Largimi i rreth gjysmë milioni shqiptarë nga Kosova

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Largimi i rreth gjysmë milioni shqiptarë nga Kosova

Mesazh nga Agim Gashi prej Sun Apr 10, 2011 11:29 pm


Largimi i rreth gjysmë milioni shqiptarë nga Kosova



Prof. Dr. Jusuf Bajraktari
Rrethanat shoqërore e politike në Kosovë dhe në Jugosllavi në prag të demonstratave të vitit 1981


Në vazhdën e betejës për “Serbinë e madhe”, duke qenë të vetëdijshëm se kuadri udhëheqës në Armatën e Jugosllavisë, përbëhej mbi 70 për qind nga serbët, dhe se ai kuadër e mbështeste politikën serbe për të dominuar mbi popujt tjerë të atij shteti filloi hegjemonia serbe mbi popujt e tjerë.

Periudha e okupimit të Kosovës nga Jugosllavia e AVNOJ-t dhe pasueset e saj, ndërmjet viteve 1945 –1999-të, për nga intensiteti, metodat dhe mjetet e represionit përshkohet me rënie e ngritje të ushtrimit të dhunës, në vartësi nga rrethanat e brendshme e të jashtme dhe nga ndikimi i tyre në proceset e zhvillimit të sistemit jugosllav. Bie në sy se midis viteve 1945–1981, paraqiten veçanti, por edhe puqje e përsëritje veprimesh antishqiptare me aplikimin e metodave më drastike të terrorit shtetëror mbi vetë qenien shqiptare, për çka shpeshherë merr tiparet e një etnocidi të planifikuar.

Periudha mes viteve 1948–1966, e njohur si “koha e Rankoviqit” cilësohet si njëra ndër më reprersive

Faza e parë, ajo mes viteve 1945–1966, e zhvillimeve në Kosovë karakterizohet me terror të hapur ushtarako–policor dhe shtypje brutale, të përcjellë me likuidime në masë të popullsisë shqiptare, në bazë të ligjeve të ashtuquajtura ushtarake e të socializmit administrativ. Pjesa e parë e asaj faze fillon me aplikimin e administrimit ushtarak në vitin 1945 dhe zgjat deri në vitin 1948. Në këtë vit fillon një fushate tjetër e egër e “gjuajtjes së shtrigave”, me shfaqjen e Inforbyrosë dhe keqësimin e mëtejmë të gjendjes së popullsisë shqiptare nën Jugosllavi. Ndërkaq periudha mes viteve 1948–1966, cilësohet si njëra ndër periudhat më reprersive, që iu nënshtruan shqiptarët e Kosovës dhe e viseve të tjera nën pushtimin jugosllav.

Dhuna dhe keqtrajtimi i shqiptarëve gjatë kësaj periudhe paraqitet si vazhdimësi e diktaturës që e aplikoi Jugosllavia Komuniste kundër shqiptarëve. Sinonim i dhunës dhe represionit antishqiptar ishte serbi Aleksandër Rankoviç, nënkryetar i qeverisë jugosllave, ministër i punëve të brendshme të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë (RFPJ-së). Këto aksione kishin mbështetje në platformën politike serbe për ta bërë pastrimin etnik të Kosovës. Gjatë asaj periudhe regjimit serbo–jugosllav i shkoi përdorësh t`i përzë për në Turqi afro një gjysmë milioni shqiptarë nga Kosova. Gjatë asaj kohe policia sekrete e quajtur OZN-a, më vonë UDB-ja, kishte hapur 150 mijë dosje kundër shqiptarëve të Kosovës, prej të cilave 50 mijë kishin të bënin me çështje politike. Kulmin e asaj dhune shtetërore e paraqet “Procesi i Prizrenit” dhe “Aksioni për mbledhjen e armëve”, siç ishin emërtuar nga shërbimet sekrete, si quajtura OZN-a dhe UDB-a, dhe dëbimi masiv i shqiptarëve të Kosovës për në Turqi. Numri i shqiptarëve të vrarë me tortura fizike gjatë asaj periudhe ka ngelë enigmë, ndonëse flitet për disa qindra të likuiduar me mjete dhune. Ajo fazë përfundon me rastin e qerimit të hesapeve brenda kreut komunist jugosllav, në verën e vitit 1966, në korrik në Plenumin e Brioneve, me largimin e Rankoviçit nga skena politike jugosllave.

Rrënimi i Jugosllavisë së AVNOJ-it mori grushtin shkatërrimtar në Prishtinë me pranverën e vitit 1981

Faza e dytë, ajo mes viteve 1966 –1981, solli ndryshime pozitive, që u manifestuan me avansimin e statusit të Kosovës nga Qarku autonom në Element konstituiv të Federatës Jugosllave, sipas Kushtetutës Federative të vitit 1974. Me atë akt, krijohen parakushtet për shkollimin e vrullshëm të shqiptarëve në gjuhën amtare, si dhe për përdorimin e gjuhës shqipe në administratën lokale dhe atë të nivelit krahinor.

Dhuna dhe terrori gjenocidial mbi popullin shqiptar të Kosovës karakteristikë për periudhat mëparshme, zëvendësohet me dhunë të selekcionuar e perfide, të orientuar kryesisht ndaj inteligjencës shqiptare në formim. Kjo fazë në literaturën politike evropiane cilësohet si periudhë e vetëdijësimit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës. Simbol i kësaj faze është afirmimi i qenies kombëtare nëpërmjet institucioneve vendore të arsimit e të kulturës dhe posaçërisht themelimit të Univeristetit të Prishtinës avancimit të kuadrave shqiptare deri në krijimin e ASHA të Kosovës.

Përderisa Jugosllavia e re u ringrit mbi postulatet e një dogme të fetishizuar, të lansuar e të motivuar nga Titoja siç ishte “Vëllazërim-Bashkimi”, parullë kjo që sot është shpesh herë objekt talljesh kudo në vendet e ish-Jugosllavisë, megjithatë për një popullsi të tërë, që kishte kaluar një katarsis të vërtetë, parulla ushqente shpresa të reja, do të shkruante një ndër njohësit më të mirë të realitetit jugosllav Mirko Tepavac.

“Libri i kaltër” dhe Memorandumi i ASHA të Serbisë i paraprinë veprimit për “Serbinë e madhe”

Shteti jugosllav në fillim të viteve të tetëdhjeta ishte përfshirë nga një krizë e thellë, e cila, pos vështirësive të natyrës ekonomike, manifestohej edhe me një rënie morale të të gjitha strukturave të një sistemi të shthurur, që shkonte gjithnjë e më shpejt drejt dezintegrimit përfundimtar. Pakënaqësia e popujve të atij shteti manifestohej kudo, qoftë me ndërprerje të punës në formë grevash, me mosmarrëveshje të natyrës ndërnacionale, në të cilat, e, mbi të gjitha, hetohej lufta e klaneve dhe grupacioneve kombëtare për pushtet dhe për ndikim më të madh në organet e Federatës. Ashpërsimi kishte arritur kulmin sidomos mes klaneve udhëheqëse serbe, kroate e sllovene. Klani serb, si më agresivi që ishte dhe më i madhi për nga numri në organet e Federatës, por edhe në organet udhëheqëse të republikave të tjera dhe të dy krahinave, ishte në ofensivë. Ai e kishte shtuar aktivitetin për arritjen e qëllimeve serbo-mëdha dhe, periudhën pas Titos, e shihte si shans të madh për arritjen e objektivave serbe për krijimin e “Serbisë së Madhe”.

Si paralajmërim i parë serioz i krizës shtetërore në Jugosllavi shërbyen manifestimet mbi baza nacionale, në mars-prill te viti 1981, në Kosovë- pjesën me të prapambetur në planin ekonomik. Këtë fakt do ta paralajmërojnë gati të gjitha agjencitë evropiane, bile disa nga gazetat me prestigjioze merreshin me parashikimin e rrjedhave, të cilat më vonë do të bëhen realitet. Kuadrot serbe brenda udhëheqjes së lartë jugosllave, e kishin shtuar presionin. Ato, madje, qysh para aprovimit të Kushtetutës së vitit 1974, ia kishin bërë të qartë udhëheqjes jugosllave se nuk ishin të kënaqura me avancimin e pozitës kushtetuese të të dy krahinave autonome, e në veçanti të Kosovës. Dy vite pas aprovimit të Kushtetutës, e kishin vënë në qarkullim pamfletin e ashtuquajtur „Libër i kaltër“,me të cilin minoheshin ndryshimet kushtetuese. Ai pamflet do të shërbejë kohë më vonë, si bazë për Memorandumin e Akademisë së Shkencave Serbe, e cila, e përkrahur nga makineria e medieve dhe nga politika zyrtare, u vu në funksion të realizimit të politikës ditore me synim të krijimit të “Serbisë së Madhe”. Në vazhdën e betejës për t`i arritur qëllimet për “Serbinë kudo që gjendej një varr serb”, ata vepronin sipas parimit: ”Sa më keq (për të tjerët) aq më mirë (për serbët)”, duke qenë të vetëdijshëm se kuadri udhëheqës në Armatën e Jugosllavisë, përbëhej mbi 70 për qind nga serbët, dhe se ai kuadër e mbështeste politikën serbe për të dominuar mbi popujt tjerë të atij shteti. Kriza dhe konfuzioni i krijuar nga veprimet e udhëheqjes serbe në tërë shtetin, në mënyrë të veçante reflektohej në Kosovë, nga se ajo ishte synim i kahmotshëm i politikës shoviniste serbe. Aty gërshetoheshin në mënyrën më të ashpër të gjitha problemet kundërthënëse.

Demonstratat e 1981-shit krijuan një unitet të plotë kombëtar

Veprimet e para të pazakonshme për ambientin dhe traditën shqiptare, u shfaqën me rrënimin dhe dëmtimin e ca varrezave serbe në komunën e Vushtrrisë, (fshatin Gojbulë). Ato veprime vandaliste, shtypi dhe propaganda serbe, në mënyrë propagandistike, ua vuri për barrë shqiptarëve, duke i cilësuar si vepra të „nacionalistëve shqiptarë“, ndonëse as më parë e as gjatë atyre ditëve nuk ishin dhënë argumente që shqiptarët të kishin rrënuar varre. Dhe, pa dyshim, rrënimet e tilla patën krijuar huti në opinionin kosovar.

Propaganda serbe ktheu të gjithë në federatën jugosllave kundër shqiptarëve

Populli nuk e kishte të qartë faktin se veprimet e tilla ishin pjesë e strategjisë së udhëheqjes serbe për të destabilizuar rrethanat në Kosovë, se ato veprime orientoheshin nga udhëheqja e lartë serbe, se ato rrënime inskenoheshin nga shërbimet sekrete serbe për të krijuar situata tendosëse, të cilat mund të shërbenin si shkas për inicimin e rrënimit të pozitës kushtetuese të Kosovës, si element konstituiv i Federatës. Propaganda serbe, në mbështetje të veprimeve të tilla, kishte arritur të krijojë opinionin brenda shtetit jugosllav se shqiptarët bënin presion mbi popullatën serbo–malazeze për t`i shpërngulur nga Kosova. Por, ajo ishte vetëm një anë e medaljes, nga se gjendja ishte para vlimit edhe në aspektet tjera.

Në rrethana të tilla, në mbrëmjen e 11 marsit të vitit 1981, nisin Demonstratat e rinisë studentore të Prishtinës, të cilat, siç treguan ngjarjet e më vonshme, nuk ishte kurrfarë rastësie as e papriture, edhe pse në dukje të parë, asaj mbrëmjeje, një grup studentësh shqiptarë të Universitetit të Prishtinës, gjatë marrjes së darkës në Mensën e studentëve, të pakënaqur me cilësinë e ushqimit, i kishin thyer ca pjata dhe e kishin hedhur darkën e përgatitur, që më vonë mori epitetin simbolik “përmbysja e pjatës së pasulit”, si shprehje metaforike. Pra, një pakënaqësi, në dukje e rastit, e shprehur me revoltën e thyerjes së orendive, ishte përkrahur nga shumica e studentëve shqiptarë, që kishin pritur radhën për të marrë ushqimin. Dhe, nga aty, kishte filluar grumbullimi i studentëve, me ç`rast ishte shfaqur ideja për të dalë me kërkesa për kushte më të mira jetësore, dhe për të demonstruar nëpër rrugët dhe sheshet e Prishtinës. Në këtë kontekst ky do të merrej si pretekst i thyerjes së heshtjes së pritur. Besoj që sot, pas 30 vjetësh, nga aktorët dhe protagonistët e këtij veprimi politik me efekte represioni, do të kemi rastin për të dëgjuar se: a ka ekzistuar një skenar i parapërgatitur për këto demonstrata dhe nga kush; a ka pasur një qendër organizimi e veprimi për situatat e reja; kush e ka mbikëqyrur dhe kush e ka sponsorizuar politikisht, praktikisht dhe materialisht këtë situatë delikate etj? Nëse ka pasur një Program politik; cilët ishin hartuesit e tij dhe ku u publikua për herë të parë ai dokument? Sepse, siç dihet nga historia, vlerat reale të mbështetura në të vërtetën faktike arrijnë primatin mbi spekulimet e cilës do anë qofshin ato. Natyrisht, duke mos zvogëluar vlerën e aktit protektor.

Fillim i përfundimit të „Perandorisë Jugosllave“, të krijuar nga Fuqitë e Mëdha për t`u modifikuar më vonë si Jugosllavi e AVNOJ-t

Siç dihet, mllefi i shfaqur në Mensë gjen terren të përshtatshëm për të shpërthyer, jo më vonë se një orë më pas, në një demonstratë të fuqishme, gjë që flet vetvetiu për aktin e rëndësishëm të shpërthimit të demonstratave, qoftë kjo edhe shprehje spontaniteti. Aq më tepër, kur është e njohur se këso raste spontane në të kaluarën janë shndërruar në ngjarje të përmasave historike edhe të popujt tjerë.

Turma e studentëve, duke brohoritur: „Kushte më të mira jetësore!“, „Kushte!, Kushte !“, derdhet rrugëve e shesheve të Prishtinës për t`u ndalur para institucioneve politiko-administrative: Kuvendit të Kosovës dhe Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve. Rreshtave të studentëve iu bashkohen të rinjtë e shkollave të mesme të turnit të pasdrekes, si edhe një numër i madh qytetarësh, që kishin qëlluar në qendër të qytetit apo që ishin informuar për grumbullimin dhe daljen e studentëve në rrugë me marshime demonstrative.

Dhe, siç do të vërtetohet më vonë, nuk ishte ai vetëm fillim i shfaqjes së pakënaqësisë së rinisë studentore shqiptare përmes demonstratave, por, përkundrazi, ishte ai fillim i përfundimit të „Perandorisë Jugosllave“, të krijuar nga Fuqitë e Mëdha në Londër e Versajë për t`u modifikuar më vonë si Jugosllavi e AVNOJ-it, e për më tepër, edhe përfundim i gjithmonshëm i gënjeshtrave dhe mashtrimeve brendashqiptare mbi gjoja zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare të tyre në Jugosllavinë e asaj kohe, gënjeshtra ato, që i kishte shpërndarë, vite me radhë, makineria e fuqishme propagandistike jugosllave, duke marrë si bazë mbështetëse gjoja frytet e revolucionit popullor: “Vëllazërim-Bashkimin” dhe “Bashkëjetesën mes popujve”.

Shtypi i huaj i quajti këto demonstrata me emra të ndryshëm

Këto ngjarje të furishme shtypi i huaj do ti vlerësonte në forma të ndryshme, duke i quajtur herë si përpjekje për barazi, herë kryengritje e herë me kualifikime të tjera. Bile edhe studiues rusë si Elena Guskova do të konstatojë: Ne mars 1981, në Kosove shpërtheu kryengritja. Protesta sociale, shume shpejt, u shndërrua në veprim të pandërprerë politik, që zgjati 10 vjet, duke rritur tensionin brenda Serbisë dhe duke acaruar marrëdhëniet nder republikane. Gradualisht, mitingjet filluan të marrin karakter antishtetëror, gjithnjë e më shumë dëgjoheshin kërkesat për bashkim me Shqipërinë, flamujt jugosllavë hidheshin përdhe. Separatistët mbështeteshin në mënyrë aktive nga Shqipëria. Demonstratat u shoqëruan me sabotazh në ndërmarrje të veçanta, me shpërndarje traktesh, me aktivizimin e veprimtarisë për kthimin e Kosovës në krahinë etnikisht të pastër. Siç del nga vlerësimet e përmendura studiuesit rus nuk dallonin shumë nga ato serbe e jugosllave.

Sot në bazë të njohurive që disponojmë, mund të themi se Demonstratat e Studentëve që u përkrahën në mënyrë masovike nga gati të gjitha shtresat shoqërore të shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera në ish-Jugosllavi, shënuan një periudhë të re të përpjekjeve dhe të luftës politike të këtij populli. Gjatë kësaj faze u shënuan rënie e ngritje në kuptimin e krijimit të unitetit politik e kombëtar lidhur me realizimin e çlirimit nga okupimi serb dhe arritjes së pavarësisë kombëtare. Megjithatë ky unitet, bëri të mundur që rreth dy decenie më vonë, në mënyrë origjinale lindjen e pluripartizmit politik në Kosovë. Kjo lëvizje që lindi në një kohë tepër delikate ishte me një orientim të qartë Perëndimor – Demokratik. Siç dihet kjo situatë do të ndikojë që më vonë të formohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Këta dy faktorë ishin përcaktues të fuqishëm në zhvillimin dhe organizmin e Luftës Çlirimtare kundër okupatorit serb gjatë viteve 1997-99. Në sajë të këtyre veprimeve programore dhe me përkrahjen e NATO-s forcat ushtarako-policore serbe u mundën përfundimisht dhe ikën si humbës nga Kosova.

Autori është drejtor i Instituti të Historisë – Prishtinë
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi