Halil Matoshi:Kufiri dhe Flamuri

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Halil Matoshi:Kufiri dhe Flamuri

Mesazh nga Agim Gashi prej Sun Mar 29, 2009 10:40 pm

Kufiri dhe Flamuri





Secili popull që ka rrethakuar një tokë me kufi, atje e vë një gur dhe ku është guri është dhe flamuri. Kosovarët ose duhet të mësohen të respektojnë shtetin e tyre ose duhet të heqin dorë nga lutjet që ua bëjnë miqve për t’i mbrojtur, për t’i ndihmuar dhe për t’i njohur...

Nga Halil Matoshi më 29.03.2009 në ora 14:14

Kufijtë ndërmjet shteteve në kohën e komunizmit ishin kufij vdekjeje. Ruheshin me qenë, policë dhe blinda. Kufijtë në shtetet demokratike i ruan vullneti politik që me konsensus të gjerë shoqëror bëhet fuqi politike. Por kufijtë i mbron edhe partneriteti, përkatësisht respekti i ndërsjellë mes shteteve.

Pas Murit të Berlinit kufijtë në demokracitë e zhvilluara evropiane nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe, por kanë ende kuptim simbolik. Por në rastin e kufirit mes dy demokracive të deklaruara, Serbisë dhe Kosovës, ai është ende kufi përtej të cilit mund të vjen kërcënimi, frika. Se andej mund të grumbullohen trupa militare, se mund të përgatiten komplote etj.

Por kufiri mes këtyre dy shteteve shfrytëzohet nga vetëm njëra anë për të prishë stabilitetin e anës tjetër. Normalisht shfrytëzohet nga Serbia. Derisa zyrtarët serbë po sillen, me demek, sikur nuk ekziston fare ai kufi, ana kosovare po sillet sikur ai kufi është shenja e mbramë që ndanë jetën nga vdekja.

Kjo shenjë për shtetin e ri është tepër domethënëse, sepse Prishtina do që t’ia njohin fqinjët kufirin. Ndërkaq që qeveritarët serbë po sillen si në kohë të Krajlit.
Si të Sllobës. Njëjtë.

Pra Kosova aktuale po e shfrytëzon kufirin për ta legjitimuar Prishtinën si bartëse të sovranitetit në këtë tokë të rrethakuar me ‘vijat” kufitare, që janë shenjë mbrojtëse e sovranitetit të qytetarëve të Kosovës në këtë cep të Ballkanit Perëndimor.

Beogradi po i përdor kufijtë për të rikthyer në skenë piromaninë dhe për të propaganduar heroizmin serb të kohës së Milosevicit. E, ka pasur shancë që vërtet ata kufij të ishin thjeshtë vetëm simbolikë. Për këtë është dashur që ta njoh shtetin e ri fqinj, Kosovën e jo të investojë në armiqësi të reja.

Prishtina zyrtare përfundimisht, pas vizitës së kreut politik të saj në Washington dhe pas përplasjes në KS të OKB-ve, është në avantazh të madh ndaj kësaj Serbie militare, sllobiste dhe armiqësore ndaj Perëndimit dhe natyrisht Kosovës.

Qeveria e Hashim Thaçit e ka gjetur momentin e volitshëm që ta luaj lojën e vet, për t’u dhënë mesazh serbëve kosovarë se Beogradi nuk është ‘gazda’ këtu.
Qeveria Thaçi gjatë marsit thjeshtë është në formë!

Nëse i shmangemi qasjes tipike ballkanike (dhe shqiptarçe) bardh-zi, nuk ka asnjë njeri të keq njëherë-të keq gjithmonë, dhe asnjë njeri të mirë njëherë dhe përjetësisht.
Merreni shembullin e Skënder Hysenit. Për shumë analistë politikë dhe media vlente skema i keq njëherë, i tillë përherë, por kjo skemë u thye në paraqitjen e tij të fundit në KS të OKB’ve, mirëpo as kjo nuk do të thotë se ai do të mbesë “Aleksandri i Madh i Kosovës.”

Pse Kosova e ka fatin e keq historik të kufijve, prerjeve?
Ose pse shqiptarët kanë ra pre e këtyre kufijve që nga Perandoria Otomane e këtej? Pesë vilajete, pastaj ndarje te Alpet shqiptare, më pastaj zonat e pushtimit nazi-fashist...
Gjashtë zonat e UÇK’së, katër Zonat e KFOR’it, etj. Deri te ndarja e feudeve të njerëzve të fuqishëm të ekonomisë gri... Toskë, gegë, jug-veri, qytetarë-malokë, Drenicë-Dukagjin, Llap e Gallap... boll ma se na çmendet!?

Sot po rikthehet në skenë një ndarje politike, një rivalitet i rrezikshëm Dukagjin me Drenicë, sepse krerët politikë duan më shumë dominim, më shumë pushtet dhe nuk mendojnë fare për kohezionin kombëtar dhe shtetëror...

Modeli i çarjeve krahinore për pushtet e jo për shtet, derivon pushtet provincial që nuk ka legjitimitet vertikal dhe horizontal. Ndarja ose kufiri imagjinar i mbipushtetit politik e çoi gjysmën e Kosovës në Prekaz më 7 mars kurse gjysmën tjetër në Gllogjan, më 24 mars. Dhe aty nuk u ngreh dhe nuk u pa flamuri i shtetit të Kosovës, ai që rrehet me erërat në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë ta zëmë...

Në kufi nuk ka më tela me gjemba, por ka shenja. Dhe shenja e tokës së Kosovës nuk u pa në Gllogjan. Arsyetimi i Ramush Haradinajt ishte i flashkët duke e hedhë topin tek strukturat e veteranëve të luftës, kur dihet ndikimi i madh i tij.

Për çka kanë luftuar Haradinajt nëse jo për çlirimin e Kosovës dhe bërjes shtet? Ata e kanë mbaruar shembullore klasën. E kanë kryer obligimin e tyre qytetar.
E kanë paguar me gjakun e tyre. Dhe cili qenka tash modeli i ri i pritshëm qeverisës i AAK’së nëse nuk e respekton shenjën e shtetit? E dihet se asnjë nga deputetët e kësaj partie nuk kanë votuar kundër simboleve shtetërore në Kuvendin e Kosovës.

Fundja, rivaliteti politik mes partive që luftojnë për pushtet, nuk guxon të bëhet rivalitet për shtetin, por për pushtetin, sepse simbolet që identifikojnë Kosovën shtet nuk janë ekskluzivitete të rivalit të AAK’së, PDK’së as të Hashim Thaçit, por janë shenja të qytetarëve të Kosovës, që i identifikon ata me identitetin shtetëror të tyre.

Ose, duke lexuar shkrimet e Blerim Shalës për shtet-ndërtimin dhe modelin e ri të qeverisjes dhe patriotizmin e tij qytetar (“patriotizmin kushtetues” habermasian) diqysh s’mund të bindem se ai është ndie komod në Gllogjan pa shenjën e shtetit, për të cilin ai ka negociuar me Grupin e Unitetit dhe tashti lufton politikisht ta ndryshojë për mirë?
Pse edhe ai të harronte?

“Harresa” e shenjave nuk e ruan unitetin veprues, sepse ecja pa udhërrëfyes është ecje nëpër terr... Sidoqoftë nuk e besoj ende se Shala angazhohet për çarje e ndarje me kufij (është imja deri aty ku vlejnë shenjat e mia!?) tashti brenda asaj hartës ngjyrë ari që figuron në flamurin e Kosovës.

Pres që kjo çarje rajonale që po reflektohet në politikë duhet t’i përkasë të kaluarës, ndërkaq që flamuri i shtetit kosovar duhet të respektohet nga të gjithë qytetarët e vendit, sepse është më shumë se një bez me një hartë ngjyrë ari dhe gjashtë yje të argjendta.

Përndryshe kjo fyen ndjenjat patriotike të shtetasve!
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi