Albin Kurti:Kallëzimi për një Kallëzim Penal

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Albin Kurti:Kallëzimi për një Kallëzim Penal

Mesazh nga Agim Gashi prej Sun Mar 22, 2009 2:03 am

Kallëzimi për një Kallëzim Penal

Albin KURTI
Adem Salihaj kundër Bujar Bukoshit dhe Xhavit Haliti kundër gazetës Bota Sot janë dy shembuj që po më kujtohen në këtë moment, e të cilët tregojnë se kur vjen puna te interesat personale, deputetët dinë të jenë aktivë në ngritjen e padive, por jo edhe kur duhet vepruar ligjërisht kundër strukturave paralele të Serbisë

Nuk i tolerojmë, nuk i njohim, nuk i pranojmë, nuk janë legale, nuk janë legjitime, nuk janë të vlefshme… Mbase ka edhe cilësorë të tjerë me të cilët qeveritarët dhe zyrtarët e institucioneve të Kosovës shprehen kundër strukturave paralele të Serbisë. Gjithsesi fuqishëm dhe... deklarativisht. 13 muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kundërshtimi i tyre është veçse verbal. Sikurse çdo ditë para shpalljes së saj për tetë vjet e gjysmë me radhë. Kujt i drejtoheshin ata? Kush ishte dëgjuesi a lexuesi i këtyre deklaratave të tyre? Serbët? Beogradi? Strukturat paralele? Jo. Ata na drejtoheshin neve – shqiptarëve të Kosovës. Flisnin kundër këtyre strukturave të Serbisë që i toleronin, për t’u bërë ata vetë më të tolerueshëm prej shumicës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës.
Mirëpo, nuk është problemi vetëm te natyra verbale e kundërshtimit. Duke iu referuar strukturave paralele në mënyrë të përgjithësuar, politikanët e Kosovës e kanë krijuar përshtypjen se këto struktura janë disi abstrakte. Pas një hulumtimi disajavor i kemi gjetur emrat e 93 personave që kryesojnë strukturat politike të Serbisë në Kosovë nga gjithsej 116 sosh sa janë. Kontribuam sadopak për një tjetër perceptim shoqëror: strukturat paralele të Serbisë janë dhjetëra njerëz me emra të përveçëm, njëmend të organizuar në strukturë, ama njerëz të veçantë që tash ua dimë publikisht emrat. Ata janë përgjegjës për një mori krimesh dhe shkeljesh të ligjit të cilat i përmblodhëm te faktet dhe arsyetimi në një Kallëzim Penal, i cili tashmë ndodhet në duart e deputetëve dhe ministrave të Kosovës. Preferuam që, më parë se qytetarët e thjeshtë, Kallëzimin Penal ta bëjnë vetë zyrtarët institucionalë dhe, kësisoj, denoncimi e padia të kenë karakter shtetëror para se civil e publik. Sigurisht që këtë gjë ka mundur ta bëjë vetë Prokuroria Publike, por le të supozojmë që prokuroritë nuk janë patriotike dhe as profesionale, andaj kallëzimet penale do të duhej të fillonin prej atyre që e kanë gojën përplot ‘pavarësi’ e ‘republikë’, apo jo? Duke ditur se të menduarit dhe shkrimi nuk janë ana e fortë e këtyre zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, ne ua përpiluam Kallëzimin Penal deputetëve e ministrave, dhe tash atyre u mbetet vetëm edhe ta nënshkruajnë – një gjë kjo të cilën, siç e dimë, e bëjnë me shumë qejf. Aktivisti që e kishte shkruar përmbajtjen e këtij Kallëzimi Penal na bëri të qeshim të gjithëve: tha se në fund të tekstit kishte pasur një krizë identiteti, meqë nuk po ndjehej si shqiptar dhe qytetar i Kosovës, por si konsulent ndërkombëtar.
Nuk ka ministër, deputet a zyrtar të institucioneve të Republikës së Kosovës që nuk ka hasur në pengesa në ushtrimin e detyrës dhe funksionit të tij për shkak të strukturave paralele të Serbisë që kontrollojnë çerekun e territorit të Kosovës. Atëherë, si bëhet që nuk ka asnjë veprim ligjor të inicuar prej njerëzve të insitucioneve të Kosovës kundër tyre? Si bëhet që nuk ka asnjë padi kundër tyre në asnjërën prej pesë Prokurorive Publike të Qarkut në Kosovë?! A thua janë të thyer kolektivisht këta njerëz institucionesh para këtyre strukturave të Serbisë? Megjithatë jo. Është më keq se kaq. Po të ishin të thyer kolektivisht, atëherë, së paku do të kishim ndonjë rast individual si përjashtim të rregullës dhe që e vërteton rregullën. Do të kishim ndonjë padi diku të ndonjë përfaqësuesi të qytetarëve a nëpunësi të administratës. Por, jo. S’kemi. S’kemi asnjë Kallëzim Penal për asnjërin nga dhjetëra njerëzit kryesorë të strukturave paralele të Serbisë nga asnjëri prej qindra njerëzve të stafit drejtues politik të punësuar në institucionet e Kosovës! Prandaj, nuk janë të thyer (vetëm) kolektivisht. Janë të thyer individualisht. Nuk janë të thyer (vetëm) të gjithë. Janë të thyer secili veç e veç.
Pa dyshim që mund ta elaborojmë se si brenda këtyre institucioneve tona nuk ka vigjilencë dhe as kult të punës andaj edhe këto padi mungojnë për shkak se njerëzit e zyrave tona thjesht përtojnë – ata janë rehat aty ku janë: të vetëkënaqur dhe të mjaftuar me fatin e mirë që e kanë një rrogë (sado që) të vogël (sepse edhe) me privilegje anash. Ndonëse kjo do të mund të thuhej për shumicën e tyre, kurrsesi s’mund të thuhet për secilin. Adem Salihaj kundër Bujar Bukoshit dhe Xhavit Haliti kundër gazetës Bota Sot janë dy shembuj që po më kujtohen në këtë moment, e të cilët tregojnë se kur vjen puna te interesat personale, deputetët dinë të jenë aktivë në ngritjen e padive, por jo edhe kur duhet vepruar ligjërisht kundër strukturave paralele të Serbisë.
Ndalesa e ministrit të Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanoviq, te pika kufitare në Dardanë ditë më parë, vetëm sa e përforcon faktin se në shtetin e Kosovës nuk ka padi kundër tij dhe, njëkohësisht, kjo ndalesë paraqet orvatje të Qeverisë së Kosovës për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit nga strukturat e Serbisë që veprojnë lirshëm përbrenda Kosovës te vizitat që i vijnë asaj nga jashtë. Në anën tjetër, ndalesa e zëvendësit të Bogdanoviqit, Bojan Angjelkoviq, te lumi Ibër, dhe sërish mosarrestimi i tij, vetëm sa e përforcojnë Ibrin si kufi faktik përbrenda Kosovës. Sigurisht se na kujtohet rasti i arrestimit të tre agjentëve gjermanë të BND-së dhe zelli që pat treguar Hashim Thaçi për t’i mbajtur ata ca ditë në burg duke u thirrur në ligj dhe në procedurat e rregullta gjyqësore. Mirëpo, kur vjen puna te strukturat e Serbisë që janë përplot agjentë të cilët na sillen vërdallë – mbase jo vetëm në veri e nëpër enklava – atëherë Hashim Thaçi nuk pipëtin. Gjithsesi nuk bëhet fjalë për mungesë të mundësive (siç po përpiqen të na shfajësohen) por për mungesë vullneti (për çka duhet t’i fajësojmë).
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi