Fatmir Sejdiu:Fitore e burrave të dheut!

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Fatmir Sejdiu:Fitore e burrave të dheut!

Mesazh nga Agim Gashi prej Mon Apr 20, 2009 2:09 am

Fitore e burrave të dheut!

FATMIR SEJDIU




Në këta katër muajt e parë të vitit 2009, kemi pasur shumë manifestime përkujtimore, në të cilat kemi shprehur nderimin tonë për heronjtë, dëshmorët dhe të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kemi shënuar shumë data të rëndësishme jubilare, shumë dhjetëvjetorë, në shenjë të përkuljes para njerëzve që i dhanë vulë historisë më të re të Kosovës. Sot, këtu në kryeqytetin e Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës, po i kujtojmë bijtë e Betejës së Koshares, prijësit e saj, Sali Çekajn dhe Agim Ramadanin, si dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tyre trima, të cilët hynë në përjetësinë e kombit duke e shembur njëherë e përgjithmonë murin e zi shqiptaro-shqiptar. Sali Çekaj, veprimtar i zellshëm politik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, jurist e ushtarak vizionar, u detyrua të largohej nga vendi, për shkak të presionit e të përndjekjes që i bënte regjimi okupues. Në Perëndim, bashkë me shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare, ai ishte ndër të parët që u mor me përgatitjen e rezistencës së armatosur, pasi që Serbia ia kishte mbyllur portën çfarëdo zgjidhjeje me mjete politike e paqësore. Edhe Agim Ramadani, poet e piktor me vokacion, ishte pajisur me të njëjtat virtyte njerëzore e atdhetare si Sali Çekaj. Agimi tregoi zotësi e trimëri të jashtëzakonshme në logun e luftës për lirinë e atdheut, duke u shndërruar në një model të luftëtarit e të prijësit të suksesshëm. E kemi thënë edhe më parë: njerëzit që kanë privilegjin e rrallë të kenë virtyte të tilla, siç i kishin këta dy luftëtarë të Kosovës, sipas traditës sonë të pasur etnokulturore, përherë janë cilësuar - burra të dheut! Fitorja në Betejën e Koshares ishte pa dyshim njëra ndër pikat më të shndritshme të luftës sonë për liri gjatë viteve 1998-’99. Ajo shënoi fillimin e fundit të pushtimit gati njëshekullor të vendit tonë nga Serbia, por njëkohësisht edhe sinjalin e qartë të rilindjes së Kosovës. Dhjetë vjet pas Betejës së lavdishme të Koshares, Kosova ka hyrë në vitin e dytë të pavarësisë së saj, duke i ndërtuar me kujdes të gjithë mekanizmat që e garantojnë funksionalitetin e shtetit dhe sigurinë e qytetarëve. Kemi krijuar Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila do të formësohet sipas standardeve më të larta të NATO-s, kemi krijuar Agjencinë e Inteligjencisë së Kosovës dhe Këshillin Kombëtar të Sigurisë, duke e rrumbullakuar kështu procesin e ndërtimit të institucioneve më të larta për sigurinë e vendit. Kosovën shtet të pavarur dhe sovran e kanë njohur 57 vende të botës, duke përfshirë këtu shtetet kampione të demokracisë dhe të lirisë së popujve, SHBA-të, shumicën e vendeve të BE-së, si dhe vende të tjera të fuqishme dhe me ndikim substancial në rendin politik dhe në ekonominë botërore, siç janë Japonia, Kanadaja, Australia, Turqia etj. Ndërsa ne presim njohje të reja, meqë edhe kemi marrë sinjale konkrete nga vende të ndryshme të botës, avokatët e pavarësisë së Kosovës i kanë deponuar argumentet tona të fuqishme në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Duke besuar plotësisht në përgjegjësinë e këtij institucioni të lartë ndërkombëtar, ne besojmë se Kosova do ta tejkalojë me sukses edhe këtë sfidë të vogël, në mënyrë që të hiqet përfundimisht hezitimi që kanë disa vende për ta njohur pavarësinë e shtetit tonë. Vargonjtë e shekullit të gjatë të një sundimi të egër që përjetoi populli ynë u këputën përfundimisht më 12 qershor 1999, ditën kur forcat e NATO-s zbarkuan në Kosovë. Që nga ajo ditë, vendi ynë ka bashkudhëtuar me miqtë ndërkombëtarë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Bashkimit Evropian dhe me vendet e tjera të botës demokratike, në një proces të gjatë e të mundimshëm për rindërtimin e Kosovës. Me gjithë sfidat e shumta që kemi pasur në këtë dhjetëvjetësh, me krenari mund të themi se misioni për të cilin ranë heronjtë e Koshares, Agim Ramadani e Sali Çekaj, dhe heronjtë e tjerë të luftës së fundit çlirimtare të Kosovës, si Adem Jashari, Zahir Pajaziti e shumë të tjerë, është përmbushur. Është përmbushur vizioni politik i Presidentit Rugova: Kosova është vend i pavarur, sovran dhe demokratik, shtet i të gjithë qytetarëve të saj të barabartë, me synime krejtësisht të qarta për të ardhmen - integrimin sa më të shpejtë në strukturat euroatlantike. Me punë të përgjegjshme, me durim dhe urtësi do ta jetësojmë edhe këtë ëndërr sublime të popullit të Kosovës dhe në këtë mënyrë do ta bëjmë të sigurt përgjithmonë të ardhmen e vendit tonë të dashur, Republikës së Kosovës, e cila ka ditur dhe do të dijë gjithmonë t’i nderojë bijtë që u sakrifikuan me aq madhështi për lirinë e saj.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi