Boris Tadiqit nuk ka kush t’i përgjigjet

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Boris Tadiqit nuk ka kush t’i përgjigjet

Mesazh nga Agim Gashi prej Sun Apr 10, 2011 11:34 pm


Boris Tadiqit nuk ka kush t’i përgjigjet



Valon Murati
Tash provohen burrështetasit tanë


Kur para dy javësh Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) doli me raportin e fundit për veriun e Kosovës, të quajtur Veriu i Kosovës: Sovraniteti i Dyfishtë në Praktikë, shumëkush në Kosovë u trazua dhe e kundërshtoi atë. Kryeministri i Republikës e quajti flluskë sapuni, duke bërë përpjekje ta injoronte rëndësinë e saj. Dhe vërtet për politikën kosovare ky raport doli në një moment të papërshtatshëm. Në kohën kur qeveria e Kosovës futej në bisedime “praktiko-teknike” me Serbinë, raporti thoshte se ka probleme të mëdha politike në veri të vendit, të cilat vështirë se do të zgjidhen edhe me këto bisedime, apo se bisedimet duhet të arrijnë deri tek disa zgjidhje, që do ta njohin pak a shumë situatën aktuale të sovranitetit të dyfishtë, me Kosovën si bartëse formale të sovranitetit dhe me Serbinë si bartëse faktike të saj. Raporti shkon deri atje sa edhe një herë thekson se situata mund të shkojë drejt një autonomie për veriun dhe në një të ardhme pak më të largët edhe në ndonjë ripërcaktim të kufijve nëse palët pajtohen. Reagimi i opinionit dhe i politikës ishte i kuptueshëm kur të kihet parasysh pesha e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, i cili disa vite para se të shpallej pavarësia kishte propozuar dhe parashikuar pavarësi të mbikëqyrur dhe të kufizuar për Kosovën. Dhe procesi politik e mori rrugën pikërisht në atë drejtim, për shkak se garnitura politike në Kosovë e pranoi atë proces, edhe pse një pjesë e opinionit publik dhe e forcave politike që në atë kohë ishin më të paorganizuara ishin kundër, duke besuar se Kosova dhe populli shqiptar i Kosovës e meritojnë vetëvendosjen dhe pavarësinë e plotë. Sidoqoftë, po dua të theksoj se raportet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave dhe propozimet e tyre janë serioze, ndonjëherë edhe paraprijëse të politikave të fuqive të mëdha që do të zbatohen në rajonin tonë apo në pjesët e tjera të botës.

Kohët e fundit në shumë deklarime publike, si intervista në Klan Kosova, pastaj në “Forumin e Brukselit” etj., kryetari i Serbisë Boris Tadiq i ka përcaktuar qartë vijat e interesit të shtetit serb në raport me Kosovën dhe shqiptarët. Ajo që përvijohet qartazi si interes serb është se këto bisedime “tekniko-praktike” që kanë filluar, duhet të përfundojnë domosdo në bisedime politike për ta zgjidhur problemin shqiptaro-serb. Dhe në këto bisedime është e qartë se shteti serb i njeh dy realitete në Kosovë: atë ku shqiptarët janë shumicë, të cilët nuk njohin kurrfarë sovraniteti serb, dhe atë në veri të Kosovës ku serbët e atjeshëm nuk do ta njohin asnjëherë sovranitetin e Kosovës.

Por a ka kush t’i përgjigjet Boris Tadiqit në Kosovë? Deri më tani jo. Ndërsa ky do të ishte një rast ideal për kryeministrin e Kosovës për të dëshmuar se ka vizion se cilat janë prioritetet e Kosovës. Situata optimale do të ishte nëse kryeministri i Kosovës, duke i shfrytëzuar këto deklarata të presidentit serb, të thërriste për ndërprerjen e bisedimeve “teknike dhe praktike” dhe përmes një konsensusi shoqëror ta kthente në lojë konceptin e bisedimeve politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke e qartësuar se çështja e statusit politik të Kosovës është çështje e mbyllur, por duke pranuar të bisedohet për veriun (për tri komunat serbe), e duke shtruar në tavolinën e bisedimeve edhe tri komunat shqiptare në Kosovën Lindore dhe duke sqaruar se pjesa veriore e Mitrovicës është e spastruar etnikisht dhe aty duhet të kthehen 12.000 qytetarë shqiptarë të saj. Që në fillim do të duhej insistuar vendosmërisht se në këto bisedime politike çështjet duhet trajtuar me të njëjtat standarde. Rrjedhimisht, të dy këto probleme do të duhej trajtuar duke u bazuar në principin e reciprocitetit. Çfarëdo zgjidhje të paraparë për tri komunat serbe në veri, të parashihet edhe për tri komunat shqiptare në Kosovën Lindore (prej autonomisë deri tek zbatimi i vetëvendosjes dhe ridefinimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë). Një qëndrim i tillë do ta shndërronte kryeministrin tonë në një burrështetas që ka vizion për të ardhmen e vendit. Duke dyshuar se do ta bëjë këtë kryeministri ynë, minimumi që është dashur ta bëjë (që së paku të tregojë se ka disa elemente burrështetasi) ka qenë që Boris Tadiqit t’i përgjigjet në çështjet që ai i ka shtruar. Nëse Tadiqi ka thënë se serbët e veriut nuk do ta njohin shtetin e Kosovës, kryeministri ynë do të duhej t’i përgjigjej se edhe shqiptarët në Kosovën Lindore nuk e ndiejnë Serbinë shtet të tyrin dhe se dëshira e tyre është që të bashkohen me Kosovën. Gjithashtu do t’i duhej bërë e qartë Tadiqit se qeveria e Kosovës e ka ndërmend t’i kthejë në veriun e Mitrovicës qytetarët e saj të dëbuar (me këtë rast shqiptarët), duke i sqaruar se veriu i qytetit të Mitrovicës nuk duhet barazuar me tri komunat në veri. Të gjitha këto do të duhej bërë, nëse do të kishte kush t’i përgjigjej Boris Tadiqit, nëse Kosova do të kishte një burrështetas apo së paku politikan me elemente burrështetasi. Në të kundërtën, kryeministri apo politikanët e tjerë, në pozitë e opozitë, edhe mund t’i përgjigjen Tadiqit me retorikën bajate të ruajtjes së integritetit territorial të Kosovës. Por një përgjigje e tillë, duke qenë se e mban gjallë konfliktin e i harron qytetarët e dëbuar të Mitrovicës dhe qytetarët shqiptarë nën terror në Kosovën Lindore, i bën politikanët tanë jo të duken të zakonshëm, por të duken të mjerë dhe krejtësisht pa vizion.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi