Blerim Shala:Partia që është Shtet

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Blerim Shala:Partia që është Shtet

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Jun 30, 2009 1:03 am

Partia që është Shtet





PDK e Kryeministrit Thaçi ka arritur që në vend të instalojë një pushtet që i rri shumë afër sistemit njëpartiak. Për asgjë me rëndësi në Kosovë, në asnjë fushë të vetme, nuk mund të vendoset, pa pëlqimin e Kryeministrit të Kosovës dhe rrethit të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.

Nga Blerim Shala

Me 195 mijë vota të marra në zgjedhjet e 17 nëntorit të vitit 2007, në të cilat participuan 42% të qytetarëve me të drejtë të votimit, me 37 deputetë në Kuvendin e Kosovës që ka 120 ulëse, pra, me më pak se një të tretën e deputetëve, PDK e Kryeministrit Thaçi ka arritur që realisht në vend të instalojë një pushtet që i rri shumë afër sistemit njëpartiak.

Për asgjë me rëndësi në Kosovë, në asnjë fushë të vetme, politike, diplomatike, financiare, ekonomike, arsimore, shëndetësore, nuk mund të vendoset, pa pëlqimin e Hashim Thaçit, Kryeministrit të Kosovës, dhe rrethit të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.

Partnerët e PDK-së në Qeverinë e formuar në janarin e vitit 2008, para së gjithash LDK e Kryetarit të Kosovës Fatmir Sejdiut, që ka 25 deputetë, dhe që me fuqinë politike që ka, do të mund të insistonte në hisen vendimmarrëse që njeh relacionet 3:2, kanë rol krejtësisht inferior në këtë Qeveri.

Për këtë fakt, nuk duhet harxhuar kohë fare. Kemi të bëjmë me një të vërtetë publike, për të cilën më së shumti kanë folur shumica e zyrtarëve të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Opozita parlamentare dhe jashtëparlamentare nuk përfillet fare prej Kryeministrit Thaçi dhe ndihmësve të tij kryesorë, pos kur shërben si cak i akuzave të nduarnduarta, si objekt loje, talljeje dhe përçmimi.

Kjo qasje më së miri kuptohet në reagimet e autoriteteve qeveritare sa herë ndonjë parti opozitare, më së shpeshti AAK, ngrit ndonjë temë, problem apo çështje, e cila në të shumtën e rasteve del prej vetë Raporteve zyrtare të Qeverisë së Kryeministrit Thaçi. Kohëve të fundit, madje, zyrtarët e kësaj Qeverie po përtojnë t’i komentojnë kritikat e opozitës.

Synimi evident për ta instaluar vendimmarrjen njëpartiake, e në kuadër të saj, vendimmarrjen e një grupi joformal të tubuar rreth Kryeministrit Thaçi, kuptohet, midis tjerash, edhe prej mënyrës se si funksionon Kuvendi i Kosovës, veçmas kur aty mbahen debatet parlamentare për çështjet e ngritura prej opozitës, gjithnjë në përcjellje të ngjarjeve që kanë ndodhur në realitet, që nuk janë reflektim i perceptimit politik apo të një qasjeje të kundërshtimit me çdo kusht të Qeverisë së Kosovës.

Pak ditë më parë, për shembull, në Kuvendin e Kosovës, patëm shqyrtimin e rastit skandaloz të vjedhjes në Dhomën e provave të Policisë së Kosovës, që tashmë ka hyrë në muajin e tretë.

Kemi të bëjmë pra me një rast i cili pa marrë parasysh se kush çka përfaqëson në skenën politike të Kosovës, do të duhej të sqarohej sa më parë, duke pasur si konsekuencë edhe shkarkimin e autoriteteve që kanë marrë mandatin dhe përgjegjësinë politike dhe ligjore në këtë lëmi tej mase të rëndësishme për sigurinë dhe për stabilitetin e një shteti.

Kemi të bëjmë me një ngjarje kur është goditur shteti i Kosovës, dhe atë, palca kurrizore e tij, siguria. Policia e Kosovës, Ministra e Punëve të Brendshme, Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Qeveria dhe Kryeministri i Kosovës, me detyrat dhe përgjegjësinë që kanë, është dashur tashmë t’i kryejnë punët, edhe në zbardhjen e këtij rasti, edhe në qartësimin e përgjegjësve për këtë faqe të zezë, siç do të shpreheshin qytetarët e rëndomtë.

Kemi të bëjmë me një rast, kur, për shkak të interesit sipëror shtetëror, tejkalohen vijat kufitare që ndajnë qeverinë dhe opozitën, kur ndodh bashkimi me qëllim të adresimit të këtij dështimi të madh, me synim që imazhi i Policisë së Kosovës të mëkëmbet, apo, që të ndalet dëmtimi dhe devalvimi i vazhdueshëm i vlerës dhe rëndësisë së kësaj Policie.

E pamë, të gjithë, çfarë u tha dhe çfarë u dëgjua në debatin parlamentar për vjedhjen e Dhomës së Provave në Policinë e Kosovës.

Sërish, gjë që është një veçori tipike e një lidershipi politik që në thelbin e tij preferon sistemin njëpartiak, u ndërmorën të gjitha masat që të me një mburojë politike, të kundërshtohen qëndrimet e opozitës parlamentare, të cilat, në këtë rast, kanë prapa vetes edhe shqetësimet e shumicës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës, që nuk mund assesi ta kuptojnë dhe justifikojnë sjelljen e krerëve të Qeverisë dhe Policisë të Kosovës në shpjegimin e këtij skandali.

Vjedhja e fundprillit, në qendër të Prishtinës, është realitet kosovar, dhe nuk është politikë partiake, as pozicion i opozitës. Por, si edhe në shumë shembuj të tjerë, qeveritarët përpiqen që disi këtë realitet ta anashkalojnë, ose ta zmbrapsin përmes ngritjes së çështjeve të paqena, përmes ndërrimit të fushës së lojës, nëpërmjet të retorikës zhurmuese për sukseset e njëpasnjëshme të kësaj udhëheqësie, para të cilave, rastet si ky i Dhomës së Provave, janë krejtësisht të parëndësishme.

Mendësia njëpartiake, e cila gjithsesi mbizotëron në kreun e kësaj Qeverie të Kosovës, vërehet jo vetëm në monopolin e plotë në proceset vendimmarrëse në të gjitha fushat relevante, dhe jo vetëm në kundërvënien dhe komprometimin e temave të ngritura nga opozita politike, nga shoqëria civile dhe nga mediat, por edhe përmes fjalorit, gjuhës së përdorur nga Kryeministri Thaçi dhe vartësit e tij.

Demokracia është një sistem shoqëror që nuk mund e të mos merret me dështimet, gabimet, prapakthimet, problemet e pazgjidhura të tij. Kështu është kudo ku demokracia funksionon. Tekefundit, sipas shumë mendimtarëve politikë që janë marrë me funksionimin e demokracisë, kriteri kyç për cilësinë e saj, nuk është vetëm legjitimimi i pushtetit përmes votës së lirë, por detyrimet e udhëheqësisë së re ndaj Kushtetutës dhe Ligjeve, gatishmëria për t’u përballur me problemet që godasin atë shoqëri, dhe patjetër vullneti që pushteti të dorëzohet pa krijuar pengesa të nduarnduarta, po që se ndodh disfata në zgjedhjet parlamentare.

Çfarë shohim në rastin e Kosovës, që prej se Qeveria udhëhiqet prej Kryeministrit Thaçi, nëse këtu analizojmë, me të shpejtë, qasjen e saj ndaj problemeve të mëdha dhe fjalorin e përdorur publikisht?

A e dini që nocioni dështim nuk është fare (absolutisht fare) i pranishëm në fjalorin e Kryeministrit Thaçi dhe të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë?
Qeveria e Kosovës nuk ka dështime, na është thënë dhjetëra herë në të kaluarën, por ajo ka sprova ose sfida.
Në pyetjen e gazetarëve për të vlerësuar performansën e Ministrave në Qeverinë e tij, Kryeministri Thaçi ka pohuar që ata mund të klasifikohen në tri kategori: Në Ministra që janë shumë aktivë, në ministra që janë aktivë, dhe në ministra që duhet të jenë më aktivë.
Të gjithë, megjithatë, janë aktivë, domethënë të suksesshëm.

Ndërsa në kualifikimin e përfaqësuesve të tij në komunën e Gjilanit, Kryeministri Thaçi, pak ditë më parë, për njërin tha që është i shkëlqyeshëm, e për tjetrin, i mrekullueshëm.

Veçori këto që gjinden shumë rrallë, tepër rrallë, edhe në demokracitë më të zhvilluara në Botë.

Ku keni parë Qeveri në demokracinë shumëpartiake, e cila nuk pranon që ka bërë gabime, të cilat, madje, kanë marrë trajtën e dështimeve.
Në cilin sistem politik Qeveria është e pagabueshme?

Përgjigjen e dimë të gjithë.

Pretendimet e tij për të instaluar në Kosovë një sistem njëpartiak, Kryeministri Thaçi ka nisur t’i shprehë edhe publikisht. Ky, para disa ditësh, pohoi që “vetëm një parti e fortë, një parti reformatore, një parti demokratike (çfarë është PDK-ja), mund të ndërtojë institucione të forta, efektive, institucione të sundimit të ligjit, që mund ta çojnë përpara vendin tonë, shtetin tonë të ri”.

Partitë tjera nuk munden (ta sendërtojnë këtë qëllim), prandaj ato as që duhen. Assesi. Apo, ato, për më shumë, janë kundërshtare të këtij synimi të PDK-së. Të partisë që është shtet. Të Shtetit që shndërrohet në një parti.

Histori e njohur për të gjithë ne. Gjithsesi.

(Blerim Shala është Nënkryetar i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express)
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi