Fahri Xharra:Pse na Quajne muslimane te lehte

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Fahri Xharra:Pse na Quajne muslimane te lehte

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat Nov 09, 2013 2:01 am


Fahri Xharra:Pse na Quajne muslimane te lehte
 

Ne shqiptarët myslimanë kemi praktikuar ato pak rite të mbetura nga okupimi shumëshekullor turko-islamik dhe jemi ballafaquar me problemet e vërteta të jetës, qoftë për një mbijetesë apo një jetë më të mirë. Vlerësimi i të huajve ishte se jemi “myslimanë të lehtë”. Por, çfarë u mendua kur na quajtën “myslimanë të lehtë”? Apo ishte thjeshtë një arsyetim për përkrahje.
Do të përmend disa nga faktet që neve na bëjnë “myslimanë të lehtë” e të njihemi dhe të pranohemi si evropianë të civilizuar.
Martesa ndërkushërinjsh: Është një fenomen i përhapur në botën islamike, diku i shprehur më shumë e diku më pak. Një zakon ky shumë i rrezikshëm për trashëgimi gjenetike që praktikohet edhe në ditët e sotme.
Gjatë qëndrimit tim me familje me vite në Marok, dadoja e fëmijëve, marokene në moshë të martesës, thoshte sa ajo e ka shumë vështirë të martohet sepse nuk ka kushërinj.
Martesa ndërkushërinore qëndron në atë se nëse vajza e vëllait të babës do të martohet me dikë tjetër jashtë familjes, duhet të marrë leje nga djali i axhës nëse ai është për martesë. Ajo duhet të marrë “bint` amnu-n” (djalin e vëllait të babës) ose në rrugën tjetër të marrë “ibën khal-in” (djalin e vëllait të nënës).
E gjithë Lindja e Mesme është e lidhur me këtë veti të keqe të kushtit të martesës.
Në Siri, martesat mes kushërinjve e mbërrin shkallën 70%, ndërsa, në Egjipt, 80% e martesave janë ndër kushërinj. Kurse, kryeqyteti Kajro është më shumë i modernizuar në këtë aspekt. Në Palestinen tradicionale, nëse vajza nuk ka “ibn-amnu” (djali i vëllait të babës) atëherë duhet të gjejë martesë me “ibn-khal” (djali i vëllait të nënës).
A i lejon Kur-ani këtë lloj martesash?
Po. Në sura An-Nisa (4:22-24) dhe sura Al-Azab (35:50).
Për rrezikun nga ky lloj martesash, është dhënë kohë më parë një lajm në BBC, për shkak se 55% e pakistanezeve të Britanisë janë martuar me kushërinjtë e parë. BBC raporton për rrezikun e madh të fëmijëve të lindur nga këto martesa me një sëmundje shumë të rrallë, por shumë serioze, e njohur si sëmundja e çrregullimeve recesive gjenetike. Pakistanezët britanikë kanë gjasa 13 herë më shumë se sa britanikët të sulmohen nga kjo sëmundje. Llogaritet që mbi 3% e lindjeve janë me çrregullime gjenetike (gjymtime të ndryshme).
Shqiptarët kurrë nuk e kanë pranuar këtë lloj të martesës, jo vetëm ndërkushërinore, por dhe as ndërfisnore.
Martesa me shumë gra (poligamia). Ligjet islamike në shumë shtete e lejojnë martesën ligjore deri me 4 gra. Shqiptarët myslimanë këtë rregull e kanë praktikuar vetëm kur gruaja e parë nuk ka lindur fëmijë. Edhe me këtë rast janë ndjekur parimet tona.
Mbytja e gruas, publikisht me gurë. Jo në të gjitha vendet myslimane, por në ato ku sundon sheriati, praktikohet kjo mizori e sipërshënuar për gratë moralisht të “pandershme”. Sipas këtij ligji, mjafton vetëm fjala e burrit që po e mashtron gruaja dhe këshilli islamik i qarkut e merr vendimin “kapital”. Ai s`ka nevojë për fakte e as për dëshmitarë, gruaja e merr dënimin e “merituar”. Shqiptarët myslimanë e kanë zgjidhur ndryshe nga ata këtë problem: thjesht shkurorëzohen.
Gjymtimi gjenital i femrave. Në botën islame të Afrikës, Lindjes së Mesme, në disa vende të Azisë, gjymtimi gjenital i femrave është thelbësor në ritualin që tregon, sipas besimit popullor, për kontrollimin e seksualitetit të femrës. Mosha e vajzave para aktit të gjymtimit luhatet varësisht nga regjionet. Llojet e gjymtimit janë: Excisioni ose “sunna”, Excisioni ose Klitorideiktania, Infibulacioni dhe Intracisioni.
Excisioni është një praktikë rituale që praktikohet në regjionet myslimane të Afrikës sahariane, subsahariane si dhe në Egjipt (95% të femrave), infibulacioni në Sudan, etj. Kjo praktikë nuk ka kurrfarë baze kuranore, por disa mundohen ta shpjegojnë ndryshe. Në një nga hadithet thuhet synetia është ”sunna” (obligim) për meshkuj e “makrumah” për femra (nder ose një gjest i lartë i nderit). Përndryshe, praktikimi i tillë në sferën arabo-myslimane është kontestuar në nëntor 2006 nga Universiteti Al-Azhar i Kajros. Vend referimi shumë i rëndësishëm fetar në botën islame ka lansuar një fatva që është kundër gjymtimit gjenital të femrave, të kualifikuar si krim i rëndë kundër njerëzimit dhe një sulm në vlerat e larta islamike.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron gjymtimin gjenital femëror si një shkelje të rëndë të të drejtave të femrave. Me këtë gjymtim, sipas OBSH-së, aktualisht jetojnë mbi 140 milionë femra në Afrikë, në disa vende të Azisë, në Lindjen e Mesme dhe në komunitetet myslimane të Amerikës Veriore dhe të Evropës.
“Operimet” e gjymtimit kryhen nga njerëzit e pakualifikuar dhe në kushte higjieno-sanitare të tmerrshme. Çdo vit, 3 milionë femra të reja presin për aktin e shëmtimit. Pra, edhe këtë shëmtim shqiptarët myslimanë nuk e kanë përvetësuar.
Plisi dhe kapuçi i qëndisur. Përkundër shekujve të shumtë dhe perandorive të shumta që kanë rënduar mbi qenien tonë, plisi si element i kësaj qenie i ka bërë ballë zhdukjes. Plisi është përbërja e veshjes kombëtare shqiptare e trashëguar nga paraardhësit tanë pellazgo-ilirë. Dëshmi e lashtësisë së plisit shqiptar janë edhe pikturat dhe skulpturat antike të gjetura aty ku kanë jetuar pellazgët. Por, ku po shkon krenaria jonë? Plisi po zëvendësohet me të ashtuquajturin kapuç i qëndisur i bardhë.
Shamitë dhe shqiptaret. Në një shkrim të mëhershëm pata cekur se në Bejrut të Libanit po organizohen marshime për heqjen e shamisë në shkolla dhe në vende publike. Turqia në fillim të shekullit njëzet e pat hequr me dekret bartjen e shamisë bashkë me shahun Pahlavi në Iran.
Edhe në Tunis, Habib Burgiba e pat ndaluar mbajtjen e shamisë në vende publike. Në Marok, mbreti i atëhershëm Muhamedi i V-të, me shpalljen e pavarësisë së vendit, i pat kërkuar publikisht bijës së tij që të heqë shaminë dhe vellon. Në Afganistanin parataleban, më urdhër të Mbretit, bartja e veshjes myslimane nuk ishte e obliguar. Në Algjeri gjithashtu.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë dhe në Shqipëri, komunistët e hoqën shaminë dhe ferexhenë pa dhunë nga kokat e shqiptareve.
Në Kor`an, në Suren 24,30-31, thuhet se femrat në qytet duhet të bartin shaminë e kokës “khimar” dhe me të të mbulohet edhe gjoksi. Duhet të mbulojnë gjinjtë e jo të sillen si femrat e fiseve e viseve tjera që zhveshin gjinjtë për të ndërsyer luftëtaret në betejat ndërfisnore. Duhet cekur se “khimari” është një pjesë e veshjes arabe si për femra e ashtu edhe për meshkuj.
Kurse, Surja 24,60 saktëson që femrat pas moshës së klimaksit mund ta heqin “khimarin” nëse duan. Për fundamentalistët, suret mbi hixhabin (shamia, ferexheja) e kanë vlerën obliguese.
Femrat që pas një kohe kanë pasur mundësinë t’a heqin shaminë ose ferexhenë e konsiderojnë atë si mbyllje (burgosje), si ngufatje. Ato thonë se besimi është në kokë e jo mbi kokë, si etiketë e një malli tregtar.
Shkolla është një vend i formimit e i edukimit të qytetarëve të rinj për t`i përgatitur të jetojnë në një shoqëri laike me respekt të lirisë fetare. Në shkollat tona në Kosovë ka katolikë, myslimanë dhe të padeklaruar, ata janë aty të jetojnë si njerëz të lirë në të gjitha pikëpamjet fetare. Në Kosovë, bartja e shamisë u imponohet vajzave të reja, qoftë nga familja, qoftë nga bashkëfetarët. Ajo shpreh një përulje jo ndaj Perëndisë, por ndaj presionit të rrethit. Bartja e shamisë në Kosovë shpreh manifestimin e një integrizmi fetar e që është i rrezikshëm për ne, pasi këtu jemi edhe jomyslimanët të një kombi, gjuhe dhe historie.
Stigmatizimi i femrës myslimane në Kosovë është një fenomen i ri i shfaqur pas luftës së fundit dhe debati lidhur me shaminë islamike i ka dhënë shoqërisë një dimension të ri.
E kisha përfunduar me thënien e zonjës Wassilia Toukali, presidente e Forumit Mesdhetar të Grave, Alzher: “Të luftosh kundër shamisë nuk është të sulmosh fenë. Ta mbrosh atë është të vesh në pikëpyetje barazinë e femrës dhe të mashkullit. Një fjalë e urtë arabe thotë se në rast të rrezikut rruga e mesme të dërgon drejt e në zhdukje”. Të thuhet ndryshe, nëse “fillojmë me negociata, e patëm”.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi