Xhesika Vula:Merdare Dheu i Bardhë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Xhesika Vula:Merdare Dheu i Bardhë

Mesazh nga Agim Gashi prej Thu Jan 19, 2012 1:08 am


Xhesika Vula:Merdare Dheu i Bardhë
--------------------------------------------------------------------------------

Thirrja e Lëvizjes vetëvendosje për ta ndaluar dhe për t’ua bllokuar hyrjen kamionëve me mallra që hyjnë përditë nga Serbia në Kosovë, nuk ka kurrfarë analogjie me veprimet e barrikaduesve serbë, në veri të Kosovës. Nuk mund të jetë veprim i njëjtë, për më tepër është krejtësisht i kundërt. Ndalimi në kufi i 300 kamionëve që hyjnë na Serbia në Kosovë, nuk nënkupton përpjekje për shkëputje të një pjese të territorit të Serbisë, por vetëm stopimin e Serbisë për të hyrë në Kosovë, ashtu sikur regjimi serb stopoi ministrin e Qeverisë së Kosovës për të hyrë në Serbi, sepse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk i lejon zyrtarët e vendit tonë të hyjnë në Serbi, dhe Qeveria e Kosovës lejon pa asnjë pengesë jo vetëm ministrat por edhe luftënxitësit madje edhe vetë kreun e shtetit, Boris Tadiq.
Në asnjë segment nuk mund të bëhen barazime të qëndrueshme të veprimeve të paralajmëruara të Vetëvendosje dhe veprimeve kundër shqiptare, kundër NATO-s dhe kundër BE-së, të serbëve të armatosur me armë zjarri, në veri të vendit tonë, para të cilëve mjerisht janë dorëzuar edhe forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Janë 100 arsye për të protestuar kundër Serbisë dhe këtë e dinë mirëfilli edhe të gjithë politikanët, deputetët dhe policët e Kosovës, këtë e di çdo shqiptar liridashës i vendit tonë. Por a mjafton vetëm kjo?
Natyrisht se nuk mjafton, meqë shumica shqiptare në Kosovë tashmë është pajtuar me sovranitetin që vjen nga selia e BE-së, në Bruksel, ashtu sikur dikur e në një kohë, kishte pranuar edhe sovranitetin e Jugosllavisë e të Serbisë.
Edhe asokohe: Ali Shukria, Azem Vllasi e Rrahman Morina na kërcënonin se kurrë nuk do ta bënim Kosovën Republikë, as me hatër as me dhunë. Edhe në fillimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare na thoshin se ishim dorë e zgjatur e regjimit serb, se ishim kundër Ibrahim Rugovës, kundër Sali Berishës, madje edhe kundër Amerikës.
Anatema po bie mbi vetëvendosjen dhe të gjithë ata që kanë vendosur të dalin në Merdar për t i thënë Serbisë, mjaft më na shkele, mjaft na përbuze, mjaft na ke vrarë dhe na ke nëpërkëmbur. Ata që mendojnë se këto veprime nuk i meriton Serbia, ata që po mundohen të na bindin se dialogu me Beogradin është në dobi të Prishtinës, ata që po mundohen të na bindin se nuk guxojmë të ndërmarrin asnjë veprim ndryshe, janë pikërisht ata që kanë përfituar dhe po e marrin yndyrën e fitimeve nga 300 kamionët e Serbisë, që brenda një dite futen në Kosovë. Ata janë për çdo mallkim. Paragjykimi se do të ndodh hataja, është paragjykim kobndjellës, sepse ende nuk ka ndodhur asgjë dhe tekefundit Lëvizja Vetëvendosje, do të detyrohet të korrigjojë veprimet, edhe pse krejtësisht të drejta, krejtësisht të ligjshme, krejtësisht të natyrshme, por krejtësisht kundër të gjithëve. Dhe ky është një pozicion që kërkon shumë sakrificë dhe shumë mençuri.
Në një rast të tillë, Lëvizja Vetëvendosje do të kalojë edhe një sprovë të rëndë, por nuk do të gjunjëzohet. Ajo do ta kuptojë mirëfilli se ishte shumë më mirë atëherë kur ishte Lëvizje e mirëfilltë dhe jo sot Lëvizje dhe parti parlamentare. Do ta kuptojnë mirëfilli se me gjuhën nxitëse të një segmenti brenda vetvetes kanë irrituar dhe do të irritojnë anëtarësinë dhe simpatizantët.
Lëvizja Vetëvendosje, më 14 janar do të ndodhet para sfidave vendimtare. Aktualisht është para sfidës hamletiane dhe do ta ketë shumë vështirë ta ruajë krenarinë e fituar nëpër barrikada paqësore, nëse për shkaqe krejt objektive detyrohet të tërhiqet. Sot kur Vetëvendosja llogarit se është më e fortë se kurrë, sot është më e dobët se kurrë, jo sepse nuk ka të drejtë, por sepse veprimi edhe në rrugë edhe në Parlament është veprim i pamundshëm.
Kemi prirje të besojmë se më 14 janar nuk do të reprizohet 10 shkurti i vitit 2007, sepse në radhët e Policisë së Kosovës nuk ka policë rumunë, as policë nga serbia, por ka vetëm policë shqiptarë, të cilët do të duhej të vepronin me ndërgjegjen më të thellë të mundshme patriotike, sepse ata, në raste si këto, ndodhen mes kullës dhe çekanit.
Pavarësisht qëndrimit tonë kundërshtues ndaj një segmenti konfliktuoz brenda Vetëvendosjes dhe mospajtimit me disa metoda të veprimit, stafi i Radios-Kosova e Lirë e përkrah fuqishëm këtë protestë, sepse të protestosh kundër dominimit të një shteti, i cili të ka përgjakur dhe të ka masakruar 90 vjet, të protestosh kundër një shteti i cili zotohet se kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë, se kurrë nuk do t’iu kërkojë falje shqiptarëve, për krimet e shëmtuara që kanë kryer të gjitha regjimet serbe deri te ky i Tadiqit, se nuk zbardh fatin e më shumë se 1800 të zhdukurve të kidnapuar dhe të djegur nëpër shkritoret e Serbisë gjatë dhe pas luftës, protesta kundër një regjimi të tillë, në radhë të parë është detyrë patriotike, aq më tepër kur ndalimi i futjes së mallrave të Serbisë e dëmton sadopak këtë shtet, që po mban qëndrim konstant armiqësor kundër shqiptarëve dhe kundër të gjithë jo serbëve, në Ballkan.
Konsiderojmë se kjo protestë dhe të tjera të këtij lloji nuk janë të drejtuara kundër Qeverisë së Kosovës, meqë Qeveria dhe Kuvendi po tregohen të paaftë ose të pavendosur për të ndërmarrë masa reciprociteti.
Nëse Vetëvendosja dështon në këtë rast, dështon në masë edhe pavarësia e Kosovës, e cila edhe më tej do të vazhdojë t’ i bindet verbërisht të gjitha këshillave ndoshta edhe presioneve të heshtura të BE-së.
Në një rast të tillë, nëse për të gjitha çështjet tona të brendshme dhe të jashtme, duhet të pyesim Kuperin, Lunaçkun, Pakun, Gjentilinin, Fajtin e të tjerë si këta, Kosova realisht po e merr statusin e një Republikë e varur nga Brukseli dhe të mos ushqejmë iluzione se mund të ndërtojmë shtet autonom, derisa Bashkimi Evropian në emër të parimeve të veta ( që i konsideron universale) na shtyn drejt Serbisë, apo ia hap rrugën Serbisë për t’ u kthyer në Kosovë, në emër të tregtisë dhe qarkullimit të lirë të mallrave dhe të njerëzve.
Serbia duhet të stopohet përgjithmonë në Merdar, përderisa nuk kemi arritur ta stopojmë “prej Prokupjes deri në Nish”.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi