Enver Bytyci:“Provokacija” si maskë e paternalizmit të Tiranës ndaj Priishtinës.

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Enver Bytyci:“Provokacija” si maskë e paternalizmit të Tiranës ndaj Priishtinës.

Mesazh nga Agim Gashi prej Sun Jul 10, 2016 8:10 pm






ENVER BYTYÇI:“Provokacija” si maskë e paternalizmit të Tiranës ndaj Priishtinës.


[ltr]Nuk është tashmë surprizë që dy kryeministrat, ai shqiptar, Edi Rama dhe ai serb, Aleksandër Vuçiç, të takohen, të bisedojnë, të shtrëngojnë duart, të qeshin, të përqafohen, të shtrëngohen me njëri-tjetrin, sidomos kur janë nën vëzhgimin e dy liderëve europianë, Merkel e Hollande. Sidomos në kur ata janë në samite të tilla si ai I Berlinit, Vjenës dhe së fundmi I Parisit pritej që të dy të betohen për miqësi, marrëdhënie shumë të mira midis të dy vendeve, të dy shteteve dhe të dy popujve. I njëjti skenar u përsërit për të pestën apo të gjashtën herë në dy vitet e fundit, njëherë në Beograd nën siglën “Provokacja”, pastaj në Tiranë nën shoqërimin e një grupi studentësh. Pa folur për takimet në samite të tjera me kinezë, rusë, rumunë e të tjera veprimtari, në të cilat të dy “liderët botërorë” të Ballkanit kanë marrë pjesë e kanë shtrënguar duart midis tyre. Kym und të konsiderohet edhe një rekord takimesh, pas rekordit të takimeve të së mërkurës që kryeministri i vendit tim bën me kryetarin e parlamentit, po të vendit tim.
Që në fillim dua t’u them lexuesve se në parim takimet, bisedimet e dialogu nuk kanë asnjë të keqe. Ato janë e vetmja mënyrë për të garantuar të sotmen dhe të ardhmen e vendeve dhe popujve të rajonit tonë në paqe, stabilitet dhe siguri. E kam thënë dhe e përsëris, se interesi i shqiptarëve në Ballkan është zgjidhja e problemeve në paqe, për shkak të argumentit dhe të drejtës në anën tonë, por edhe të pafuqisë sonë për t’i zgjidhur konfliktet me konflkte e dhunë.
Por në përceptimin tim afrimi dhe marrëdhënia kaq e ngushtë midis zotit Rama dhe zotit Vuçiç është atipike, me dozat e një lloj servilizmi diplomatik të tipit hoxhist në periudhën kur diktatori kalonte muaj mjalti me Beogradin, Moskën apo Pekinin. Si e tillë kjo sjellje diplomatike nuk ruan ekuilibrat afatgjatë të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vendet respektive dhe në rajonin tonë. Tipari themelor i këtyre lidhjeve shumë të ngushta është mënjanimi nga vendimmarrja të gjysmës së popullsisë shqiptare në Ballkan, përfshirë shtetin e Kosovës, shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Luginës së Preshevës.
Një strategji të tillë për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb midis Tiranës dhe Beogradit Serbia e ka shpallur shumë kohë më parë. Madje, strategjia e anashkalimit të shqiptarëve në Kosovë e kudo në shtetet ballkanike përtej kufirit shqiptaro-shqiptar ka qenë dhe mbetet një nga strategjitë tipike të interesit, diplomacisë dhe politikës serbe. Në shtator të vitit 2012 në kthim nga Gjermania kalova transit nëpër territorin e Serbisë. Në pikën kufitare të Suboticës pyetja e parë që më bënë policët jashtë sportelit kishte të bënte me atë nëse isha shqiptar i Shqipërisë apo i Kosovës. Kur morën vesh se jam nga Shqipëria, përgjigja ishte e thjeshtë: “Ju shqiptarët e Shqipërisë jeni të mirë”. U thashë se edhe ata të Kosovës njësoj si ne janë, por kundërshtuan dhe nuk donin ta pranonin këtë fakt.
Ndarja në “shqiptarë të Shqipërisë” dhe në “shqiptarë të Kosovës” është një lojë serbe e vjetër, aq sa vetë konflikti shqiptaro-serb. Madje dhe brenda Kosovës Beogradi kishte krijuar nocionet antagoniste “të shqiptarit të mirë” dhe “të shiptarit të keq”. Kjo ndarje dhe përcaktimi në të mirë dhe në të këqinj është diskurs njëqindvjeçar në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve. Politika dhe diplomacia serbe me këtë qasje është shfaqur jo vetëm në marrëdhëniet me Shqipërinë, por edhe me botën e civilizuar të perendimit dhe me botën antishqiptare të lindjes, duke synuar të legjitimojë dhunën e të drejtën serbe mbi Kosovën, ngase “banorët e saj, shqiptarët, janë rracë e keqe”. Përtej kësaj nuk ka munguar të shfaqet gjithashtu logjika serbe, sipas së cilës “shqiptarët e Jugut të Shqipërisë janë shumë të mirë, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë së Veriut janë më pak të mirë”, diskurs ky i elaboruar aq dukshëm në librin e ish-kryeministrit serb Vladan Gjorgjeviç, “Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha”, libër i cili ka patur një ndikim të jashtëzakonshëm në përcëptimin europian për shqiptarët.
Nisur nga kjo lloj doktrine antishqiptare Beogradi hartoi strategjinë e bashkëpunimit me Shqipërinë me synimin që “konfliktin shqiptaro-serb ta zgjidhë në bisedime dhe marrëdhënie të ngushtë me Tiranën zyrtare”, shkurt me qeverinë e Shqipërisë. Në mars të vitit 2011 Boris Tadiç deklaroi nga Brukseli se, “ne do të dëshironim të zgjidhnim konfliktet historike që ekzistojnë për më shumë se 100 vjet mes serbëve dhe shqiptarëve”. Këto negociata për kompromis, Tadiç i kërkoi gjatë punimeve të forumit të organizuar në Bruksel nga ‘German Marshall Fund’, forum i cili zhvillon veprimtarinë e tij në kuadër të Aleancës së Atlantikut. Ndërkohë ai u shpreh që arritjen e këtij kompromisi do të duhej ta realizonte me përfaqësuesit e shtetit shqiptar, pra me Tiranën zyrtare. Sipas tij, “një konflikt 100-vjeçar shqiptaro-serb duhet zgjidhur përmes bisedimeve direkte me Tiranën”, duke anashkaluar Prishtinën. (Cituar nga një koment i imi botuar më 31 mars 2011 në gazetën “Shqip” dhe lexuar në TV Top Channel, me titull “Kujt i shërben propozimi më i ri i Booris Tadiç”?
Asokohe reagimi i kryeministrit shqiptar ishte kategorik refuzues, duke mos lënë asnjë mundësi të zhvillimit të marrëdhënieve shqiptaro-serbe në dëm dhe në injorim të institucioneve dhe shqiptarëve të Kosovës, të cilët ai i përmendi si të vetmit aktorë, të cilët mund të vendosin për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit shqiptaro-serb. Sipas zotit Berisha, nëse Tirana zyrtare do të merrte përsipër zgjidhjen e këtij konflikti në bashkëpunim me Beogradin, atëherë ajo do të merrte përsipër një detyrë, e cila nuk është e nuk mund të jetë e saj, sepse Shqipëria nuk ka legjitimitet të përfaqësojë viktimat, të cilat i përkasin Kosovës. Ndërkaq zoti Berisha u shpreh se shqiptarët e Kosovës përfaqësohen nga institucionet e këtij vendi dhe vetëm ato institucione kanë legjitimitet për vendimmarrjen në raportet Prishtinë-Beograd. Në këto raporte nuk mund të imponohet Shqipëria.
Nga ana tjetër devijimi i bisedimeve shqiptaro-serbe nga boshti Prishtinë – Beograd në boshtin Tiranë – Beograd do të zhvleftësonte lidershipin e Kosovës, do të dobësonte institucionet e saj dhe do të zhbënte investimin kombëtar të shqiptarëve si dhe atë të ndërkombëtarëve për ndërtimin e shtetësisë në Kosovë. Por jo vetëm kaq. Bisedimet Tiranë-Beograd për të ashtuquajturën “zgjidhje të konfliktit shqiptaro – serb”, do të thellonin konfliktin midis lidershipit në Kosovë e në Shqipëri, ndërkohë që gjatë këtyre bisedimeve do të shtrohej në tavolinë ndarja e Kosovës midis të dy vendeve. Ndarja e Kosovës do të thoshte automatikisht humbje e territoreve nga ana e shqiptarëve.
Në fund të shtatorit të vitit 2012 u mbajt në Bruksel Kongresi i Partive Socialiste të Europës. Gjatë punimeve të këtij kongresi u takuan nën shoqërinë e Martin Schulz dhe biseduan edhe kryetari i opozitës shqiptare, Edi Rama si dhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Kishin kaluar një vit e gjysëm, që kur Tadiç kishte hedhur formulën e të ashtuquajturës zgjidhje e konfliktit shqiptaro-serb. Pas disa muajsh, në pranverën e vitit 2013, Boris Tadiç u bë kumbara i marrëveshjes së bashkeqeverisjes midis Edi Ramës dhe Ilir Metës. Ndërsa dje u shfaq presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjirin e Lalëzit, mik në vilën e Ilir Metës në përpjekje për ta ruajtur edhe më tej marrëveshjen e bashkëqeverisjes së Rilindjes me bekimin e Boris Tadiç.
Por nuk është ky thelbi i kësaj analize. E vërteta është se propozimet e Boris Tadiç në rolin e Presidentit të Serbisë kanë lënë gjurmë në diplomacinë dhe politikën europiane. Tadiç shihej si një lider moderator dhe propozimet e tij të shfaqura me elokuencë dukeshin të argumentuara. Ndaj dhe zoti Rama nxiton të bëjë përshtypjen e radhës me atë që ai e quan “kthesë historike në marrëdhëniet shqiptaro-serbe”. Në Konferencën e Parisit zoti Rama jo vetëm u takua buzagaz e me përzemërsi me Aleksandër Vuçiç, por diskutoi me të përveç forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-serbe edhe për çeshtje, të cilat i takojnë Kosovës. Beogradi njoftoi se në këtë takim është biseduar psh për inagurimin e fluturimeve ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit, si dhe për ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë. Por nuk e komunikoi këtë bisedë vetë kryeministri shqiptar, duke shtuar dyshimet për një skenar të papranueshëm për institucionet dhe shqiptarët e Kosovës. Kësisoj zoti Rama ka hedhur hapin e parë: - Të bisedojë me Beogradin në emër të Prishtinës për disa çeshtje jo aq sensitive, si fluturimet ajrore dhe infrastruktura. Thjesht duke bërë lojën e testimit në rrugën e asaj që Beogradi e dëshiron, që me Tiranën zyrtare të “zgjidhë” konfliktin shqiptaro-serb.
Megjithatë zoti kryeministër duket se bën shumë kujdes në këtë nismë. Ai, për ta kamufluar dhe fshehur të vërtetën, dmth që shqiptarët, sidomos ata në Kosovë, të mos kuptojnë se bëhët fjalë për një angazhim të qeverisë shqiptare në emër të shqiptarëve në Kosovë e pa i pyetur ata, herë pas herë shfaqet me një fytyrë tjetër, atë të nacionalistit. Eshtë e njohur “Provokacija” në rastin e vizitës së tij në Beograd në nëntorin e vitit 2014. Ishte një inskenim perfekt aktorial për të ngacmuar ndjenjat nacionaliste te shqiptarët, për t’i bërë ata që të duartrokasin “heroin” e tyre Edi Rama, që më pas të mos shohin e mos besojnë se ai punon për të reralizuar formulën serbe të promovimit të asaj që në fund të Luftës së Dytë Botërore rezultoi si “Vëllazërimi shqiptaro-serb”. Të kuptohemi, “vëllazërimi shqiptaro-serb” në kuptimin e marrëdhënieve të mira midis shqiptarëve dhe serbëve, është i mirëseardhur. Por jo në kushtet kur Beogradi bën obstruksion e diversion të pandërprerë kundër institucioneve, integritetit territorial dhe interesave të shqiptarëve të Kosovës. Jo pa një ndjesë të thellë, të sinqertë dhe të pakthyeshme të Beogradit për krimet që shteti serb ka bërë kundër shqiptarëve në Kosovë. Jo pa njohjen e Kosovës si shtet të pavarur e Sovran nga ana e Serbisë.
Përmendja e modelit gjermano-francez të zgjidhjes së konflikteve shekullore nga zoti Rama dhe zoti Vuçiç ishte gjithashtu sinjal i lexueshëm qartë se këta të dy kanë marrë përsipër njëri rolin e De Golit dhe tjetri atë të Adenauerit, por pa përcaktuar se cili është në skenë në emër të presidentit francez dhe cili në emër të kancelarit gjerman. Sikur konflikti shqiptaro-serb të mos kishte në mes Kosovën dhe vuajtjet e saj të paimagjinueshme, atëherë mundej që të kishim një ngjashmëri tipike dhe si model zgjidhjen e konfliktit gjermano-francez. Por kjo formulë nuk mund të funksionojë, edhe pse të dy udhëheqësit, që bëjnë garë për primatin ballkanik, e përmendin këtë formulë që t’u bëjnë përshtypje të mirë liderëve gjermanë e francezë. Nuk mund të funksionojë, sepse konflikti shqiptaro-serb nuk ka ekzistuar e nuk ekziston për shkak të ndonjë konflikti midis Shqipërisë dhe Serbisë. I vetmi konflikt midis këtyre dy vendeve ka të bëjë me periudhën e vjeshtës së vitit 1912 e atë të vitit 1913 si dhe me përplasjen ideologjike midis diktatorit shqiptar dhe diktatorit jugosllav. Ndërkohë që komunistët shqiptarë erdhën në pushtet me ndihmën e Beogradit dhe ndërtuan ura miqësie me Beogradin, duke shpërfillur dramën kosovare.
A do ta përsërisë të njëjtin qëndrim dhe të njëjtën frymë si atë të përiudhës 1944-1948-ës, kryeministri i sotëm, Edi Rama? Gjasat janë se po punon fort në këtë drejtim. Edhe propaganda e tij e ka shfaqur sindromin e vizitës se diktatorit në Beograd në vitin 1947, duke e krahasuar vizitën e Ramës me atë të Hoxhës. Kush, si dhe kur do të ndalet kjo politikë dhe veprimtari diplomatike e tij, e cila rrezikon territoret shqiptare dhe zhvleftëson investimin fundamental për ndërtimin e shtetit dhe institucioneve të Kosovës, kjo duhet parë.
Por se zoti Rama është në rrugën e injorimit të Kosovës, qytetarëve të saj dhe institucioneve shtetërore të Prishtinës, duket njëkohësisht në intervenimin e tij për t’u kyçur në aleancë të ngushtë me politikanë dhe segmente politike joinstitucionale në Prishtinë. Miqësia e tij e ngushtë me Albin Kurtin dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, si dhe përpjekjet e tij për të manipuluar Ramush Hajredinajn janë dëshmi e bashkëpunimit të kryeministrit shqiptar me ato segmente kundërinstitucionale të Kosovës, të cilat do të ishin të gatshme që në emër të bashkimit kombëtar ta mbështesnin dialogun e shumëkërkuar nga ana e Beogradit, që me bisedime të drejtpërdrejta me Tiranën zyrtare të funksionalizonin ndarjen e Kosovës dhe zhvleftësimin e institucioneve shtetërore të saj. Zoti Haradinaj u shkëput nga kjo aleancë pikërisht për shkak të dallimit thelbësor me opozitën e Albin Kurtit, të njohjes nga ana e tij të institucioneve shtetërore të vendit të tij. Në Shqipëri i vetmi politikan ishte Edi Rama, i cili nuk i dënoi në asnjë rast veprimet e opozitës destruktive në Kosovë për delegjitimimin e parlamentit të saj, ndërkohë që në Shqipëri ai e cilësonte të tillë çdo lloj bojkoti të përkohshëm të opozitës shqiptare.
Kutura politike te shqiptarët nuk është formuar ende dëri në atë shkallë sa të lëxohen jo vetëm deklaratat dhe fjalët, por para së gjithash veprimet e mosveprimet e politikanëve. Nëse i lexojmë deklaratat kontradiktore të zotit Rama, si dhe veprimet e mosveprimet e kryeministrit të Shqipërisë, në këto dy vitet e fundit, atëherë nuk është vështirë të shkojmë në përfundimin se diplomacia shqiptare është në ujdi me diplomacinë serbe jo vetëm për afrimin dhe krijimin e marrëdhënieve të ngushta e miqësore me Serbinë, por edhe për të marrë në dorë fatin e Serbisë në Kosovë, çka do të thotë fatin e vetë Kosovës. Nëse shqiptarët e Kosovës do t’ia lënë në dorë cilësdo qeverie shqiptare fatin e tyre, atëherë ata duhet të jenë të vetëdijshëm se do t’u rikthehej si bumerang politika dhe diplomacia shqiptare e marrëdhënieve vëllazërore të shtetit komunist shqiptar me shtetin komunist jugosllavo-serb të periudhës së vitit 1944-1948. Pasojat e asaj politike tashmë janë të njohura dhe nuk kanë nevojë për ndonjë hulumtim nëntokësor.
[/ltr]
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi