FIGURA TË KOMBIT

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

FIGURA TË KOMBIT

Mesazh nga Agim Gashi prej Thu Jul 10, 2014 11:55 am

FIGURA TË KOMBIT


Këtu u vra At Shtjefen Gjeqovi


Në 101-vjetorin e vrasjes së Atë Luigj Palaj

Atë LUIGJ PALAJ - MARTIR I FESË DHE I ATDHEUT

Pas maltretimeve që ia bënë Atë Luigj Palajt kriminelët malazias, e detyruan atë të ecte zbathur nëpër të ftoftë, derisa të mos "pendohej" për ta lënë fenë e tij katolike. Pastaj, kinse për ta mëshiruar i thanë që t’i merrte besimtarët e vet, por Atë Luigji iu përgjegj se “që të gjithë janë vëllezërit e mi, sepse të gjithë janë shqiptarë”. Po ashtu, provuan ta thyenin edhe duke ia prerë dy gishtërinjë të dorës së djathtë, që të mos kryqohet me pesë gishtërinjë

Shkruan: Frrok KRISTAJ

Sot, ditën e premte, më 7 mars 2014, do të gjendemi në Kishën e Pajtorës sonë të lashtë të Epirit Verior, Zojes shën Prene, që u martirizua për ne, që sot të jemi në këto troje.
Në këtë ditë do të gjendemi pranë varreve të të parëve, e mbi të gjitha pranë varreve të martirëve tanë, që u martirizuan për fe e atdhe. Në veçanti, sot do ta përkujtojmë meshtarin e devotshëm, Atë Luigj Palajn, që u vra nga dora e kriminelëve sllavë (serbo-malazias) vetëm e vetëm që nuk lejoi që shqiptarët, pa dallim besimi, të konvertohen në ortodoks, përkatësisht sllavë.
Pikërisht, sivjet, më 7 mars bëhen 101 vjet, kur Atë Luigj Palaj u vra në Janosh të Gjakovës. Ai ishte shuguruar në Zym të Hasit. Sot shpirti i Pater Luigjit udhëton drejt shenjtërimit.
Në ditën e sotme do të gjendemi në Shëngjergj edhe pranë martirëve të kulturës shqiptare - Atë Shtjefën Gjeçovit, Katarina Josipit, Anton Pashkut, Hermina (Delhysa) Lekajt, pastaj mësuesit Gjon Dulaj, martirit të Luftës Çlirimtare të Kosovës Kolë Gjevelekajt, e shumë të tjerëve. 
Të gjithë këta martirë na kanë mbetur emra në zemra.
Dikur Dardania, përkatësisht Iliria ishte lëteri i Evropës. Megjithatë, për shkak të shumë trazirave që u zhvilluan në këto troje, ne e braktisem perëndimin me ikje nga vetvetja, kurse e pushtuam perëndimin me ikje nga atdheu.
E sot po i mbledhim copat e historisë së shpirtit. Bile, koha po ecën e ne ende nuk po arrijmë te vetvetja. Nga kjo del se ripagëzimi ynë kulturor na bënë ta kërkojmë identitetin që e artikulon ardhmërinë tonë.
I madhi Ibrahim Rugova, që ishte njeri i rezistencës dhe i ekzistencës, thoshte: “Çdo gjë është prishur, tash kërkohet e veçanta”. Ta gjejmë atë!

Atë Luigji meshtar dhe atdhetar
Vargu i klerikëve shqiptar të Kishës Katolike është i gjatë, të cilët në kohëra të ndryshme u nëpërkëmbën, u përndoqën, u përsekutuan dhe u vranë mizorisht nga armiqtë shekullor të këtij vendi. U martirizuan ata për fe dhe atdhe. Në tempullin e flijimit për atdhe gjithësesi se zë vend edhe Atë Luigj (një variantë e këtij emri është edhe Luz, përkatësisht Allojz) Palaj (Sopaj, e gjejmë edhe si Paliqi), i biri i Tomës dhe i Paulinës, që u lind në Janjevë (Kosovë), më 21 shkurt 1878.
Zhgunin e shën Françeskut e veshi më 23 shtator të vitit 1896, kur edhe e ndërroi emrin e pagëzimit nga Matë në Luigj, sepse ishte përkushtuar ta ndjekë shembullin e jetës së shën Luigj Gonzages-it. Kushtet e para rregulltare i dha më 28 shtator 1897, përkatësisht kushtet e përjetshme më 26 prill 1901. Pas shugurimit meshtarak (në Zym të Hasit, më 20 prill 1903), në Romë kreu studimet pasuniversitare. Gjatë viteve 1905-1907 shërbeu famullitar në Arqipeshkvninë e Shkodrës. Më pas kaloi në Gjakovë (1907-1912) ku ishte emëruar rektor i shenjtërorit shën Antonit, e më vonë shërbeu në famullinë e Pejës dhe të Gllogjanit të Lugut të Baranit.
Në vazhdën e terrorit të paparë malazez në trojet e okupuara shqiptare, Atë Luigj Palaj u mor në shenjestër dhe u arrestua vetë i gjashtëdhjeti. Akuzohej gjoja për zhvillimin e propagandës në popull për mosdorëzimin e armëve dhe për t'u ngritur kundër malaziasëve, të cilët i konvertonin shqiptarët pa dallim besimi në ortodoksinë sllave. 

Atë Luigjit ia pren dy gishtërinjë që të mos kryqohej me pesë 
Në fakt, malaziasit e kishin burgosur Atë Luigj Palajn sepse ky meshtar i devotshëm u paraqiste pengesë të drejtpërdrejt për konvertimin me dhunë të shqiptarëve të besimit katolik dhe mysliman në fenë ortodokse sllave. Frati i Kishës së Gllogjanit në Lugun e Baranit - Atë Luigj Palaj, vazhdimisht qendronte në mesin e grigjës së tij, duke i forcuar shpirtërisht dhe duke iu dhënë zemër që t'i përballojnë torturat e pushtuesit serbo-malazezë për t'i qëndruar besnikë fesë dhe kombit të të parëve. Pasi e keqtrajtuan dy ditë rresht (më 5-6 mars 1913) Atë Luigj Palajn në burgun e Gjakovës, përkatësisht pasi i duroi përbuzjet, fyerjet dhe poshtërimet, e vunë përpara me të tjerët, të lidhur dhe e nisën për në Pejë. Gjatë rrugës, në Janosh të Novasellës së Gjakovës, e ndanë nga grupi vetë të shtatin, ia zhveshën zhgunin e fratit dhe e detyruan të ecte zbathur nëpër acar të madh, derisa të mos "pendohej" për ta braktisur fenë e tij katolike. Atë Luigji nuk trembej e as nuk thyhej. Bile kërkesat e malazezëve i refuzonte deri në përbuzje. Provuan më në fund ta thyenin me prerjen e dy gishtërinjve të dorës së djathtë, që të mos mund të kryqohej me pesë gishtërinjtë, siç kryqohen besimtarët katolik, por vetëm me tre, siç kryqohen besimtarët ortodoks. 
Pas krejt atyre torturave, xhelatët ia morën shpirtin duke e masakruar me bajoneta, e në anën tjetër autoritetet malaziase njoftonin se "krimineli" Atë Luigj Palaj kishte provuar të ikte. Këso shpjegimesh jepeshin për të gjithë shqiptarët e burgosur në mënyrë që të kishin pretekst që t’i vrisnin. 
Krimi në Janosh e kishte bërë efektin e vet në përshpejtimin e planit të Malit të Zi për konvertimin me dhunë të shqiptarëve në ortodokësizëm. 
Vjena dhe legata austro-hungareze në Cetinë, të informuar nga nënkonsulli i Prizrenit, Fiberio Pecel, kishin njoftuar menjëheri për vrasjen e meshtarit françeskan. Lajmi ishte përhap shpejt në qarqet diplomatike dhe kishte zënë vend në krye të faqeve të shtypit austriak, gjerman dhe anglez. Gazeta Neue Freie Presse e Vjenes theksonte se vrasja e klerikut katolik dhe konvertimi i shqiptarëve në ortodokësizmin sllav ishte edhe një provë e re e krimeve serbo-malaziase mbi popullin shqiptar. Pasuan demarshet diplomatike të fuqive të mëdha dhe hapat energjik të Austro-Hungarisë, demarshe këto që mbështeteshin në të drejtën e shqiptarëve të besimit katolik në protektoratin kulturor, të siguruar pas luftërave me Perandorinë Osmane, që i referohej vendimeve të Kongresit të Berlinit, që e obligonte edhe Malin e Zi t’i respektonte ndjenjat fetare në viset e okupuara shqiptare. Së këndejmi, me notën e parë që Vjena ia dorëzoi Cetinës, tërhiqte vërejtjen se vrasja klerikut Palaj kishte ndezur indinjatë të madhe në popull, përkatësisht te shqiptarët e besimit katolik e mysliman, dhe në të njëjtën kohë kërkohej zhvillimi i hetimeve rreth burgosjes dhe vrasjes së Atë Luigj Palajt. Me notën e dytë Austro-Hungaria kërkonte nga Mali i Zi rikthimin e menjëhershëm të shqiptarëve katolikë në fenë e mëparshme, duke ua bërë me dije se hetimet do t'i zhvillonte arqipeshkvi i Prizrenit, imzot Lazër Mjeda, i shoqëruar nga nënkonsulli i atjeshëm austriak. 

Këmbëngultësia e imzot Mjedës që të ndriqohen krimet malazeze
Qeveria malazeze fillimisht nuk u pajtua që punën e hetimeve ta merrte në dorë prelati i Kishës Katolike - imzot Lazër Mjeda, dhe aq më pak që atë ta shoqëronte në Gjakovë edhe përfaqësuesi i një fuqie të madhe, siç ishte Austro-Hungaria, por më në fund lëshoi pe (Qeveria malazeze) duke u pajtua me ngritjen e një komisioni mikst të hetimeve dhe caktoi dy përfaqësues të saj. 
Me të arritur të arqipeshkvit Imzot Lazër Mjeda në Gjakovë (me 29 mars), i shoqëruar nga një oficer serb dhe nënkonsulli Pecel dhe ai italian Cikulini, autoritetet malazeze morën masat që misioni i tyre të dështonte plotësisht, që e vërteta për konvertimin dhe vrasjen e Atë Luigjit të mos dilte në dritë kurrsesi. Klerikut të lartë shqiptar - Imzot Lazër Mjedës i qenë lidhur duart: nuk mund të lëvizte lirisht, as të merrte kontakt me grigjen e tij, kurse fshatarëve të konvertuar ose u ndalohej kalimi nga zona malazeze në atë serbe, ku ishte kisha, ose kërcënoheshin me vrasje po të deklaronin se qenë kthyer në fenë ordokse pa vetëdashje. Rrjedhimisht, ditën e dytë të arritjes së imzot Mjedës në Gjakovë, kaluan nga feja katolike në atë ortodokse edhe 530 frymë. Përpjekjet e arqipeshkvit për t'ua kthyer atyre mendjen qenë të kota, sepse ata po të deklaroheshin lirisht, i priste hakmarrja, për më shumë që ushtria dhe xhandarmëria malazeze me Sava Llazareviqin në krye po vazhdonte me të madhe krimet në nahinë e Pejës dhe të Gjakovës. 
Komisioni i hetimeve u mblodh më në fund më 6 prill (1913), por shkaku i pengesave të ndryshme nga pala malazeze, nuk filloi me punë, sidomos në punën e anketimit të katolikëve të konvertuar. Megjithatë, 16 sish të zonës malazeze ia dolën të pervidhen natën dhe të shkonin drejt në kishën e Gjakovës. Organet malazeze që të mos kalojnë asnjë besimtar i konvertuar kah shqiptarët, bile edhe ia dolën t'i shkëpusin tre veta dhe nga njëri prej tyre nxorën deklaratën se gjoja qenë të mashtruar dhe se u kishin ofruar nga 100 lira turke për të deklaruar se kishin kaluar në fenë ortodokse me dhunë. Mirëpo, kjo deklaratë e vetme nuk bënte punë përballë të tjerave që qenë betuar se së pari ishin tortuar mizorisht për gjoja fshehjen e armëve, kështu që u shtrënguan ta ndërronin fenë për të shpëtuar veten dhe familjet e tyre. Autoritet malazeze, të mëllefosura nga këto deklarata, bllokuan të gjitha vendkalimet me roje të forta dhe ndaluan çdo kalim në anën tjetër të qytetit, për të penguar mbledhjen e fakteve. Prandaj ata kërkonin zhvillimin e hetimeve në territorin e okupuar nga malaziasit, kurse arqipeshkvi Mjeda kundërvihej me argumentin e fortë në dorë, se shqiptarët e konvertuar "ishin përsekutuar dhe nuk guxonin të shfaqnin dëshirën e tyre për t'u kthyer në besimin e tyre - në katolikë". 

Shenjtërohet Atë Luigj Palaj
Sado që pala malazeze e ngushtoi punën e Komisionit të hetimeve vetëm në shqyrtimin e vrasjes së Atë Luigjit, katër persona që ishin me të, e të cilët i shpëtuan pushkatimit, ishin të burgosur, kështu që nuk mund të dëshmonin të vërtetën. Dhe ajo ishte së frati i Gllogjanit - Atë Luigj Palaj as që provoi të ikte, as që u vra me pushkë, si thuhej në raportin zyrtar malazias. Kur trupi i tij u nxorr nga varri, doli se ishte masakruar me bajonetë. Dhe, meqë pala malazeze e Komisionit këmbëngulte në versionin e saj të vrasjes, përkatësisht në ekspertizën e dy mjekëve malazezë dhe të një mjeku serb, nënkonsulli Pecel u largua nga Gjakova në shenjë proteste. Nga ana e saj, qeveria austro-hungareze kërkoi për katolikët shqiptar nga pala malazeze - pos tjerash edhe të drejtën e zgjedhjes së lirë të vendbanimit. Cetina, ndërkaq, u përgjigj me cinizëm se katolicizmi ishte i mbrojtur me ligjet e Malit të Zi. Megjithatë, imzot Lazër Mjeda nuk dëshironte t’u jepeshin disa të drejta vetëm shqiptarëve të besimit katolik, por ai kërkonte që të mbrohen të gjithë shqiptarët pa dallim besimi. Puna shkoi deri aty sa malazëzët gati e kishin ndarë mendjen ta vrisnin edhe arqipeshkvin Mjeda me dorën e ndonjë shqiptari... 
... dhe Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë para një kohe e ngriti procedurën e shenjtërimit të 40 martirëve të Shkodrës, ku janë të përfshirë edhe gjashtë meshtarë nga Kosova e ndër ta edhe Atë Luigj Palaj. 
Në anën tjetër, asociacionet e kulturës në Zym të Hasit (komuna e Prizrenit), në 40-vjetorin e manifestimit letrar, kulturor e shkencor ‘Takimet e Gjeçovit’, që u mbajt më 15 tetor të vitit të kaluar (2011), e ngriten propozimin (që ia dërguan kryetares së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga), që Atë Luigj Palaj të dekorohet, propozim ky që u mirëprit nga opinioni i gjerë. Për këtë presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e shënimit të 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me dekoratën URDHËRI I LIRISË - PËR KONTRIBUTIN E LARTË PËR LIRI TË KOSOVËS, dekoroi martirin për fe e atdhe, Atë Luigj Palaj, shqiptar. Medalja iu dorëzua veprimtarit zymjan Frrok Kristajt. Ndërkaq, Frrok Kristaj dekoratën ia dorëzoi famullitarit të Zymit, don Ndue Ballabanit, në meshën përshpirtërore kushtuar Atë Luigj Palajt, të mbajtur më 7 mars të vitit kaluar (2013) në Kishën e shën Prenes në Shëngjergj, meshë këtë që e bashkëmeshuan Atë Ndue Kajtazi, don Mato Paliqi dhe don Ndue Ballabani. 
Do përmendur se Ipeshkëvia e Kosovës në shenjë nderimi të Atë Luigj Palajt, në vitin 2011 ngriti në Janosh Kishën që iu kushtua Atë Luigjit. Kisha u ngrit pikërisht aty ku edhe ishte ekzekutuar Atë Luigji, përkatëisht aty ku edhe që nga vrasja e tij gjendet i vendosur një Kryq i Madh. 
Dhe, ata që kalojnë aty pari mund të ndalen një trohë, të mendohen e të kujtohen për të mësuar si vdiset për fe e atdhe. Por, vëllezërit tanë nuk duhet të përtojnë për të dalë në Shëngjergj të Zymit të Hasit, atje për t'u përkulur para dy varreve të dy martirëve të fetarisë dhe shqiptarisë - Atë Luigj Palajt dhe Atë Shtjefën Gjeçovit, që prehen në një muranë guri, që gjendet në varrezat e Kishës së shën Prenës në Shëngjergj, afër Zymit të Hasit, komuna e Prizrenit.

Legjenda: Atë Luigj Palaj



Monumenti i ngritur në vitin 211 kushtuar Perëndeshës Dardane u zbulua nga Edi Shukriu në Smirë të Vitisë në vitin 1988. Ky është monumenti më i vlefshëm epigrafik i zbuluar deri më sot në Kosovë, jo vetëm për nga teonomia, por edhe për shkak të paraqitjes simbolike unike dhe të arkitekturës katërfaqësore të saj. Në këtë monument është paraqitur simboli i diellit - universit, që përbën një kompozicion ndërlidhës midis paraqitjes së diellit - universit, hardhisë së rrushit, lerthit dhe nyjes profilaktike



Frrok KRISTAJ: Në 90-vjetorin e lindjes së Katarina Josipit

ME INVENCION E INTERPRETOI BARESHËN DHE MINISTRESHËN

Sivjet bëhen plot 90 vjet që kur në fshatin Zym të Hasit të Thatë u lind aktorja jonë e madhe Katarina Josipi - Kati. Mirëpo para 44-vjetëve ajo kaloi në amshim. Pra, 44 vjet pa Katin zymjane, pa Katin artiste, por 90 vjet me Katin dhe emrin e saj. Në fakt, emri i Katit është guri dhe dërrasa e parë e binës dhe e skenës së teatrit në gjuhën e ëmbël të trojeve etnike shqiptare jashtë Shqipërisë administrative

Katë Dulaj, apo siç njihet me emrin artistik Katarina Josipi - Kati jonë e madhe, u lind në fshatin Zym të Hasit, pikërisht më 9 nëntor të vitit 1923,e jo siç figuron aty-këtu nëpër disa dokumente me të cilat janë shërbyer disa institucione teatrore. Katë Dulaj ishte e bija e Gjin dhe e Gjyste Dulajt. Ishin katër fëmijë - Marku, Lazri, Kata e Pali. Prindërit emrin Katës ia dhan në bazë të festës së shën Katarinës së Aleksandrisë, pajtore e Kishës në Pejë (kremtohet më 25 nëntor),por edhe festë familjare e dajëve të Katës - Prenkpalajt. Përndryshe, Kata me vëllezër është brezi i 10 i familjes Berisha të ardhur nga Tropoja dhe të vendosur në Zym. Në fakt, i pari i lagjës Berishë (në Zym), që erdhi nga Tropoja quhej Peci, e më pastaj vijnë brezet: Pjetri i Pecit, Ndrekë Pjetri, Mark Ndreka, Gegë Marku, Ndue Gega, Pjetër Ndou, Jozë Pjetri, Gjin Joza dhe Kata Dulaj alias Katarina Josipi (Nikollë Kërhanaj „Gjenealogjitë e familjeve të Zymit“, punim i pabotuar).
Katarina Josipi shkollimin fillor e filloi në Zym në gjuhën serbe pas vrasjes së Atë Shtjefën Gjeçovit. Pastaj, e vazhdoi në Nish, ku ishte me babain e vet bukëpjekës. Pas bombardimit të Nishit, në prill të vitit 1941, babai i Katit, sikurse shumë bukëpjekës të tjerë nga Zymi, kishin ikur nga Nishi, kurse Gjin Joza, babai i Katit, ishte vendosur në Ferizaj. Kati pas shkollimit fillor ndoqi tri klasë të shkollës së natës për rrobaqepëse.
Katarina Josipi si aktore hapëroi në dërrasat e Teatrit Amator në Ferizaj, kurse në pranverë të vitit 1948 hyri si femra e parë shqiptare në Teatrin Popullor të Prishtinës. Në Prishtinë kishte shkuar së bashku me Shaban Gashin e Matej Serreqin, që të dy nga Ferizaji. Kati në Prishtinë plot 21 vjet aktroi dhe kulmoi në skenën profesionale. Dhe, po aty, në Prishtinë, vdiq më 29 prill 1969, si për çudi prapë në ditën e festës së shën Katarinës së Sienës (kremtohet më 29 prill), kurse u varros atje edhe nga erdhi - në Shëngjergj, afër Zymit të Hasit të Thatë, pranë meshtarit e patriotit Atë Luigj Palaj, që e masakruan serbo-malazezët, pranë njeriut të madh të kulturës shqiptare - Atë Shtjefën Gjeçovit, që e vranë serbët. U varros në oborrin e Kishës së Shën Prenës, në Shëngjergj, ku pas 27 vjetëve iu bashkua edhe bashkëvendësi i saj, lavruesi më i njohur i prozës moderne në letërsinë shqipe - Anton Pashku.
Katarina Josipin - Katin e kemi parë në skenën e teatrit profesional, e kemi dëgjuar në radio me radiodrama, por e kemi parë edhe në televizion e në film. Megjithatë, ajo jetoi në skenën teatrore, aty ku e fillonte jetën magjepëse që e sheh, e ndien, ku i zbulonte karakteret e njerëzve, rolet e të cilëve i interpretonte. Ishte prijetare e dramës shqipe. Jeta e Katit ka filluar kur janë ndezur dritat e skenës. Aty la djersën e vet. Por, në skenë ajo jeton edhe sot në kujtimet e artistëve, por edhe të shikuesve e të dashamirëve të skenës së teatrit.
Njëzet e një vjet me radhë, aq sa jetoi në skenën e Teatrit të Prishtinës, Kati ishte kampione, bartëse e roleve më komplekse të repertoarit më të shumëllojshëm të teatrit tonë. Bukuria e brendshme e Katit shpërthente vetëm kur fikeshin dritat në sallë e ndizeshin të tjerat në skenë. Atëherë temperamenti i saj artistik i magjepste dhe i çonte shikuesit në një tjetër jetë. Për Katin ishte njësoj me rëndësi roli kryesor, i mesëm apo episodik. Të gjitha i interpretonte me pasionin më të madh, me përkushtim, duke e shkrirë vetën në role, duke përjetuar dhe duke krijuar fytyra të reja, karaktere të reja. Për Katin, po ashtu, ishte njësoj kur interpretonte role nga dramat origjinale apo të përkthyera, dramat klasike apo bashkëkohëse.
Kati me invencion të rrallë interpretonte bareshën dhe ministreshën. Kishte aftësi transformacioni. Mishërohej thellësisht me personazhet që i interpretonte. Identifikohej me fatet e tyre dhe ua zbulonte karakteret. Pra, Katarina Josipi me talentin e saj të një artisteje të parë, ngriti një galeri të tërë tipesh që e ndien jetën pa kufi, kohë e hapësirë. Dhe, vërtet është vështirë tash të bëjmë ndonjë shëtitje nëpër ato 69 e sa role që i interpretoi gjatë jetës së saj. Në skenën e Teatrit të Prishtinës ajo i interpretoi me sukses të jashtzakonshëm këto role: Maricën (”Personi i dyshimtë”), Ndrikullën (”Pushteti”), Fjollkën (”Martesa”), Rutaricën (”Zhelanët”), Tanjën (”Zjarri dhe hiri”), Marija Jegonovmën (”Hani në rrugën kryesore”), Zibajën (”Zullumqari”), Katën (”Për kafshatën e bukës”), të shoqën e Hasan Agës - Remzijen (”Sikur të isha djalë”), Dudën (”Hijet e rënda”), Dokën (”Zona e Zamfirit”), Ajshën (”Tri botëra”), Ana Marimovna Zemjakina, Mamia (”Dasma”), Përcjellësja (”Ruj Blaz”), Anzhelika (Zhorzh Dandeni), Stana (”Bota”), Saveta (”Proteksioni”), Vahidja (”Besa”), Sofija (”Dy rreshterë”), Hana (”Mbreti i Betojnovës”), Ortenzias (”Mirandolina”), Marija (”Fjala është për banesë”), Plaka, e ëma e Cenit herën e parë dhe herën e dytë Zejnepen (”Nuk martohem me pare”), Beatriça (”Shërbëtori i dy zotërinjve”), Itha, e shoqja e Gjonit (”Nita”), Merima (”Z. Fedori”), Sofija, e ëma e Hanëmit (”Halit Gashi”), Dilja (”Kryet e hudrës”), Atmanja (”Parajsa e humbur”), Simona (”Njerëzit”), Zonja Lekua (”Ciklonët”), Nada (”Kushëriri prej Amerike”), Bahrija (”Oda e errët”), Zhivka (”Zoja ministreshë”), Staka (”Dy metelikë”), Vilima (”I sëmuri për mend”), shoqja e Hasan Agës (”E shoqja e Hasan Agës”), Edita Frank (”Ditari i Ana Frank”), Gruaja (”Udhëtimi rreth botës”), Shaqja, e shoqja (”Lugati”), Mbretëresha, njerkë (”Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët”), Amilja fon Ederlein (”Cubat”), Sarka vejushë (”Familja e pikëlluar”), Z. Podivec (”Ushtari i mirë Shvejk”), Klara Denjson (”Pjata e drunjtë”), Lina (”Dje në jetë”), Pavka (”Deputeti i popullit”), Dr. Kiner (”Matura”), Ranka Voloviqi (”Konkursi”), Rigoleta (”Kur gruaja është memece”), Falltorja (”Autobiografia”), Raisa Pavlovna Gurmishska (”Pylli”), Filja (”Peripecitë e kohës”), Prydansa (”Zonja me kamelie”), Mr. Mabel Becker (”Jehona 60”), Olga Karen (”Dje pas dite”), Elen Mamlloku (”Profesori Mamllok”), Zoja Mara (”Studentët e përjetshëm”), Elmira (”Tartufi”), Nerina (”Dredhitë e Shaptukut”), Kejti (”Magjistarja”), Padrona (”Ambrozio shfaros kohën”), Haska (”Hanka”), Shifra (”Kunora”), Zëri i gruas së Dylit (”Fosilet”), Shërbëtorja Razija (”Tri ditët e kiametit”), Shoqja e Skercos (“Miu në xhep”), Ajo (”Bashkudhëtarët”), Tima (”Hakmarrja”), Zëri i gruas (”Sinkopa”) dhe Nëna (”Legjenda mbi vdekjen e heroit”), si dhe në radiodramat e Radio – Prishtinës luajti dhe interpretoi një mori rolesh, si Vakën (në romanin e dramatizuar për radiodramë të Ramiz Kelmendit “Kur kositen livadhet”), Sofijen (në radiodramën “Zonjushat në re”) e shumë të tjera. 
Gjatë 21 vjetëve sa punoi në Teatrin profesional të Prishtinës, luajti me Nexhmije Pagarushën, Bekim Fehmiun, Muharrem Qenën, Hyrie Hanën, Istref Begollin Xhevat Qenën, Shani Pallaskën, Malo Gamin, Ragip Loxhën, Kristë Berishën, Matej Serreqin, Shaban Gashin, Abdylrrahman Shalën, Melihate Ajetin, Leze Qenën, Meribane Shalën, Adelajde Sopin, Belxhyzare Domin, Qazim Dushkun e shumë e shumë të tjerë.
Kati ishte në gjendje të krijonte fytyra komplekse, madje edhe atëherë kur nuk ishin të kompletuara nga autori apo regjia.
Katarina Josipi - Kati për kontributin e saj, por edhe për rezultatet e arritura mori shumë herë shpërblime e mirënjohje që i jepnin atëbotë institucionet profesioniste. Në veçanti po përmendim se ajo ishte laurate e Shpërblimit të Dhjetorit të të vitit 1958 të Kuvendit të Kosovës, që ishte sinonim i vendimeve të Bujanës, ku ishte vendosur që pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova t'i bashkohej Shqipërisë.
Edhe diçka: Kati që herët, një vjet para se të vinte në Teatrin Popullor të Prishtinës, në shkurt të vitit 1947, u ndoq, u persekutua nga pushteti okupator serb, u mor në hetime dhe u nxor para gjyqit bashkë me vëllanë, Lazrin, si anëtarë të Organizatës Nacional - Demokratike Shqiptare me akuzën armike e popullit. Ndër 38 anëtarët e "Grupit të Hamdi Berishës", që të gjithë nga Ferizaji e rrethina, në procesin makabër të Gjilanit, mbajtur prej 1 deri më 7 shkurt të vitit 1947, Katarina Josipi ishte e vetmja femër ndër 37 meshkuj. Në atë gjykim Hamdi Berisha u dënua me vdekje, kurse 31 të tjer u dënuan me gjithsej 327 vjet burg, si dhe gjashtë të tjerë, e ndër ta edhe Kati, pas disa muajsh hetuesie e represioni u liruan nga aktakuza.
Në anën tjetër, ka mbretëruar një mendim se Kati nuk ka pasur jetë private. Vërtet ajo ishte shumë e angazhuaar, por pati edhe jetë private. Qe martuar me Hil Pjetrin, emigrant që konsiderohej në atë kohë kishte ardhur nga Kavaja e Shqipërisë. Ajo ishte bërë edhe nënë: Lindi dy fëmijë që i vdiqen nga një sëmundje e rëndë, katër dhe dy vjeç. Më vonë mbeti edhe pa burrin, të cilin pushteti jugosllav ia dëboi nga Kosova si person i padëshiruar dhe e ktheu në Shqipëri. Kati nuk u martua më kurrë. Mirëpo, një vit para se të vdiste (1968), ajo e vizitoi ish-bashkëshortin në Kavajë. Kati ia vizitoi familjen e tij të re. Ajo ia njohu gruan dhe dy fëmijtë e burrit, të cilët kishin po të njëjtit emra që paten edhe fëmijtë e Katit.
Dhe, në fund, të themi edhe këtë se me emrin e Katit është pagëzuar në vitin 1971 Konkursi për Dramë Origjinale i Teatrit Kombëtar të Prishtinës, i publikuar nga po ky Teatër, konkurs ky që funksionon edhe tash, pastaj me emrin e saj është pagëzuar edhe Shoqëria Kulturo-Artistike në Zym, që është themeluar në njëvjetorin e vdekjes së Katit, por edhe tash e disa vjet në kuadrin e manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”W, që mbahen tash e 42 vjet në Zym të Hasit, jepet edhe çmimi “Unaza e Katit”. Por e kemi borxh jo vetëm ta përkujtojmë emrin e Katit por edhe ta përtrijmë emrin e saj nëpër institucione (në Prishtinë një rrugë është e pagëzuar me emrin e saj), së paku t'ia ngrisim një përmendore në vendlindje, në Ferizaj, në Prishtinë, apo në vende të tjera të Kosovës e më gjerë në trojet etnike shqiptare
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: FIGURA TË KOMBIT

Mesazh nga Agim Gashi prej Thu Jul 10, 2014 12:01 pm



Frrok KRISTAJ: Në 95-vjetorin e lindjes së piktorit të madh Ibrahim Kodra

KOLOS I ARTIT KOMBËTAR E NDËRKOMBËTAR

Ibrahim Kodra që njihet si mjeshtër i pikturës kontemporane, abstraksioniste dhe mjeshtër i fundit postkubist në botë, ka mbi 6000 vepra të shpërndara në të gjitha kontinentet. Arti modern i këtij shekulli për ne shqiptarët fillon me Kodrën. Hapësira e pikturave të Kodrës ka një religjion, një frymë mitologjike…

Maestro me renome evropiane e botërore Ibrahim Kodra u lind para 95 vjetëve, përkatësisht më 22 prill të vitit 1918 në Likmetaj, mbi një kodrinë, që me disa fshatra të tjera krijojnë zonën e Ishmit, që e ka marrë emrin e lumit Ishëm. Ky vendbanim njihet edhe nga romakët e lashtë, që e quajtën Isamuns, përkatësisht Pistum. Rajoni ku u lind Ibrahim Kodra konsiderohet si maja e Olimipit prej nga zbritnin perëndeshat e artit, kurse nga kodra e Likmetajve shihet mbarë Shqipëria Veriore, si Shkodra, Kruja, Tirana, Shijaku, Durrësi, dhe Deti Adriatik.
Ibrahim Kodra ishte i biri i Muratit. Mbiemrin e kishte Shabani. Ndërkaq, mbiemrin Kodra e mori nga toponimi Kodra e Likmetajve. Në moshën trevjeçare i kishte vdekur e ëma - Xhixha. Kur ishte tetëvjeçar u largua nga shtëpia. Së pari ishte punësuar si barinj i lopëve te një familje hungareze, e cila së bashku me një familje gjermane në Shqipëri kishte ngritur stabilimente sharrash. Më pastaj, Kodra kishte shkuar në Patok për të punuar në kafe dhe nga aty kishte kaluar në Durrës në familjen e Selim Sukajt, që kishte prejardhje nga Sarajeva e Bosnje e Hercegovinës. Aty edhe e kishte nisur shkollimin, kurse me pasion iu kishte përveshur vizatimit. Së pari e kishte punuar portretin e Gjergj Kastriotit, pastaj të Ismail Qemalit, Naim Frashërit…
Talenti i vogëlushit Ibrahim i kishte rënë në sy një itailiani, që kishte një dyqan me orendi shtëpiake. Ai e kishte tërhequr për t’ua vizatuar klientëve të vet portretet. Ndër klientët e italianit kishte pas rast ta pikturonte edhe një njeri me uniformë. Ai kishte qenë epror - kuestor i Durrësit. Mbreti Zog ndërkohë kishte shkuar në verime në Durrës. Një epror i mbretit Zog e kishte vizituar kuestorin me ç’rast ia kishte tërhequr vëmendjen portreti. Ishte interesuar se kush e kishte punuar. Më vonë eprori kishte biseduar me nënën mbretëreshë dhe ajo kishte kërkuar ta takonte vogëlushin piktor. Kur u takuan (1938) nëna mbretëreshë e mori dhe e dërgoi në shkollë në Tiranë. Piktori i ardhshëm Ibrahim Kodra në Tiranë e kreu liceun e vizatimit në Institutin “Naim Frashëri”, ku kishte pasur fat ta kishte mësues të parë të fushës së artit Odhise Paskalin. Nën kujdesin e Mbretëreshës Rexhina, nënës së mbretit Zog dhe konsulit italian të asaj kohe, Atoma Lorusso-s, fiton një bursë studimi dhe shkon në Itali për të vazhduar Akademinë e Arteve të Bukura në Breras të Milanos. Në vitin 1943 për herë të parë kishte ekspozuar në një ekspozitë së bashku me një grup artistësh të rinj. Kishte pasur fatin të ekspozonte katër herë me Picasso-n dhe piktorë të mëdhenj të tjerë të kohës. Deri më tash përveç në Itali e Vatikan, Ibrahim Kodra ka ekspozuar edhe në SHBA, Gjermani, Rusi, Britani, Francë, Spanjë, Zvicërr, Japoni, Brazil, Prishtinë, Tiranë e shumë qendra të mëdha evropiane e botërore.

Kodra - postkubisti i fundit në botë
Sot, mastro Kodra është artist komplet dhe shqiptar me gjithçka. Jeton në Milano (Itali), rruga “Pizza la Gosta”, Pallati numër 2, kati i VII. Në vitin 1994 Ibrahim Kodra i posedonte pothuajse të gjitha ato që mund t’ia falë jeta një artisti të madh. Atëbotë, u botua libri “Shtëpia Kodra” (në italishte). Në te ndër të tjera thuhet se emri Kodra është i njohur jo vetëm në Itali, por edhe në mbarë botën. Fernando de Filipi thotë: “Kodrën ne e quajm milanez dhe krenohemi me të dhe me veprën e tij, edhe pse ai vazhdimisht thotë se është shqiptar nga një fshat i vogël me emrin Ishëm, midis Tiranës dhe Durrësit, prej nga shihet deti dhe Kalaja e Krujës”. Kodra njihet si i fundmi postkubist në botë, ose Picasso i gjallë. Ai ka mbi 6000 vepra të shpërndara në katër anët e botës.
Frymëzimet e mia më të mëdha më vijnë nga tokat shqiptare, thoshte Ibrahim Kodra dhe shtonte se Shqipëria ishte vendi i tij, përkatësisht ai thoshte se “Folklori shqiprar, kaltërsia e detit dhe vendlindja ime kanë qenë dhe janë të pranishme në çdo vepër timën. Ky është një frymëzim që buron nga shpirti”.
Kosova kishte qenë vendi i parë i artistit ku Kodrës ishte takuar me shqiptar. Kjo kishte ndodhur në vitin 1968, kur në Zagreb të Kroacisë kishte hapur një ekspozitë, për të cilën kishin shkruar mjetet e informimit. Artikullin e kishte lexuar edhe Aleksandër Stipçeviqi, pjesëtar i gjakut të Kodrës dhe me atë rast ai i kishte njohtuar disa profesorë të Prishtinës për punën e këtij piktori. Pas kësaj në studion e tij kishte ardhur Nehat Islami, gazetar i “Rilindjes”, i cili kishte shkruar dhe pak kohë më vonë ishin krijuar kushtet për hapjen e një ekspozite në Kosovë.
Kosova është shtëpia ime, është tokë shqiptare, thotë Kodra. Më pastaj shtonte se Kosova ka qenë vendi i parë shqiptar që më ka njohur si piktor.

Formimi i personalitetit identifikohet me moralin
Në një ekspozitë, të Ibrahim Kodrës, që u hap në Prishtinë, me rastin e hapjes akademik Rexhep Ferri ndër të tjera pat thënë se Vivien Bast ka thënë për Kodrën se ai e pikturon muzikën e tij. Mirëpo, Ibrahim Kodra për t’i kapur lidhjet me popullin e vet erdhi në Kosovë. Përshtypja e parë ishte: Kodra i poezisë më të bukur në pikturën shqiptare. Ai është njohës i mirë i artit antik dhe atij modern. Ai bëri studime për kufijt e kohës, dritaret e fëmijërisë së tij, por edhe për arritjet më të mëdha të artit modern. Prandaj, Kodra me gjuhën e vet të qartë nuk e kufizon realitetin e vet artistik. Për të gjitha orientimet konsultohet me profilin, që e krijon me hapësirë me kohë. Figurat gjeometrike Kodra i ka për të gjitha trajtat dhe imagjinatën, duke i kombinuar me një drejtpeshim ku takohet matematika dhe poezia. Sipërfaqet gjeometrike në pikturat e tij marrin vlerën e një takimi të ëndërruar, e ne që e ndjejmë këtë doemos futemi në muzikën e pikturave të tij të ditëve tona. Dhe, ato kuptohen lehtë, kuptohen si një këngë, një kujtim dhe një kohë që shfaqet si ngjyrë dhe si muzikë.
Në fakt, Kodra e pikturon vetminë, ëndrrën si nevojë e si nostalgji. Ai e ka shenjën dhe kohën e vet. Para syve të botës është një profil, është një brez, kurse për ne një vitrazh i qytetëruar. Më në fund, ai është i rrethuar me Zotin e vet. Te Ibrahim Kodra hapësira e gjuhës së gjallë krijuese është optikë e artit të lashtë dhe të artit të kohës. Atë e gjejmë afër natyrës, edhe pse ai nuk kopjon, ai atë e rikrijon. Interesimi i tij ka ndjeshmëri artistike, te ai krijon një rreth të jashtëm, bëhet botë e fshehur së cilës i takon fryma që e kërkojmë në jetë. Të vërtetës artistike bile, i takon edhe leximi i heshtjes.
Ibrahim Kodra si krijues është i vetmuar. Në pikturat e tij nuk ka lëvizje të dendura mes pikturës për të gjitha figurat; idhujt, instrumentet muzikore në pozita frontale dhe dydimensionale, që do të thotë se formimi i personalitetit të Kodrës identifikohet me moralin që e ka ai. Nga kjo del se hapësira e pikturave të tij e ka një religjion, një frymë mitologjike. Në fakt, ai jeton nga fshehtësia e një vetëdijeje. Në veprën e tij praktikisht aplikohet pushteti sovran. Drejtpeshimi i shërben për ta kapë një kohë. Origjinaliteti i Kodrës përherë është i njëjtë, sepse edhe pse njohu qytetërimin dhe hapësira të stileve të ndryshme, ai u ndal aty ku e pa ëndrrën e vet. Te ai me lëvizjet e para asgjë nuk ndalet në rrafshin e emocioneve. E kërkon ditën se kur është i pranishëm dielli dhe hëna. Zgjedh finesat dekorative. Natyra e stilit të tij është e fuqishme. Ndërkaq, kur flitet për Kodrën në kuadër të kombëtarës, ky shpirtërisht mbetet gjithmonë brenda jetës shqiptare. Ndaj, arti modern i këtij shekulli për ne shqiptarët fillon me Kodrën.
Për Kodrën Carlo Bo kishte thënë se ai i qëndron besnik prejardhjes dhe fymëzimeve të tij. Ai i kap mrekullite për t’i pajtuar imazhet antike të botës së tij orientale me skemat që vinin sidomos nga Parisi. Kodra zotëron traditën dhe shpirtin modern, ndërsa për te (Kodrën) vendlindja është atdheu që lirohet nga shkatërrimi dhe dhembja. Kështu, që ai në të njëjtën kohë është brenda dhe jashtë botës së tij. Ai i dha rendit të tij një konfigurim gjeometrik, sepse arti është pjesë i një imazhi të lirë, të çliruar edhe nga keqkuptimet e të sotmës. Kodra është artist që prek truallin e artit evropian për t’i sforcuar zërat e tij. Kodra e ka zgjedhur rrugën e ballafaqimit kritik. Ai e saldon shijen e së resë me pjesën e pashlyeshme të fjalës së tij antike.
Ibrahim Kodra kaloi në amshim në Milano të Italisë, më 7 shkurt të vitit 2006, kurse u varros në Kodrat e Ishmit, përkatësisht në atdheun e vet, në Shqipëri. Kodra ia kushtoi gjithë jetën e tij artit, u bë pjesë e tij, duke siguruar pavdekshmërinë. Emri i tij do të jetë gjithnjë i skalitur me germa të arta në panteonin e kulturës. Edhe pse larg atdheut, ai ishte gjithmonë copëz e tokës se tij, ishte dashuri e dashurise së kombit të vet.

Kodren e njihu bota
Ibrahim Kodra që kur filloi të pikturojë, ai ka hapur shumë ekspozita personale, por ka marrë pjesë edhe në ato kolektive anëmbanë Evropës e botës. Për sukseset e arritura është lauruar me shumë mirënjohje, shpërblime e tituj ndër më të lartit të artit. 
Që nga viti 1944, kur hapi ekspozitën e parë personale në Milano, punimet e tij janë ekspozuar në shumë muze e galeri prestigjoze të botës, së bashku me emrat që kanë bërë histori në arte, si Picasso, Matisse, Chagall, Modigliane, Rouaut, Dufy e të tjerë. Ka bashkëpunuar edhe me nobelistët, si Quasimodo, Montale, Paul Elyard etj. Ka një koleksion çmimesh, si "Medalja e Artë" e Akademise Franceze, Çmimin "Ambrogini i Artë" të Milanos, dhe me 1996 iu akordua Çmimi "Nderi i Kombit", si edhe iu dha pasaporta diplomatike e Republikës së Shqipërisë. 
Veprat e tij gjenden në Muzeumin e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve në Romë, në Galeri dhe në Muzeume të njohura të botës, si në Itali, Zvicër, Danimarkë, Gjermani, Japoni, Angli, Francë, USA, Rusi, Ukrainë, Australi, Brazil, Argjentinë, Greqi, Iran, Shqipëri, Kosovë, e gjetiu. 
Ndërkaq, në vitin 2000 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës e zgjodhi anëtar me korrespondencë të këtij institucioni më të lartë të shkencës dhe të arteve të Kosovës. Do theksuar se Ibrahim Kodra disa herë ka hapur ekspozita në Tiranë e në Prishtinë, si dhe është shpallur qytetar nderi i disa qendrave të Evropës dhe më gjerë.




avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: FIGURA TË KOMBIT

Mesazh nga Agim Gashi prej Thu Jul 10, 2014 12:32 pm

avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: FIGURA TË KOMBIT

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi