SHQIPËRIA VIJON TË NXJERRË TRIMA SI GJERGJ ELEZ ALIA

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

SHQIPËRIA VIJON TË NXJERRË TRIMA SI GJERGJ ELEZ ALIA

Mesazh nga Agim Gashi prej Sun Nov 30, 2008 2:42 am




Lek Pervizi
SHQIPËRIA VIJON TË NXJERRË TRIMA SI GJERGJ ELEZ ALIA
(Vlerësime për jetën e veprën e Lek PERVIZIT në 15-vjetorin e revistës KUQ e ZI)
Nga Prof. asc. Thanas L. Gjika (USA)
Mbas 45 vjet sundimi të egër plot vrasje, burgosje e internime të intelektualëve nacionalistë, klerikëve të devotshëm, ballistëve antikomunistë dhe familjarëve të tyre, u duk sikur pushteti komunist e kishte siguruar përjetësisht sundimin mbi popullin shqiptar të përgjunjur dhe të përgjumur, sikur ishte zhdukur mundësia e të menduarit ndryshe. Mirëpo, pikërisht më 1989, pra mbas 45 vjet sundimi, komunizmi si ideologji dhe sistem shoqëror ishte kalbur nga brenda në Rusi, Shqipëri dhe në gjithë vendet e kampit socialist. Ishte kalbur para se të piqej, sepse në parimet kryesore ky sistem kishte qenë kundër natyrës njerëzore duke luftuar pronën private, duke luftuar për zhdukjen e klasave dhe barazitizmin varfërues të shoqërisë, duke izoluar vendin, duke mohuar të drejtat themelore të njeriut, etj.
Procesi i shkërmoqjes së diktaturave komuniste
në Evropë gjatë vitit 1990 e përfshiu dhe Shqipërinë me pak vonesë gjë që solli krijimin e partive të ndryshme politike dhe krijimin e qeverive pluraliste. Populli shqiptar doli nga ky sundim i gjatë cnjerëzor tepër i varfër moralisht, mendërisht dhe ekonomikisht. Akoma më të këputur dolën të dënuarit dhe të persekutuarit e regjimit.
Kupola komuniste luajti një lojë jo të ndershme si gjatë marrjes së pushtetit në vitet 1943-45 dhe gjatë “lëshimit” të pushtetit në vitet 1990-92, lojë të cilën vijon ta luajë edhe sot. Nga njëra anë ajo ka sharë e shpifur dhe vijon të shajë e shpifë kundër atyre veprimtarëve të ndershëm që marrin pjesë në luftën politike, nga ana tjetër ajo ka lëvduar e mburur dhe po vijon të lëvdojë e mburë shërbëtorët e saj të hapur dhe të fshehtë. Këtë lojë ajo e ka bërë në faqet e gazetave si Zëri i Popullit, Bashkimi, etj dhe në ekranet televizive të saj. Mbas vitit 1990, ajo i hapi kufijtë, madje “u interesua” që shumë prej viktimave të saj t’i përcillte jashtë shtetit për të mos i pasur nëpër këmbë në situatat e reja kur ajo do të luftonte për manipulimin dhe rimarrjen e pushtetit, për ndarjen e pronës kombëtare, për dhënien e pensioneve të vecanta dhe titujve Nder i Kombit agjentëve të vet si Loni Papa e Dhora Leka, kur ajo do të zgjidhte për deputetë e ministra ish-komunistë dhe agjentë si Skënder Gjinushi, Paskal Milo, etj dhe do të vendoste në poste drejtuese të propagandës agjentë si Remzi Lani, etj.
Mirëpo ata që kishin dalë nga burgjet dhe kampet e internimit si Mitat Araniti, Gulielm Deda, Nush Radovani, Nikoll Mazreku, Lek Pervizi, Eugjen Merlika, Agim Musta, Visar Zhiti, Mark Dema, Lazer Radi, Makensen Bungo e shumë e shumë të tjerë, dolën në fushë betejë me gjithë plagët e rënda të shkaktuara prej Bajlozit (jo ai i ziu i legjendës që kish ardhur prej detit, por ai kuqalashi i mbirë nga dheu amë prej sllavo-komunistëve). Kupola komuniste i konsideroi gati të vdekur, ose më mirë të themi i donte të vdisnin sa më parë këta kundërshtarë të plagosur rëndë. Po ata, për fatin tone të mirë, e morën veten për bukuri dhe kudo ku u vendosën brenda ose jashtë Shqipërisë u hodhën në luftë, natyrisht jo në luftën partiake politike, sepse ata nuk u lejuan të merrnin pjesë nëpër partira, mbasi kjo ishte privilegj i ish komunistëve dhe agjentëve të tyre të fshehtë, që u zgjedhën me kujdes prej Ramiz Alisë.
Loja partiake politike midis pozitës dhe opozitës në Shqipëri është e programuar prej kupolës së fshehtë komuniste për të bërë më shumë zhurmë sesa punë, me qëllim që të realizohet ndarja e pasurisë kombëtare dhe e pushtetit politik midis ish komunistëve dhe shërbëtorëve të tyre. Kështu Shqipëria nga 1991 deri sot, në vend që të kishte krijuar shtetin ligjor për të ecur shpejt drejt Evropës, ka përjetuar dridhje epileptike si ato të 1997-ës, shpërthimet e Gërdecit më 2008, grindje e ndeshje në parlament si dhe grevë urie, për të larguar vëmendjen nga nevojat e mëdha të popullit të uritur, pa drita e pa ujë.
Njerëzit e burgjeve e të kampeve të dëbim-internimit, ata që i morën në trupat e tyre më thellë se ne plagët e diktaturës, janë veprimtarët e shenjtë që po na tregojnë rrugën më të mirë e më të shpejtë drejt demokratizimit dhe evropianizimit të shoqërisë sonë, larg tymnajës rozë, larg hakmarrjeve dhe ekseseve, por me aprovim dhe zbatim ligjesh. Janë pikërisht jeta dhe veprat e At Zef Pëllumbit (Rrno për me tregue), Lek Pervizit (Revista KUQ E ZI e librat poetike Ankimi i Zanava e Lahutari Shqiptar), Eugjen Merlikës (Elegji për Brezin Tim), Agim Mustës (Mandelët e Shqipërisë, Dosjet e Gjalla, Burgjet e Shtetit Burg, Gjemat e Komunizmit në Shqipëri) dhe të përvuajturve të tjerë, që tregojnë plagët e shoqërisë sonë të shkaktuara prej sistemit komunist dhe rrugët për shërimin e tyre.
Në tymnajën propagandistike me shumë gazeta, radio-televizione në atdhe dhe në diasporë, që nxitet prej kupolës komuniste, ka dhe disa organe shtypi dhe forume mediatike vërtet të pavarura, që përhapin mendimin e vërtetë demokratik. Një organ i tillë shtypi ka qenë dhe vijon të jetë revista KUQ E ZI e konceptuar dhe botuar këto 15 vjet prej atdhetarit Lek Pervizi në Bruksel të Belgjikës, numërat e parë të së cilës ai i shpërndau të daktilografuara e të kopjuara në kseroks. Leka është bir i familjes së gjeneral Prenk Pervizit, familje e cila kreu gjatë regjimit komunist 456 vjet burgime e internime. Në vitin 1990 Leka me familjen e tij të ngushtë, gruan dhe tre djemtë, u shpërngul në Bruksel të Belgjikës, ku kishte kaluar vitet e fundit të jetës babai i tij si emigrant politik. Pikërisht në Bruksel ku Faik Konica kishte botuar në vitet 1897- 1903 revistën ALBANIA, Lek Pervizi më 1993, në moshën 65 vjeç pa e njohur fare kompjuterin, iu fut punës për të publikuar revistën KUQ E ZI.
Me materialet e shumta të botuara në këtë revistë ky atdhetar duke punuar me përkushtim mundi të afrojë si bashkëpunëtorë mjaft prej penave më të kualifikuara të kulturës sonë, të cilët kanë ardhur gjithnjë duke u shtuar. Midis tyre po përmendim prof. Injac Zamputi, Monsinjor Mikel Koliqin, Guljelm Deda, prof. Arshi Pipa, Mark Dema, Patër Zef Pëllumbi, Myrteza Bajraktari, Nush Radovani, Nikoll Mazreku, Visar Zhiti, Nermin Vlora Falaski, H. J. Lanksch, Niko Kirka, Robert Elsie, Mërgim Korca, Gjosho Vasia, Nikoll Tuci, Filika Gruda, Arjana Rufa, Riza Hoxha, etj.
Detyrat kryesore të kësaj reviste sqarohen që në editorialin e numërit të parë titulluar Tribunë Shqiptarizmi, ku theksohet se ky organ shtypi del për të dëshmuar jetën plot vuajtje të të persekutuarve nga dhuna komuniste, për të treguar mendimet politiko-shoqërore e atdhetare si dhe bëmat e tyre në fusha të ndryshme të jetës. Gjithashtu ky organ shtypi mori përsipër të ringjallte vlerat morale e shpirtërore të popullit tonë, si burrninë, besën, traditat e mira, rivlerësimin e ngjarjeve dhe figurave historike të shtrembëruara e nëpërkëmbura prej regjimit komunist. Revista ka përkrahur krijimin e një Rilindje të re, për të pastruar kulturën e historinë shqiptare nga skorjet e mohimit dhe të mashtrimit të ideologjisë komuniste.
Në një kohë kur 65-vjecarët rijnë kafeneve a mund të lexojnë ndonjë libër për të kaluar kohën, Lek Pervizi iu fut punës për të mbushur faqet e revistës së vet me materiale të bashkëpunëtorëve dhe të shkruara prej tij. Ai hartoi shumë artikuj e kryeartikuj, shkroi poezi origjinale, vizatoi skicat e kampeve të përqendrimit ku vuajti bashkë me shokët e tij për t’ua bërë më të kuptueshme lexuesve vuajtjet e të persekutuarve. Duke qenë një njohës i thellë i italishtes, ai përktheu nga italishtja e vjetër dhe e paisi me shënime shkencore veprën e Dhimitër Frangut Historia e Skënderbeut, botimin e së cilës e shoqëroi me gjithë portretet e Heroit tonë Kombëtar. Këtu Leka ka botuar dhe veprën e tij më të mirë kompozicionale Beteja e Fushkuqes, tabllo e vlerësuar prej specialistëve të piktures si vepër me vlera të mëdha artistike. Tani ai po përgatit për botim përkthimin e një studimi mbi pellazgët shkruar prej një autori francez.
Një aspekt tjetër pune për Lekën ka qenë dhe grumbullimi i kujtimeve dhe dokumentave për jetën e babait të tij të dënuar dhe të lënë në harresë prej regjimit komunist, materiale me të cilat ia lehtësoi punën historianit ushtarak z.Pjeter Hidri për hartimin e monografisë Gjeneral Prenk Pervizi, etj. Po ashtu ai ka punuar e punon që të shkrujë e botojë sa më parë kujtimet e jetës së vet dhe për vëllezërit e tij Valentin e Genc, të cilët u shuan para tij mbas vuajtjeve të gjata nëpër burgje e kampe përqendrimi.
Leka ka qenë dhe vijon të jetë dhe një pjesëmarrës i gjallë në shumë polemika që janë hapur në forumet mediatike për probleme të ndryshme. Shumë prej nesh i kujtonë diskutimet të guximshme e të drejta për mungesën e vlerave të akademikëve dhe për nevojën e riorganizimit të Akademisë së Shkencave, si dhe probleme të tjera.
Qeveritë e Tiranës gjatë këtyre 17 vjetëve nuk i kanë vlerësuar qytetarët e vërtetë si Lek Pervizi, madje i kanë tallur duke i sorollatur nëpër gjyqe për të mos ua kthyer pronat që ua patën marrë më 1945, sepse këto qeveri zbatojnë planet kriminale të Ramiz Alisë.
Këtij plaku të urtë gati 80-vjecar, këtij Gjergj Elez Alie së kohës sonë, me rastin e 15-vjetorit të revistës KUQ E ZI i urojmë shëndet e jetë të gjatë, realizim të synimeve të tij, sepse ato janë për të mirën e gjithë shqiptarëve. Urojmë që qeverisë së sotme të Tiranës t’i vijnë mentë dhe ta shpallë Lek Pervizin Nder i Kombit dhe t’i lidhë pensionin e vecantë, të cilin ai e ka merituar prej kohësh.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi