Dimal Basha Amerikës nuk i duhet Kosova, kurse Kosovës Amerika gjithmonë!

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Dimal Basha Amerikës nuk i duhet Kosova, kurse Kosovës Amerika gjithmonë!

Mesazh nga Agim Gashi prej Sun Jul 05, 2015 8:59 pm


Dimal Basha



Amerikës nuk i duhet Kosova, kurse Kosovës Amerika gjithmonë!



Nuk ka rëndësi çfarë thonë armiqtë për Amerikën, as nuk ka rëndësi amerikanofobia e ngritur këto vite në Kosovë nga një ideologji fashiste dhe një numër majtistësh që gjithë natën qëndrojnë nëpër rrjete sociale, duke ëndërruar se si Kosova është qendër e universit dhe gjithçka sillet rreth saj, kurse gjithë ditën flenë bashkë me kreativitetin e tyre. Megjithëse është një numër i vogël, unë jam i bindur se po i shkaktojnë një dëm të madh atij vendi, mirëpo kjo ka pak rëndësi sepse derisa keni harruar se historia e shpëtimit të një kombi ka qenë përcaktuese për Kosovën, për Amerikën mbetet vetëm një ngjarje kaluese. E di se sot është mbjellë edhe frikë nga qarqe të caktuara antiamerikane që po hezitojnë edhe të festojnë këtë ditë të madhe, mirëpo dua të ju siguroj për një gjë, Amerika nuk ka nevojë për Kosovën, kurse ju për Amerikën gjithmonë.
Nuk do të humbi shumë kohë të merrem me një grup injorantësh në këtë ditë të madhe për Amerikën, por megjithatë ka rëndësi të kujtoni disa gjëra. E para, mos pritni kohën që nesër t’ju flitni gjeneratave të ardhshme se si Kosova kishte një mik kaq të fuqishëm, mirëpo arriti ta humbë atë. E dyta, mos lejoni që disa individë me ideologji fetaro-fashiste që mundohen përmes frikës të ju vrasin arsyen dhe t’ju bindin se Amerika është një armik i juaji, dhe e fundit, mos lejoni që disa pseudo-majtistë që kanë Chomskyn për pejgamber t’ju udhëheqin arsyen. Ky i fundit ende merr çmime dhe nderohet nga Serbia për përkrahjen e Millosheviqit gjatë luftës kundër NATO-s. Këto grupe janë faza kalimtare që ofrojnë sisteme utopiane dhe historikisht ideologjitë utopiste vdesin shpejt, kurse Amerika mbetet dhe ju premtoj se do t’i mbijetojë ato, si shumë ideologji tjera.
Tani t’ju kthehem asaj që e meriton kjo ditë, kujtimin për njerëzit më të mëdhenj që e bënë Amerikën ajo që është sot, superfuqia e vetme në gjithë planetin tokë. Sa për fillim, Amerika nuk ka qenë gjithmonë e fuqishme e as e madhështore sikur sot. Në shpalljen e Pavarësisë në vitin 1776 Amerika kishte më pak se 5 milionë banorë, derisa Franca kishte 27 milionë, kurse Britania e Madhe diku rreth 15 milionë. Në momente kyçe të historisë së saj Amerika prodhoi një grup intelektualësh që gjithmonë hartonin rrugën drejt madhështisë që e mban sot. Thomas Jefferson vuri themelet e vullnetit në shkrimin e Deklaratës së Pavarësisë, ku në huazimin e tij nga Locke, vendosi themelet e këtij vendi ku përcaktoi se jeta, liria ishin e drejta themelore e secilit qytetar të këtij vendi. Aty ku Locke foli për pronën si një e drejtë tjetër themelore, Jefferson ndryshoi kursin dhe e zëvendësoi me të drejtë që secili të jetë i lirë të ndjekë atë që e bën të lumtur, që ndryshe sot njihet botërisht si “Ëndrra amerikane”.
Themelet e kësaj republike kanë qenë një shembull ku tranzicionet paqësore të pushtetit kanë fill prej themelimit të saj, diçka që nuk njihte bota në atë kohë dhe traditë që vazhdon për më shumë se 200 vjet. Në këtë vend vazhdon sundimi i ligjit njëjtë siç ishte parashikuar në vitin 1801 në fjalimin inaugurues të Thomas Jefferson-it, i cili në atë kohë thoshte, “çdo njeri, kur thirret nga drejtësia, duhet t’i nënshtrohet asaj…” Kjo drejtësi nuk u zhvillua përmes ngritjes së busteve, por nga foletë universitare si ai i Universitetit të Virgjinias, i themeluar nga Thomas Jefferson, i cili në fund të karrierës shkruante për universitetet si vendi ku liria e të menduarit do të jetë e palimituar, aty ku njeriu nuk ka frikë të ndjekë rrugën se ku të shpien e vërteta dhe vendi ku nuk lejon gabimet derisa ajo sfidohet nga arsyeja.
Ky është vendi me demokracinë më të gjatë funksionale dhe superfuqia e këtij vendi qëndron pas mendjeve të ndritura që për vizion e kishin ardhmërinë e këtij vendi e jo interesat e një klani. Sa për kujtesë, sot Amerika është vendi i vetëm në botë që kontrollon oqeanet botërore dhe ofron mundësinë e lëvizjes së lirë të mallrave, Sot Amerika përbën vetëm 4% të popullsisë në botë derisa prodhon mbi 26% të të gjitha shërbimeve dhe mallrave, dhe ka GDP-në mbi dyfish më të madhe se vendi i dytë Kina, e cila ka gati katërfish numrin e popullsisë më të madhe se atë të Amerikës. Ky vend riciklohet dhe rigjenerohet dita-ditës dhe ende vazhdon të mbetet vendi më inovativ, ku mbi 70% e të gjitha zbulimeve ende vijnë nga truri i këtij qytetërimi. Me gjithë kritikat, ky vend rigjenerohet duke pranuar mbi 1 milion imigrant për çdo vit. Kurse krejt në fund, fuqia ushtarake e Amerikës është e barabartë me fuqinë e përbashkët të Kinës, Rusisë, Anglisë, Francës, Japonisë, Indisë, Arabisë Saudite, Gjermanisë, Brazilit, Italisë, Koresë Jugore, Australisë, dhe Kanadasë.
Prandaj, nuk ka rëndësi çka thonë armiqtë për Amerikën, sepse ky vend nuk është zhvilluar me ide utopiane e as përmes ideologjive fetaro-fashiste. Ky vend nuk ka lindur rastësisht dhe ju siguroj se amerikanofobia që po mbillet në Kosovë nga një grup i vogël injorantësh do t’ju gjejë në anën e gabueshme të historisë, sepse ju premtoj se Amerika nuk ka nevojë për Kosovën, kurse Kosova për Amerikën gjithmonë.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi