Dush Gashi:Një Kosovë tjetër

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Dush Gashi:Një Kosovë tjetër

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat Feb 25, 2012 8:35 pm

Një Kosovë tjetër



Dush Gashi

Në një javë emocionesh të bujshme, gjatë së cilës një popull i tërë po e (ri)mësonte në mënyrën më të çuditshme të mundshme kuptimin e një shenje të rëndomtë tipografie të quajtur fusnotë, sikur mbetën pa jehonën e duhur reagimet e dy personaliteteve të vendit, të cilat, së paku në rrafshin simbolik, na bëjnë të mundshme të shohim se një Kosovë tjetër, çfarë e dëshirojmë dhe e presim me kot tërë këto vite të lirisë, megjithatë mund të bëhet realitet.

I pari erdhi nga Prekazi.

"Kosova është larg prej asaj, për të cilën kanë sakrifikuar breza të tërë...”, tha Murat Jashari, me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Nuk është se ky vlerësim nuk është dëgjuar më parë në këto vite dhe nuk është se me vërtetësinë e tij nuk përballen përditë mijëra familje kosovare. Vendi prej nga u tha dhe njeriu që e tha e bën atë të ketë gjëmimin e rrufesë për së kthjellti. Në degradimin e gjithçkasë në këtë vend, ku intelektualët apo ata që megjithatë konsiderohen si autoritete morale së pari e shfaqin haptas përkatësinë ndaj ndonjërit krah politik, e pastaj japin vlerësime dhe presin që ne edhe të besojmë në objektivitetin e tyre, deklarimi i tillë i përfaqësuesit të familjes Jashari, - autoriteti moral i së cilës ka mbetur i pacënuar jo vetëm për shkak të kaluares së saj të dhimshme e të lavdishme njëkohësisht, por edhe për shkak të qëndrimit të përmbajtur të saj tepër dinjitoz tërë këto vite të pasluftës, - e thyen pamëshirë një parim fisnor, të bartur në politikën tonë: secili me kopenë e vet, e mirë a e keqe qoftë ajo.

Nga “kopeja” po përpiqet të dalë edhe Ridvan Hoxha, prizrenasi.

Këshilltar opozitar i kuvendit, ai gjatë verës së kaluar i ka denoncuar në prokurori dy zyrtarët më të lartë të komunës, pjestarë të partisë në pushtet, nën dyshimin se kanë tjetërsuar në mënyrë të kundërligjshme pronën publike. Këtë javë, ai ka denocnuar edhe katër zyrtarë të tjerë, për të cilët ka thënë se dyshon të kenë bërë “shkelje flagrante dhe të qëllimshme” të ligjit. Këtë herë, në mesin e të denoncuarve ai do të renditë edhe një bashkëpartiak të tij, duke dëshmuar kështu se veprimi i tij i parë, si dhe ky i tashmi, nuk paraqesin kurrëfarë loje politike, por janë shprehje e vetëdijes dhe e guximit qytetar që të bardhës t’i thuhet e bardhë dhe të zezës e zezë, pavarësisht se kujt i përket.

Është e çuditshme në këtë rast se, në vend që dega e tij partiake t’i dalë në mbështetje, ajo e ka bërë të kundërtën – e ka ndërruar atë nga funksioni i anëtarit në Komitetin për Politikë dhe Financa në KK-në e Prizrenit. Edhe më i çuditshëm është reagimi i bashkëpartiakut të tij të denoncuar, i cili edhe falsifikimin eventual të dokumenteve - për çka e akuzon Ridvan Hoxha – e konsideron “çështje të brendshme të një subjekti politik”!

Por, mbajeni mend këtë rast, sepse ai duhet të jetë një test i madh dhe serioz edhe për organet qendrore të LDK-së, të cilat Ridvan Hoxha ka bërë të ditur se i ka njoftuar për gjithëçka ka bërë. Mbështjetja apo flijimi në një rast kaq të dijshëm i njeriut, i cili po përpiqet të të dëshmojë se një Kosovë “tjetër”, e rendit dhe e ligjit, është e mundshme, do të na bëjë të kuptojmë se sa vërtet është e gatshme edhe kjo parti për një Kosovë “tjetër”, për çka po përpiqen të na bindin përditë.

Do t’u besojmë më lehtë, kur të na bëjnë të kuptojmë se janë të gatshëm për një LDK “tjetër”.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi