Karamanlis, nga Qipro në Shqipëri, pasi Obama u bë i dyti president amerikan që nuk shkon në Athinë pas Ankarasë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Karamanlis, nga Qipro në Shqipëri, pasi Obama u bë i dyti president amerikan që nuk shkon në Athinë pas Ankarasë

Mesazh nga Agim Gashi prej Fri Apr 10, 2009 4:34 pm

Karamanlis, nga Qipro në Shqipëri, pasi Obama u bë i dyti president amerikan që nuk shkon në Athinë pas Ankarasë
Nga Kastriot Myftaraj
Vizita e njoftuar këto ditë e kryeministrit grek Karamanlis në Tiranë, në 26 prill të këtij viti, është po aq e papritur sa ai episodi, në dhjetor 2005, tre muaj pasi Berisha qe bërë kryeministër dhe kur ndaloi në Athinë, ndërsa kthehej nga një vizitë zyrtare në Irak. Ky episod ishte më tepër një sforcim i Berishës të rikthyer në pushtet, për të pasur një vizitë zyrtare në Athinë, të cilën nuk e ka realizuar ende dhe sot, si dhe për t’ ia nxjerrë “me dhunë” si të thuash, kryeministrit grek një vizitë në Shqipëri. Por homologu grek nuk ia Berishës sadisfaksionin që të kapërcente kaq lehtë të shkuarën e tij problematike në marrëdhëniet me Greqinë. Berisha nuk arriti që të kishte më tepër se një takim jozyrtar me kryeministrin grek Karamanlis, i cili e refuzoi me një lloj politese ftesën e Berishës për të vizituar Shqipërinë, duke i thënë tekstualisht Berishës: “Sali, ja ku erdhe ti këtu në Athinë dhe u takuam, kështu që nuk është nevoja që të vij unë në Tiranë”. Kësaj i thonë: “Ti Sali më zure derën dhe unë të prita, kjo është mjaft për ty, se edhe mund edhe të mos të të kisha pritur fare!”
Vizita e kryeministrit grek në Shqipëri, dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, është një gjë e papritur, aq më tepër që në pushtet gjendet Berisha, i cili në dukje do të jetë ai që do të përfitojë nga kjo vizitë. Greqia këtë nder nuk ia bëri as Fatos Nanos në 2005, i cili ishte i njohur për marrëdhëniet e tij të afërta me Athinën. Përse vjen kryeministri grek në Shqipëri dy muaj para zgjedhjeve parlamentare? Arsyeja kryesore duket se është fakti që Greqia ndihet e zhvlerësuar në marrëdhëniet me SHBA. Ishte bërë traditë, që nga vizita e Presidentit Eisenhower në 1959, që presidentët amerikanë të vizitonin njëkohësisht Turqinë dhe Greqinë, duke shkuar së pari në Ankara për të kaluar pastaj në Athinë.
Madje grekët ndiheshin të lënduar ngaqë viheshin pas Turqisë dhe në korrik 1991, kur Presidenti Bush I Vjetri i vizitoi të dy vendet, Athina zyrtare bëri përpjekje serioze, por të pasuksesshme, që të ndryshonte agjenda e Bush, ashtu që ky të shkonte në Athinë dhe pastaj në Ankara, me arsyetimin se 32 vjet më parë një tjetër president amerikan kishte ndjekur itinerarin e kundërt. E njëjta gjë ndodhi edhe në nëntor 1999, kur Presidenti Clinton vizitoi në fillim Ankaranë nga ku shkoi në Athinë. Që nga ajo kohë, Ankaranë e kanë vizituar dy presidentë amerikanë (Bush i Riu në 2004 dhe Obama në 2009), të cilët nuk kanë shkuar nga Ankaraja në Athinë, duke u bërë kështu Bush i Riu ai që e prishi ritualin diplomatik dhe Obama ai që e ndoqi këtë precedent. Kështu, një president demokrat shndërron në precedent veprimin e një presidenti republikan, duke e përsëritur atë, çka e bën përfundimisht serioze këtë devijim nga agjenda e ritualizuar historikisht.
Mënjanimi i Athinës nga agjenda e tureve presidenciale të Washingtonit është pasojë sa e klimës së egër antiamerikane në Athinë, aq edhe e realiteteve të reja gjeopolitike të pas Luftës së Ftohtë ideologjike, dhe të sezonit të ri të përplasjeve gjeopolitike SHBA-Rusi. Në nëntor 1999 Presidenti amerikan Clinton u detyrua që të shkurtonte në 24 orë një vizitë në Athinë, të planifikuar për të zgjatur tre ditë, shkurtim që u bë për shkak të protestave të dhunshme antiamerikane. Bill Clinton e shtyu vizitën në Greqi me një javë në 1999, për të evituar që të gjendej atje gjatë protestave tradicionale të 17 nëntorit, megjithatë nuk u shpëtoi protestave. Paraardhësi i tij, Presidenti Bush i vjetri, kishte shkuar nga Ankaraja në Athinë në korrik 1991, ku gjatë mbërritjes PASOK në opozitë bojkotoi pritjen e tij në aeroport, duke mos çuar asnjë përfaqësues të saj në ceremoni. Nëse PASOK mungoi në pritje, nuk mungoi sigurisht në protestat në rrugët e Athinës ndaj vizitës së presidentit amerikan. Ndërsa kur Bush kishte arritur në rezidencën e ambasadorit amerikan në Ankara , ku do të qëndronte, para saj nuk pati protestues. Protesta pati në Ankara gjatë vizitës së Obamës para pak ditësh, por ato nuk qenë aspak masive dhe të dhunshme si ato në Athinë kur atë e vizitoi Clinton dhe Obama nuk u detyrua që të ndryshonte agjendën për shkak të tyre.
Ajo që të bën përshtypje është dendësia e vizitave presidenciale ruse në Athinë, që nga koha që atje nuk ka shkelur më asnjë president amerikan dhe mënyra se si priten presidentët rusë atje. Presidenti rus Jelcin, kur kishte vizituar Athinën në 1993, duke u bërë i pari lider rus që vizitonte kryeqytetin grek në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, ishte përshëndetur si hero nga turmat e grekëve. Pasuesi i Jelcin, Vladimir Putin, e vizitoi tre herë Greqinë gjatë presidencës së tij, në 2001, 2005, 2006, pra duke e vizituar vetëm Putin Greqinë aq sa të gjithë presidentët amerikanë të marrë së bashku. Putin nuk u ballafaqua me asnjë protestë gjatë vizitave të tij, por me përshëndetje të turmave. Tre vizita të Presidentit rus Putin në Greqi, që nga vizita e fundit e një presidenti amerikan atje, si dhe një vizitë e planifikuar e Presidentit aktual të Rusisë, Medvedev në Athinë, tregojnë se shtetarët grekë reflektojnë frymën antiamerikane dhe proruse të popullit grek, duke e parë Amerikën me mosbesim dhe Rusinë si aleatin historik të rigjetur pas përfundimit të konfliktit ideologjik.
Shtetarët grekë, nga njëra anë nuk duan që një president amerikan të vizitojë Athinën, duke pasur parasysh se kjo vizitë do të ndezë në maksimum zjarrin e protestave që nuk po i ndahet Greqisë prej muajsh, nga ana tjetër ndihen të lënduar ngaqë janë përjashtuar nga agjenda e Shtëpisë së Bardhë për herë të dytë, në një kohë që Turqia gjendet në këtë agjendë. Është sa qesharake aq edhe domethënëse që komuniteti greko-amerikan u mburr me pjesëmarrjen e Presidentit Obama në pritjen për festën kombëtare të Greqisë në mars të këtij viti, madje kryepeshkopi i Kishës Greke në SHBA e quajti Obamën Aleksandrin e ri të Madh që do të presë “nyjen gordiane” të çështjes së emrit, e megjithatë “Aleksandri i ri” i Shtëpisë së Bardhë nuk mund të vizitojë Athinën, se atje do ta presin në fakt siç e pritën dikur Aleksandrin e Madh athinasit e nxitur nga Demosteni, pra si një barbar armik. Është sa paradoksale aq edhe domethënëse që grekët ekzaltohen nga takimi i Obamës me Patriarkun Ekumenik Ortodoks në Stamboll, me rastin e një tubimi për dialogun mes qytetërimeve, me ç’ rast Obama vizitoi dhe ish-Katedralen e Shën Sofisë, dhe në anën tjetër Obama nuk mund të shkojë dhe të vizitojë një kishë në Athinë, për të shprehur përkushtimin e tij ndaj dialogut të qytetërimeve!
Ajo që i shqetëson shtetarët grekë është se Shtëpia e Bardhë gjen komoditet realpolitik me klimën antiamerikane në Athinë, për të shpëtuar nga bezdia për paritet në agjendën e vizitave presidenciale në marrëdhëniet me Turqinë dhe Greqinë, gjë që nuk justifikohet nga realitetet e reja gjeopolitike të pas Luftës së Ftohtë, në rast se justifikohej edhe në atë periudhë. Në kohën e Luftës së Ftohtë Greqia shihej si një aleat në planet strategjike amerikane, për shkak se ishte një bastion për të penguar daljen e Bashkimit Sovjetik në Mesdhe. Por edhe në këtë funksion Greqia ishte pjesërisht një prapavijë e Turqisë, e cila ishte bastioni i parë që përballej drejtpërdrejt me sovjetikët në kufirin më të gjatë tokësor dhe detar me sovjetikët, dhe posaçërisht në ngushticat e Detit të Zi, veçanërisht me rëndësi strategjike. Afrimi i Greqisë me Rusinë në periudhën e pas Luftës së Ftohtë, si në aspektin ekonomik, ashtu dhe në atë politik, pa përjashtuar atë ushtarak, ka relativizuar shumë rëndësinë gjeopolitike dhe strategjike të Greqisë për SHBA. Ose e thënë më qartë, në Washington sot Greqia nuk llogaritet më si aleat kur është fjala për të frenuar marshimin gjeopolitik të Rusisë. Rëndësia gjeopolitike e Turqisë për SHBA është pakrahasimisht më e madhe në krahasim me Greqinë. Në Athinë e ndjejnë këtë gjë, prandaj kërkojnë që të kompensojnë daljen nga agjenda presidenciale amerikane, duke bërë protagonizëm Athina në Qipro dhe në Shqipëri, në pikat ku Washingtoni është i ndjeshëm për shkak të implikimeve që sjell ndjekja e interesave nacionale greke në këto pika të nxehta.
vijon
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Karamanlis, nga Qipro në Shqipëri, pasi Obama u bë i dyti president amerikan që nuk shkon në Athinë pas Ankarasë

Mesazh nga Agim Gashi prej Fri Apr 10, 2009 4:35 pm

Jo rastësisht kryeministri grek Karamanlis do të vijë në Shqipëri në 26 prill, si pjesë e një turi që do të fillojë në Qipro ku do të ndalojë në 22-23 prill. Karamanlis do të vijë në Tiranë nga Sofja që do të jetë ndalesa e tij e radhës pas Nikosias (Qipro). Në Sofje Karamanlis do të marrë pjesë në takimin ndërkombëtar “Gazi natyror për Europën- siguria dhe bashkëpunimi”. Greqia sot është e integruar krejtësisht në atë që quhet gjeopolitika ruse e gazit (por edhe naftës), gjë që ka shkaktuar pakënaqësinë e SHBA, një arsye më tepër kjo për ta përjashtuar Greqinë nga agjenda presidenciale amerikane. Karamanlis kërkon ta përdorë kapacitetin grek për të shkaktuar trazime në rajon, në këtë rast në Shqipëri, si kundërshpërblim për të amortizuar pakënaqësinë e SHBA për politikën greke të energjisë.
Karamanlis nuk është as aq naiv sa të mendojë se në këtë situatë ndërkombëtare ka ndonjë shans për të qipriotizuar Shqipërinë, siç tha Fatos Nano në 2004 duke përcjellë qartësisht një tezë greke. Por Karamanlis vjen në Shqipëri për të dhënë të kuptohet se synimet greke ndaj Shqipërisë (“Vorio-Epirit”) mbeten të pandryshuara edhe tani që vendi hyri në NATO. Karamanlis, ç’ është më e rëndësishmja, do të takohet me kryepeshkopin grek të Kishës Ortodokse në letër-Autoqefale të Shqipërisë, Janullatos, i cili është njeriu kryesor i lojës së Athinës në Shqipëri, për shkak se Athina i sheh të gjithë ortodoksët në Shqipëri si grekë. Karamanlis do të vizitojë varrezat ushtarake greke në Shqipëri, me të cilat simbolikisht kërkon të thotë se brenda kufijve shqiptarë gjendet tokë greke e shenjtëruar me gjakun e “martirëve” grekë.
Karamanlis, me këtë agjendë në aksin Qipro-Shqipëri (“Vorio-Epir”) kërkon të vendosë edhe një herë piketat në vendet ku Greqia mund të shkaktojë trazira gjeopolitike në rajon. Edhe pse Karamanlis do të përpiqet të bëjë gjeste simbolike në këtë linjë gjatë vizitës, synimi imediat i agjendës së tij është që të bëjë shantazh gjeopolitik ndaj Perëndimit për të siguruar ndihmë ekonomike për Greqinë, e cila po kalon një periudhë mjaft delicate e kapur si midis Shillës dhe Karribdës, midis krizës ekonomike botërore dhe protestave të brendshme të shkaktuara nga polarizimi ekonomik në shoqërinë greke. Greqia ishte llogaritur që të merrte 25 miliardë euro ndihmë nga Bashkimi Europian në vitet 2007-2013, gjë që sot vihet në diskutim, si ëpr shkak të krizës, ashtu dhe për shkak të faktit se parametrat ekonomikë të Greqisë kanë kapërcyer kufizimet e vendosura nga Brukseli. Në ndërkohë gjatë vitit 2009 qeverisë greke do t’ i duhet të paguajë për llogari të borxhit shtetëror 19% të të ardhurave publike, pra të buxhetit qeveritar të vitit 2009, prej 65.9 miliard euro. Megalomania e bën Greqinë që të shpenzojë 11% të buxhetit për ushtrinë, çka do të thotë se rreth një e treta e buxhetit është e hipotekuar për shpenzime që kanë ardhur më tepër nga paranoja se nga nevoja.
Në këto rrethana, qeveria greke, e cila përballet me një rini që nuk pajtohet me realitetin e një vendi ku paga mesatare është 600-900 euro, por që supozohet të synojë standardet e vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Europian, dhe jo të kënaqet se është më mirë se disa nga vendet në zhvillim ish-komuniste të anëtarësuara së fundi, kërkon ta përdorë perspektivën e destabilizimit të vendit, që supozohet të jetë e padëshiruar për Perëndimin, si një licencë për të siguruar rritjen e ndihmës ekonomike për Greqinë. Kjo është arsyeja e tolerancës së çuditshme të policisë greke ndaj vandalizmave të protestuesve në rrugët e qyteteve greke. Kjo gjë vështirë se ka për të funksionuar. Perëndimi ka probleme të tjera, dhe destabilizimi i Greqisë nuk shihet me aq shqetësim sa gjatë Luftës së Ftohtë. Përndryshe destabilizimi që Greqia mund të bëjë në vendet fqinje shihet me shqetësim nga Perëndimi, posaçërisht nga SHBA, por jo në çdo pikë. Në Qipro Greqia tekefundit do të vetëpërmbahet se çdo aventurë atje e ve përballë Turqisë më të fuqishme. Në Shqipëri Greqia momentalisht nuk mund të bëjë ndonjë gjë të madhe në këtë situatë ndërkombëtare, aq më tepër tash që Shqipëria është anëtarësuar në NATO. Sa i përket Maqedonisë, Greqia nuk mund të bëjë më tepër se çka bërë, në rast se nuk dëshiron të ballafaqohet me një aleancë bullgaro-turke.
I vetmi vend ku Greqia mund të bëjë realisht ndonjë lloj diversioni është Shqipëria, aq më tepër që vendi është në prag të zgjedhjeve parlamentare. Berisha sigurisht nuk është ai për të cilin Greqia bën tifo në këto zgjedhje. Agjenda qeveritare e Berishës gjatë këtyre katër viteve e ka cenuar keq Greqinë në disa pika, si Rruga Durrës-Kukës, e cila cenon supremacinë e Portit të Selanikut, por edhe Rruga e Arbrit, e cila bën të njëjtën gjë. Por edhe disa akse rrugore në Shqipërinë e Jugut që Qeveria “Berisha” ka filluar t’ i ndërtojë ose planifikon t’ i ndërtojë, janë krejt të papëlqyeshme për Greqinë. Greqisë i konvenon që rrjeti rrugor i Shqipërisë së Jugut të jetë i ndërtuar në atë mënyrë që qytetet e Shqipërisë së Jugut të jenë më afër qyteteve të Greqisë së Veriut se Tiranës. Nga kjo pikëpamje, Rruga Kardhiq-Sarandë, aksi i Jugut Tiranë-Elbasan-Berat-Tepelenë, by-pass i Fierit, Rruga Levan-Tepelenë, ndërtimi i segmentit që anashkalon Qafë-Thanën dhe Qafën e Plloçës, duke shkurtuar ndjeshëm rrugën Tiranë-Korçë, janë krejt të papëlqyeshme për Greqinë.
Edhe më shqetësuese është për Greqinë perspektiva e ndërtimit të një korridori të ri që do të lidhte Vlorën me kufirin maqedonas në itinerarin më të shkurtër, me një tunel në Qafë-Thanë, çka do ta shkurtonte shumë rrugëdaljen e Maqedonisë në det, në një port të madh mesdhetar, duke e bërë definitivisht të pavarur ekonomikisht nga Greqia. Greqia do të ishte e lumtur që qeveria shqiptare e paszgjedhjeve, jo vetëm të shtynte përfundimin e sa më tepër nga projektet rrugore që kanë filluar të zbatohen, por të mos fillonte të tjerët. Sigurisht që Athina nuk ia ka besimin Berishës për këtë gjë, prandaj do të donte që ta shikonte në opozitë. Në fakt Berisha e meriton që të dalë në opozitë dhe këtu nuk do të kishte asgjë për t’ u shqetësuar, nëse SHBA do ta detyrojnë një qeveri të majtë të paszgjedhjeve që t’ i vazhdojë këto projekte rrugore me seriozitet.
Edi Rama ka bërë gjithçka për t’ i dhënë të kuptojë Athinës se, ndërsa ai është i detyruar që të bëjë për dukje një politikë patriotike, në fakt do të jetë i dëgjueshëm ndaj Athinës. Kjo u duk kur Edi Rama, pasi vizitoi Kosovën në 28 nëntor të vitit të kaluar, shkoi në 30 nëntor në Athinë, pasi ndaloi në Tiranë për të festuar 29 nëntorin. Edhe më domethënëse bëhet ky gjest i Edi Ramës po të kihet parasysh se vizita e Edi Ramës në Greqi në nëntor 2008 u bë në kohën që Presidenti Topi gjendej në vizitë zyrtare në Turqi, dhe se Edi Rama kishte qenë në Athinë para pak kohësh në qershor të atij viti. Nëse Edi Rama vjen në pushtet për të ndërprerë projektin tashmë të filluar për akset e reja rrugore në Shqipëri, kjo do ta kompromentojë përfundimisht politikën amerikane në Shqipëri në sytë e atyre shqiptarëve që vërtet e duan vendin dhe SHBA.
Nuk duhet harruar se festimi i ndarë për hyrjen në NATO që bëri Edi Rama para pak ditësh, u shndrrua në një sondazh që me pjesëmarrjen në Sheshin “Skënderbej” në ditën e parë të festës së Ramës dhe në ditën e dytë të festës së Berishës, tregoi qartë se ata që mbështesin Edi Ramën nuk janë aspak entuziastë për hyrjen në NATO, ndërsa festojnë me kënaqësi përvjetorin e Konferencës së Pezës, apo edhe 29 nëntorin, kur në fakt erdhi në pushtet qeveria që e futi vendin në Traktatin e Varvashavës, kundërshtarin historik të NATO. Në Athinë sigurisht nuk janë të kënaqur nga hyrja e Shqipërisë në NATO dhe do ta kishin penguar atë, sikur të mos qenë të zënë me pengimin e Maqedonisë. Në Athinë e dinë mirë se infrastruktura adapte me relievin e vendit është parakushti që një vend të përfitojë nga situata që i krijon hyrja në NATO, dhe do të bëjnë gjithçka që ta pengojnë Shqipërinë që ta ketë këtë, duke i parë zgjedhjet e ardhshme si fushëbetejën për këtë gjë.


kmyftaraj@yahoo.com
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi