Teki Dervishi:Aleksandra George: “EULEX-i është mision teknik”

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Teki Dervishi:Aleksandra George: “EULEX-i është mision teknik”

Mesazh nga Agim Gashi prej Fri Apr 10, 2009 9:09 pm

Aleksandra George: “EULEX-i është mision teknik”

Teki DËRVISHI


Dy indikatorë janë ata që shkatërrojnë shtetin: ndërhyrja e politikës në drejtësi, dhe 2. drejtësia në shërbim të politikës. Ekzistojnë lloje “të politikave”, por jo edhe “lloje të ligjeve” brenda një shteti. Lloje të ligjeve ka aty ku ato u përshtaten “llojeve të politikave” që natyrshëm konfrontohen. Nëse gjithnjë spikatet sintagma “shteti i ligjit”, në këso “rastesh” konflikti i ligjeve e antagonizon shtetin. Shteti nuk ekziston jashtë ligjit, Kushtetutës. Emri i shtetit është Kushtetuta, pa marrë parasysh a është ajo kushtimisht kualitative demokratike apo teknokratike (bën që jep një definicion marksist të një lloj shteti si ai që “është në duart e klasës sunduese për ta eksploatuar klasën e shtypur”. Ndaj kushtetutat apriori nuk garantojnë domosdoshëm “shtet të ligjit”, sepse ato mund të “modifikohen” (ndryshohen) në bazë të zhvillimeve të proceseve politike-ekonomike, por Kushtetuta “e keqe” ekzistuese duhet të mbrohet si e tillë (derisa të ndryshohet), përndryshe realisht nuk ekziston shteti. Nuk ka shtet me tri Kushtetuta që ofertojnë “shtete ligjesh” të aplikueshme ose të paaplikueshme.
Duke e ditur se ligji nuk mund të imponohet nga “kriteret” e politikave, drejtësia evropiane në Kosovë më së lehti e pati ta shpallë zyrtarisht misionin e saj (EULEX-in) si “mision teknik”, siç e pagëzoi zëdhënësja e EULEX-it këtë mision. Konfuzioni juridik: ligji qëndron mbi shtetin, e jo shteti mbi ligjin. Meqë EULEX-i nuk e pranon shtetin e Kosovës, atëherë si mund ta “mbrojë” ai ligjin kur nuk e pranon shtetin, faktikisht Kushtetutën duke u vendosur mbi të “teknikisht”, duke i lënë të lira të veprojnë ligjet jo të sistemeve juridike, por shteteve të ndryshme brenda këtyre sistemeve. Mënyra(t) si i “liron” ligjet që ato të zgjidhen nga gjykatësit, shpjegon mënyrën si do të zbatohet “ligji”, pra sipas kritereve të “ligjmbrojtësit” të lloj-lloj ligjeve brenda një shteti (!) Pra kriteri i ligjmbrojtësit tashmë është publik: do të funksionojnë si edhe deri sot të gjitha ligjet e shteteve të llojllojta në Kosovë.
Zëdhënësja Aleksandra Georg thotë se “EULEX-i nuk ka autoritet ligjor për të mbledhur taksa në veri” (thuajse dikush ka kërkuar që EULEX-i të shndërrohet në organizatë doganore) “derisa të merret vesh se cili ligj i aplikueshëm duhet të mbizotërojë atje” (në veri). Analiza e fjalive të kësaj zonje do të na shpinte në një det abstraksioni që është i projektuar me qëllim për ta komplikuar situatën që ndihmon Ban Ki-Moon-in të blejë kohë për imlementimin ilegal të 6 pikave të tij.
Pengesa për shtetformim të Kosovës është arritur mrekullisht duke e injektuar opinionin e gjerë me përhapjen e viruseve mediale të “epidemisë optimiste” të qytetarëve. Ja qëndrimi ndërkombëtar: pavarësia “nuk do të zhbëhet”. Po them edhe unë, por derisa dikush (!!!) t’ia bëjë me dije EULEX-it se cilat ligje janë (apo nuk janë) të aplikueshme. Na infekton me optimizëm edhe zoti Ahtisari që këto ditë tha se edhe Rusia (herë do kurdo) do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, që do të thotë Kushtetutën. Atëherë drejtësia evropiane do ta ketë të qartë se cilat ligje janë të aplikueshme në Kosovë. Ndërkohë “derisa të merret vesh” kjo punë – sendërtimi i shtetit “në gjashtë pika” është lënë në vullnetin e gjykatësve (ish-udbashë ose aktualisht serbë), që pranojnë shumë shtete ballanike, por nuk i respektojnë ligjet që dalin nga Kushtetuta e Kosovës.
Metoda e fashizmit dhe e komunizmit është e njohur për të gjithë, është kjo: “e sakrifikojmë të sotmen, për hir të ardhmërisë”! E prodhojmë armikun e jashtëm, prej të cilit na mbron Internacionalja Ndërkombëtare, që sot quhet OKB. Ligji evropian në Kosovë vepron nën ombrellën internacionale që quhet Këshilli i Sigurimit, 1244. Si u arrit kjo “gjendje stabile” në Kosovë? Mungesa e projektit kulturor shkatërron shpirtin, zhbën identitetin, të heqë dorë nga trashëgimia, ta harron emrin! Mungesa e projektit ekonomik bën papunësinë, varfërinë, analfabetizmin, epidemitë, të gjitha këto që sot janë realitet në Kosovë. Këto karakterizojnë shtetin pa ligj, anarkinë.
A ka Kosova projekt si të mbrojë sovranitetin e saj, të cilin e kanë pranuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Apo kujtojmë se veç kur të na pranojë OKB-ja bëhemi Shtet Sovran? Pikërisht në shtetet që janë sovrane dhe anëtare të OKB-së, në Afrikë e Azi, atje ende ushtrohet gjenocidi ekonomik, biologjik dhe kulturor! OKB-ja është Purgatori i botës moderne. EULEX-i është nën ombrellën e OKB-së. Zyrtarisht.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Opinioni shqiptar në shtetin ideal të mediave

Mesazh nga Agim Gashi prej Fri Apr 10, 2009 9:10 pm

Opinioni shqiptar në shtetin ideal të mediave

Teki DËRVISHI


Një zyrtar i lartë thotë se nuk do të veprojmë si thonë mediat. Kjo apriori do të dëshmonte një qëndrim konsekuent ligjor të organizatave politike, pra dëshmon një fakt se mediat nuk janë nën ndikimin e shtetit. Por përjashtimi i opinionit është bërë pikërisht duke e falsifikuar atë në analizat “futuriste” (sovraniteti si ardhmëri) të medias. Kështu si nuk përfillet dhe nënçmohet opinioni, nëse relacionet vihen në (mos)marrëdhëniet “parimore” të editorëve me përfaqësuesit e stafit të parë të organizatave politike ose atyre publike, pse këto (mos)marrëveshje nuk ia dolën t’i eliminojnë viruset e lidhjeve klanore dhe nepotiste që i koordinon nëntoka dhe që sot e “këshillojnë” shtetin?
Në demokracitë e eksportuara me tranzitin politik në gjitha vendet e Lindjes, mafia atje u shndërrua në pushtet dhe shtet (Rusi, Ukrainë, etj., etj., etj.), ose pushteti dhe shteti u shndërruan në mafi, në të ashtuquajturat “banane republikë”. Pas pavarësisë pa sovranitet, a po ecën drejt këtij kursi edhe Kosova? Këtë shkatërrim të shtetit e konstruktojnë moderatorët e huaj ideologë ndërkombëtarë, kurse media indoktrinon “situatën stabile” të degradimit permanent të shoqërisë. “Konfrontimi” i medias me shtetin trillon një “opozitë false” si sfidë që kinse i bëhet autokracisë reale. “Grindjet” “zënkat” “akuzat” bëhen vetëm për t’i dhënë shanse shtetit të deklarohet i korrektuar prej tyre, dhe ato kapen në çështje periferike të destruksioneve shoqërore, derisa media “nuk sheh” se si shteti fundoset në ambisin e josovranitetit, varfërisë, okupimit parcial, kuislingitetit ndaj të huajve, akulturimin permanent, etj. Kjo metodë e destruksionit është “përvjedhur” tinëzisht për dhjetë vjet. Nëse media qenka e pavarur, a nuk ka pasur kohë qe dhjetë vjet t’i çjerrë maskat e destruksionit “ndërkombëtar” dhe të tregojë se argatë të këtij destruksioni dhe dekadence, këtij “moderniteti evropist”, kanë qenë shtetarët nën kthetrat e “këshilltarëve” klanorë nepotistë.
Pse kemi shtet të tillë? Sepse “bashkësia” dhe “ndërkombëtare” për të qëndruar një dekadë në Kosovë, dhe për ta zvarritur zgjidhjen e “çështjes ballkanike”, është dashur ta manipulojë opinionin. Veprimet e shtetit, i triumfalizon media. Nganjëherë kritikon për “situatën” p.sh në “shëndetësi”, derisa miliardat e Kosovës zhvaten në banakët e huaj dhe derisa ndërmarrjet e mëdha publike bien në duart e mafies ndërkombëtare, derisa Serbia punon, kurse Kosova e furnizon me konvertibilitet fiskal. Por këto shteti nuk i konsideron probleme, mediat e tij “problematizojnë” teatrot komunale pa buxhet. Si në Kolumbi. Kështu po vazhdon edhe sot, që të qëndrojë këtu “bashkësia” dhe “ndërkombëtare”, përfaqësuese e Serbisë edhe për dhjetë vjet të tjera, andaj duhet të durojmë se po na kërcënon Pashallëku i Beogradit, na kërcënon i fundosuri në degradim ekonomik dhe fashizëm politik, i Sëmuri i Ri i Ballkanit.
Ditëve të fundit po vërehet përsëri një përpjekje për t’i ruajtur pozitat e “këshilltarëve” të shtetit, veglat e mundimit kulturor, konceptualistët e pantomimës kulturore, automatët e futjes së dyllit në veshët e opinionit, këta që bëjnë art për shurdhmemecë, pa fjalë, që të mos dallohet se flasin shqip.
Pse? Sepse këta instruktorë i marrin detyrat diku tjetër, dhe haptas, tek organizatat “ndërkombëtare” në Kosovë (në zyrat e të cilave flitet anglisht-serbisht) dhe nëse “paparacët” e medias nuk ia dalin t’i fotografojnë, kjo ndodh për shkak se shtiren që nuk e kanë të qartë se puna, veprimi dhe projekti që zbatojnë këta “këshilltarë” përputhet me projektin “ndërkombëtar” dhe “botëror”. “Botëror” dhe “ndërkombëtar” që e shkelin sovranitetin, e copëtojnë Kosovën, konservojnë tri sisteme paralele juridike, dhe stimulojnë rivitalizimin e ekonomisë së shkatërruar të shtetit serb, e cila sot aq sa ekziston, ekziston në kurriz të shtetit të kolonizuar të Kosovës. Shtetin sot e ka në dorë “zyra e këshilltarëve” që dhjetë vjet më parë i trajnoi zyra e “standardeve para statusit” dhe i afirmoi media, e cila tash nuk flet dhe nuk shkruan më për destruksionet e tyre.
Shteti shtiret se edhe pas kësaj “situate stabile” ende nuk e ka të qartë se këshilltarët që luajnë rolin e ministrave, me çelësin francez të lidhjeve, preferencave dhe trysnive që ka bërë media një vit më parë, ajo i ka vendosur këta në postet e këshilltarëve, duke vërtetuar kështu se mbi shtetin është një pushtet tjetër
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi