamam si Anteun dikur. Marsi, ky muaj i legjendave që zuri vend në historinë tonë më të re.
Përmbysja erdhi nga studentët
11 mars i vitit 1981. Nomenklatura e sistemit pushtues titist, e korruptuar e e rënë nga morali, e degjeneruar e e dalë boje nga ideja e mirëqenies socialiste dhe vetëqeverisëse, nën petkun e vëllazërim- bashkimit, kishte bërë shumë padrejtësi në Kosovë, mbi kurrizin e popullit shqiptar, duke e eksploatuar tokën tonë deri nën thellësitë e detit. Megjithatë, Kosova kishte mbetur njëri ndër vendet më të pazhvilluara në tërë hapësirat e ish-pushtuesit jugosllav. Popullata jonë nënçmohej dhe diskriminohej në të gjitha poret e jetës. S’do mend se kupa e mbushur e pushtuesit jugosllav prej kohësh nuk po mbante më dhe pa dyshim se ajo duhej të përmbysej një ditë, dhe kjo ndodhi, u përmbys pikërisht aty ku duhej të përmbysej, pra mu në mensën e studentëve të Universitetit të Kosovës!
Këtë ditë e priste populli ynë prej dekadash, e priste me padurim, e priste me guxim e dashuri të madhe, pritej kjo pranverë që erdhi më herët se ajo kalendarike. Erdhi e furishme, me lulëkuqet e atij behari të rinisë sonë të madhërishme studentore.
Bijtë më të mirë të popullit tonë kishin punuar një kohë të gjatë për një ditë si kjo. Hapur e fshehur ata sollën 11 marsin duke u përballur me vuajtje e persekutime, me varfëri e diskriminim, me shtypje e burgje, me vrasje e likuidime, me shpërngulje e dëbime...
Aparati shtypës serbosllav nuk mund të korrte rezultat tjetër në Kosovë, veç asaj që kishte mbjellë - revoltës së fuqishme popullore e cila me këtë rast tregoi se nuk do të lejojë më nëpërkëmbjen e dinjitetit dhe lirisë së saj me as një çmim!

Këtu fillonte edhe fundi i një maratone të gjatë të robërisë së Kosovës, që pushtuesi jugosllav me hekur e zjarr, nën petkun e dinakërisë së vetëqeverisjes, e shkeli dhe e shfrytëzoi Kosovën për decenie me radhë. Demonstratat e pranverës së vitit 1981 eksploduan si një fuçi baroti në duart e pushtuesit jugosllav. Këto demonstrata tundën për shkatërrim themelet e ish-Jugosllavisë Socialiste të asaj kohe. 11 marsi i atij viti është fillimi i një fundi të pushtimit të Kosovës nga pushteti titist. Jugosllavia e pas këtyre ngjarjeve, as edhe një herë më nuk e mori veten, edhe pse ajo nuk la gur pa lëvizur. Duke vënë në lëvizje tërë organizmin e sektorit të UDB-së (në mesin e tyre edhe të shumë puthadorësh shqiptarë), arrestoi mijëra të rinj, veçanërisht studentë e intelektualë, por edhe punëtorë të shumtë. U ngritën gjykata të tëra në këmbë, të yshtura nga politika zyrtare e Beogradit dhe dënuan popullin e Kosovës me dënimet më drakonike! Po thuaj shumica e këtyre gjyqtarëve, fatkeqësisht puthadorë shqiptarë, suspenduan e diferencuan shqiptarët nga puna, nga shkolla, nga fabrikat, nga shoqëria, madje shkuan aq larg sa kërkonin edhe lëçitjen e të gjithë atyre që në një formë a tjetër përkrahnin këto demonstrata.
Me gjithë presionet e mëdha, populli ynë këtë gjendje e përballoi me dinjitet duke i dhënë mesazh të qartë e të prerë pushtuesit jugosllav: Ne nuk e durojmë më jetën e robit! Kjo ishte koha kur sakrificat më sublime që do të pasonin për Kosovën filluan të gatuheshin në zemrat dhe mendjet e atdhetarëve më të mirë shqiptarë.
Kjo rrugë e gjatë, deri këtu ku jemi sot, nuk ishte e shtruar me lule, por ishte e rimuar me gjak. Ky gjak dhe kjo aspiratë kërkon finalizimin e vet. Nuk ka çmim tjetër që shpaguan sakrificat e shqiptarëve për lirinë e vet, përveç bërjes së shtetit të lirë dhe sovran të Kosovës, me të gjithë ata që dëshirojnë të ndjehen të lirë e të jetojnë këtu në tokën e Kosovës.
Vasalët

Elita politike në Kosovën e përgjakur të asaj pranvere ishte zënë në befasi, e zgjuar, e trembur nga gjumi i rëndë që po bënte në shtratin e butë me pupla të ish-pushtetit jugosllav. Ajo nuk ishte e gatshme që të rreshtohej drejt. Në fakt, as që priste kush një rreshtim të tillë, ngase ishte e palogjikshme që nga ajo shtresë vasalësh të presësh diçka atdhetare. Pushtuesi e kishte përgatitur këtë shtresë me vite, e kishte avancuar e parfumosur me erën marramendëse të pushtetit dhe të fryteve të tij, që nga punësimi, makinat, banesat, shkollimi e deri te të bërët e ligjit. Një hafije për dy shkronjat “ K. R”, që do të thoshte “ Kosova Republikë!” , të denonconte dhe fare lehtë mund të dënoheshe me 2 e 3 vjet burg! Madje disa gjakprishur shqiptarë të asaj elite, shkuan aq larg, saqë për ta bindur pushtuesin për përkushtimin dhe besnikërinë e tyre ndaj tij, hoqën dorë edhe nga përkatësia e tyre kombëtare, duke u deklaruar me përkatësi kombëtare jugosllave, siç ishin: Sinan Hasani, Ali Shukriu, Kolë Shiroka, Azem Vllasi etj.
Këtë klasë politike e shfrytëzoi maksimalisht pushteti titist, derisa një ditë e hodhi përtokë si një limon të shtrydhur. Ata vazhdimisht i ranë po të njëjtës melodi, që nga akuzat kundër popullit të vet, si: irredentist, ballist, nacionalist, vrimë e miut, diferencime, lëçitje... e shkuan aq larg saqë prekën edhe në simbolin tonë kombëtar! Pra, qëndrimi i kësaj elite me kohë kishte kaluar edhe në urrejtje të papërmbajtshme dhe tejet hakmarrëse kundër bijve të popullit të vet! Kjo bazë e urrejtjes, e mbështetur nga yshtjet e politikës së Beogradit zyrtar, elitën shqiptare të asaj kohe e kishte bindur që të lehte pandërprerë kundër interesave të popullit të vet. Qentë po lehnin, por karvani po ecte, vërtet ngadalë, por sigurt!
Në veten e parë:

Më 26 mars u ngjita shtyllës ndriçuese të rrugës (diku pranë Radio Prishtinës) dhe hoqa flamurin e Jugosllavisë, duke e përbaltur e përplasur përtokë. Sinan Hasani në librin e tij kishte shkruar: “Një student me një shpejtësi majmuni u ngjit shtyllës së metaltë përpjetë, dhe përdhosi flamurin e Jugosllavisë!”
Në fakt, ai kishte të drejtë ngase mua më duhej një shpejtësi e tillë, për të hequr shumë flamuj të Jugosllavisë titiste, të cilët i kishin vënë majmunët e shumtë si Sinan Hasani me shokë, mu në zemër të Kosovës! Ç’është e vërteta, unë e përbalta flamurin e pushtuesit jugosllav, atë flamur të cilin më vonë e vrau me pushkën e lirisë Ushtria Çlirimtare e Kosovës - bijtë më të mirë të popullit tonë.
Demonstratat e vitit 1981 populli ynë i përkrahu fuqishëm e pa u hamendur. Në mesin e studentëve vërshuan si lumë: nxënës, studentë, punëtorë, qytetarë, vajza, gra, të rinj e të moshuar - që të gjithë! Vlen të ceket, dhe nuk bën të anashkalohet: Të gjitha dyert e qytetarëve atdhedashës të Prishtinës qëndruan hapur për demonstruesit. Ata na pritën me bukë e kripë e zemër, na strehuan, na i lidhën plagët, na e ngrohën shpirtin, na dhanë kurajë dhe mbështetje, prandaj edhe sot i puthi me respekt duart e të gjitha atyre nënave që na dhanë bukën e ngrohtë e na i lidhën plagët e njoma. Ta paçim borxh Prishtinë!
Punëtorë të shumtë të furrave e të shitoreve shpërndanin bukë, pije e ushqime të tjera për demonstruesit. Sot më lejoni t’ju them: Ju lumtë o bij të Atdheut, dëshmuat dashurinë për atdheun dhe për bijtë tuaj!
Punëtorë të shumtë nga organizata të shumta punuese, si: “Ramiz Sadiku” etj. me helmeta në kokë u futën në gjirin e demonstruesve. Ata sollën me vete, së bashku me përkrahjen morale për ne, edhe mjete të tjera barrikade, si: kamionë, ekskavatorë, rrafshues, buldozerë etj. Demonstruesit u bënë të pakalueshëm. Këta punëtorë u solidarizuan me bijtë e vet, duke dashur që të vdesin pranë tyre! Mos e harroni këtë kategori që sot është si mos më keq!
Me fat plagët o trima
Punëtorët e shëndetësisë po shpërndanin fasha, medikamente, vaksina e çdo gjë që ishte në mundësinë e tyre për shpëtimin dhe aftësimin e demonstruesve. E madhja Sahadete Mekuli i kishte pritur demonstruesit e plagosur në spital me fjalët më të bukura dhe më të guximshme, si: ME FAT PLAGËT, O TRIMAT E KOSOVËS! Mos e harro këtë akt atdhetarie, Shëndetësi e Kosovës, mos shkel mbi betimin e Hipokrates sonë Sahadete!
Një grua që kishte në dorë një litër qumësht, të cilën e kishte blerë diku në treg për bebet e saj, na e zgjati duke na thënë: “Merreni se fëmijët i ushqej edhe me gjirin tim!”
Mos e harroni gjirin e nënave që na e dhanë për këto ditë, jo për të shkelur mbi gjakun e derdhur rrëke për liri, se pastaj detyrohen e na thonë: “Haram ju qofshin gjinjtë e nënave!”...
Në demonstratën e prillit u vra edhe i riu Xhelal Maliqi, punëtor i Televizionit të Prishtinës. Edhe një lule e këputur në mesin e shumë Dëshmorëve të Kombit. Me disa shokë shkuam atje që të përkuleshim për të fundit herë para varrimit të tij. Si sot... në një oborr të vogël... nën një pemë të madhe që kishte qenë aty, një djalë i ri si një lis shtrirë në një arkivol të vjetër, shtrirë e me sy të hapur!... Ata sy, edhe sot të hapur qëndrojnë?! Qindra Dëshmorë të Kosovës nuk po i mbyllin sytë dot. Mos harroni, ata sy duan që Kosovën ta shohin të lirë, dhe vetëm të lirë!

Nga shtëpia e Dalibashiqëve (atje afër mensës së studentëve), diku rreth orës 11.00 paradite, ishte shtënë me armë zjarri. Dalibashiqët kishin plagosur një demonstrues për vdekje. Në orën 4 pasdite, kur policia u ngjit lart në atë lagje, prapë njëri nga Dalibashiqët doli me pushkë M 48 në dorë dhe diku 10-15 metra mbi shtëpinë e tij qëlloi një demonstrues, i cili në atë moment ishte duke manovruar me një kamion për të bërë barrikadë në rrugë, nga një largësi 200 metrash më lart, mbrapa trafos së rrymës, këtë ngjarje e kemi parë me sytë tanë tre veta: unë - Mehmet Bislimi nga Prekazi, Ismet (M) Kabashi nga Polaci dhe Ilaz Kolovica nga Prishtina!
Nuk kam njohuri nëse këta dy demonstrues të qëlluar me pushkë nga qytetari Dalibashiq, kanë vdekur apo kanë shpëtuar me plagë të rënda në trup? Dalibashiqët për këtë akt u dënuan atëbotë vetëm me nga 30 ditë burg kundërvajtës. As kjo nuk duhet harruar!
Në Kosovë gjatë demonstratave të marsit dhe prillit të vitit 1981, milicia dhe ushtria jugosllave vrau 11 demonstrues dhe plagosi mbi 300 sish. Burgosi mbi 2500 të rinj, përjashtoi nga shkollat, fabrikat, dhe institucionet e tjera, diferencoi e lëçiti me mijëra shqiptarë. Vizitoni varret e të rënëve, në mënyrë që t’i kujtojmë flijimet e tyre për një Kosovë të lirë!
Milicia e Jugosllavisë, në mesin e tyre edhe shumë milicë shqiptarë, më 26 mars, diku pas orës 16.00, u vërsul rreth konvikteve të studentëve, përdori një dhunë të paparë as në Aparteidin e Afrikës. Nuk më hiqet nga sytë flamuri në duart e një vajzë të re, të cilës më shumë se katër milicë nuk po mundnin t’ia hiqnin flamurin nga duart - Shqiponjës trime të Kosovës! Mos harroni, askund në botë nuk ndodh që simbolet nacionale të përdhosen e përshtatën për hir të minoritarëve që në Kosovë përbëjnë rreth 5 %!
Krisma lajmëtare e lirisë
Shteti shqiptar ishte i vetmi në rajon dhe në Evropë që demonstratat e vitit 1981 i përkrahi pa rezervë, duke i vlerësuar kërkesat tona si të drejta. Shqipëria, njëkohësisht ishte i vetmi shtet që dënoi dhunën dhe represaliet që ish-aparati shtypës jugosllave i zbatoi kundër demonstruesve shqiptarë të Kosovës, as këtë nuk duhet ta harrojmë!
Në maj të po atij viti Tahir e Nebih Meha, si dikur Oso Kuka, u dogjën në kullën e tyre! Ata me këtë rast i treguan pushtuesit jugosllav se shqiptarët një ditë do të detyrohen të mbrohen edhe me armë. Tahiri atë vit vrau me pushkën e lirisë forcat e dhunshme të pushtuesit, vrau namin e tyre edhe për më keq hodhi për tokë “mitin” mbi njësitet speciale të ish-UDB-së. Mos harroni krismën e pushkës së lirisë të Tahir Mehës. Ishte lajmëtarja e parë e pushkëve të lirisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
E tërë një histori luftërash e vuajtjesh për liri, sigurisht që nuk i ka rrënjët cekët. Ato rrënjë janë të thella dhe datojnë që kur erdhi pushtuesi në tokat tona, prandaj rrënjët e lirisë nuk duken mbi tokë që t’i shkulë pushtuesi kur të dojë. Jo, ato bulojnë çdo pranverë, bulojnë nga shtytja, të cilës i jep fuqi gjaku i derdhur për liri. Historia jonë nuk është histori romantike me të vërshuara e me të shkëputura, është histori që i ka futur tmerrin pushtuesit serb. Kjo histori ka kaluar për tehun e shpatës së Gjergj Kastriotit, përmes kështjellës së barotit të Luanit të Janinës, përmes Kullës së Oso Kukë Vraninës, përmes litarit të Idriz Seferit e gjoksit të Mic Sokolit e shtatit të Jakup Ferrit, përmes diplomacisë së Abdylit, Hasanit e Qemalit, përmes kobures së Boletinit, përmes tehut të sëpatës së Ahmet Prekazit e mitralozit të Adem Jasharit.
Kjo është një histori e tërë që nuk e zhbëri as Sulltani, as Krajli i Serbisë e as jugosllavët. Brezi i demonstrueseve të vitit 1981 përfundimisht shembi themelet e ish-Jugosllavisë pushtuese. Pushkët e lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetura fuqishëm nga populli ynë, bënë gërmadhë kalanë e quajtur Serbi. Mos të harrojmë edhe këtë: çmimin e lirisë deri sot populli shqiptar e ka paguar shumëfish!
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi