Është i papranueshëm vizatimi i “hartave etnike” në Kosovë “në emër të procesit të decentralizimit

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Është i papranueshëm vizatimi i “hartave etnike” në Kosovë “në emër të procesit të decentralizimit

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat Jul 04, 2009 1:07 pm





(Kumtesë e përgatitur për Konferencën “Procesi i Decentralizimit- Mësimet nga Maqedonia”, e mbajtur në Prishtinë me 5 prill 2006)

Shkruan: Esat STAVILECI, profesor i Universitetit të Prishtinës



Vërejtjet hyrëse

Raundi i tretë i bisedimeve në Vienë rreth procesit të decentralizimit në Kosovë “nxori në sipërfaqe”atë për të cilën dihej përpara:pretendimin e Serbisë për decentralizimin “në vija etnike” që lidhë “vendbanimet me shumicë serbe”me “qendrën në Beograd” apo dhe ndarjen e Kosovës në dy entitete.Edhe me këtë rast u dëshmua se Serbia “më shumë se për serbët e Kosovës”interesohet për “territoret serbe në Kosovë”.

Raundi i ardhshëm i bisedimeve,siç është paralajmëruar,do të ketë për temë çështjen e “ruajtjes së trashëgimisë serbe në Kosovë” dhe, sipas të gjitha gjasave,me këtë rast do të shtrohet kërkesa serbe për “statusin e veçantë për monumentet historike, kulturore e fetare serbe në Kosovë”. Ai raund i bisedimeve, po sikurse dhe ky i fundit, do ta përballë Delegacionin e Kosovës me sfida të reja dhe kërkesa të ndërkombëtarëve për “koncesione të reja”.

“Emërues i përbashkët” i këtyre dy temave,vetëm në dukje të parë të ndryshme, është burimi i tyre nga projekti serb i decentralizimit.

Përshëndes Shoqatën e Pavarur të Juristëve të Kosovës dhe Fonfacionin gjerman “Friedrich Naumann Stiftung” për organizimin e kësaj konference dhe mundësinë që në të “të kryqëzohen” pikëpamje në lidhje me procesin e decentralizimit në Kosovë i cili, po e shpreh qysh në vrojtimet hyrëse se ka filluar me “parimin etnik dhe territorial” dhe nuk është nisur me parimin joetnik dhe joterritorial.Organizatorët kanë dëshmuar të vërtetën se nuk është “koha që zgjedh temën”, por e kundërta. Eshtë “tema ajo që e zgjedh kohën”.


VEREJTJET PARIMORE NE LIDHJE ME PROCESIN E DECENTRALIZIMIT NE KOSOVE

Vërejtja e parë ka të bëjë me “modelin”e sugjeruar ose “të gjetur” për decentralizimin në Kosovë. ”Mësimet nga Maqedonia” mund të ndihmojnë ndërtimin e procesit,por nuk mund të sherbejnë si bazë për formësimin e modelit,sepse “modeli maqedonas” nuk përkon me realitetin në Kosovë dhe ky është një fakt që nuk bën të injorohet.

Modelin e decentralizimit në Kosovë do të duhej ta sugjeronin qytetarët e saj, ata të cilëve “u referohet” ai dhe kjo do të duhej të ishte pikë qendrore e kërkimit të modelit të decentralizimit për Kosovën. Në lidhje me këtë duhet pasur parasysh se Kosova nuk përbën “mozaik nacional”, siç pretendohet të paraqitet, se në Kosovë bëhet fjalë për kuantume dhe proporcione hapësinore dhe kombëtare krejtësisht të ndryshme nga ato që ekzistojnë në Maqedoni, se territori i Kosovës nuk është i “karakterit enklav” dhe se në Kosovë të gjitha makrozonat janë “të populluara” me shumicë shqiptare.


DECENTRALIZIMI DUHET TE ZHVISHET NGA “PETKU TERRITORIAL DHE ETNIK”

Në lidhje me vërejtjen e parë buron vërejtja e dytë.Në kushtet dhe rrethanat në Kosovë, decentralizimi duhet të mbrojë karakterin unik të Kosovës. Ky është “çelësi kryesor”dhe parimi themelor nga i cili duhet të ndërtohet procesi i decentralizimit në Kosovë.

Mbi këtë parim,do të menjanohej “identifikimi i decentralizimit me ndarjen territoriale”, do të parandalohej territorializimi etnik i Kosovës dhe do të pengohej krijimi i komunave ose njësive të komunave mbi “baza etnike”. Ky parim, në të vërtetë, do t’i kundërvihej idesë për “territorializimin e çështjes serbe në Kosovë”, ide kjo që përshkon “planin serb për decentralizimin në Kosovë” dhe që pretendon “të përvidhet” në një mënyrë ose në një tjetër “në emër të kompromisit”.

Porosia është e qartë: decentralizimi duhet të zhvishet nga “petku territorial dhe etnik”.

Vërejtja e tretë shtrohet në lidhje me çastin kur diskutohet çështja e decentralizimit. Kjo vërejtje është e natyrës parimore. Në të vërtetë, bëhët pyetja se cili do të ishte çasti më i përshtatshëm: para vendosjes së statusit, siç pretendohet, sado që ka “arsyetime” se implementimi, pra zbatimi do të ndodhë pas vendosjes së statusit apo problemi të hapet pas vendosjes së statusit,në mënyrë që decentralizimi të mos jetë paragjykues për modalitetet e vetë statusit.

Në lidhje me këtë do të mund të shtroheshin edhe disa pyetje të tjera,si për shembull: meqenëse Kosova dhe institucionet e saj ende nuk kanë pushtet qendror të formësuar, çfarë do të mund “të decentralizohej;si mund të “depushtëzohen” institucionet qendrore përpara se të “pushtëzohen; si mund “të vendosen kornizat e pushtetit vendor” përpara se të vendosen ato të pushtetit qendror, duke pasur parasysh edhe konceptet teorike mbi thelbin e qeverisjes vendore se, në fakt, ”përmblidhet në qeverisjen që nuk është e rezervuar për pushtetin qendror”.


KOSOVA DHE SERBIA NUK “KUFIZOHEN”TEK LUMI IBER

Vërejtja e ardhshshme i referohet problemit të veriut të Kosovës i cili,siç dihet, mbahet i kontrolluar nga Qeveria e Serbisë dhe që, në fakt, është “i shkëputur nga institucionet e Kosovës”. Kjo ndërlidhet me rezervat që kam mbajtur dhe që vazhdoj t’ mbaj përkitazi me procesin negociator dhe “trysninë ndërkombëtare” për fillimin e tij, pa siguruar, ndër të tjera, unifikimin e territorit të Kosovës,me vërejtjen se Kosova dhe Serbia nuk “kufizohen” tek lumi Ibër, por tek kufiri Kosovë –Serbi.

Ajo pjesë e territorit të Kosovës shtrihet në 18,76% te territorit të gjithmbarshëm të saj. Pasojat mund të jenë të pariparueshme dhe paralajmërimet për këtë veç po arrijnë nga Zyra e Artisarit se në veri do të krijohet komunë e re e Mitrovicës. Se çfarë do të thotë kjo për Kosovën dhe territorin e saj nuk ka nevojë për shumë koment.

Vërejtja e pestë zbret në komentimin e kërkesave serbe për “zgjerimin e kompetencave” të “komunave serbe”apo “me shumicë serbe”. Ato kërkesa shpërthejnë kufijtë e kompetencave të komunave të vendosura si standarde për pushtetin vendor. Nëse gjithë kësaj i shtojmë dhe kërkesën për “lidhjen zinxhirore të tyre”, orekset serbe bëhen shumë transpararente dhe ato vazhdojnë “të ushqehen”me miratimin e ndërkombëtarëve, drejtpërsëdrejti ose tërthoras, si “çmim që duhet të paguaj Kosova” për “fitimin e pavarësisë”.


MUNDESIA QE KOSOVA “TE NDESHET”ME “FUSHA TE MINUARA”

Vërejtja vijuese ndalet te një rol shumë i theksuar i Beogradit në financimin e komunave “që do të lindin nga procesi i negociatave”. Dokumenti i decentralizimit, ”i popullarizuar”si “letër e Rohanit” jo vetëm që “lejon financimet nga Beogradi”, por edhe më shumë:kërkon që “financimet nga Beogradi të kenë një trajtim të privilegjuar”, pa siguruar se mjetet “do të kalojnë nëpër Thesarin e Kosoës”.

Përveç kësaj,gjuha “shumë përgjithësuese e dokumentit”le mundësia të hapura për interpretime të ndërhyrjes së Beogradit në shumë segmente të qeverisjes në “komunat serbe”ose “me shumicë serbe”. Mundësia që Kosova “të ndeshet”me “fusha të minuara” është e konsiderueshme, ndërsa pasojat që tash sikur “nuk merren parasysh”, mund të prodhojnë pasoja të rënda në periudhën e passtatusit.

Vërejtja e shtatë ngrit një shqetësim të veçantë në kuadër të procesit të decentralizimit.Bëhët fjalë për mundësinë e vendosjes “nën status të posaçëm” të monumenteve kishtare serbe në Kosovë”. Edhe pse praktika e exterritorialitetit sikur “ka përenduar nga e drejta ndërkombëtare”, ajo sikur pretendon “të rikthehet në Kosovë”, pa vra mendjen se “krijimi i zonave exterritoriale”në hapësira prej qindra e qindra hektarësh rreth objekteve kishtare serbe, përveç se “do të cungojë territorin e Kosovës”dhe me këtë dhe “pavarësinë e saj”,do të prodhojë “gjendje konfliktesh”.

Kur e shfaq këtë shqetësim,kam parasysh tendencat që në ato hapësira rreth objekteve kishtare serbe “të ngriten vendbanime për pakicën serbe” të cilat, siç mendohet,do të vendoseshin “jashtë institucioneve të Kosoëvs”. Nuk mund të mos e shpreh se këto kërkesa serbe që “territoret e Kosovës të shpallen territore jashtë Kosovës” të përkujtojnë “mbrojtjen e kultit në mesjetë”.


SERBISE QE “DO TE DALE NGA KOSOVA NGA NJE DERE E MADHE”NUK DUHET LEJUAR “QE TE HYJE NE TE”NGA NJE “DERE E VOGEL”

Vërejtja e tetë përgjithëson përpjekjet serbe për “ta kthyer lojën”me Kosovën në fillimet e saj, do të thotë për “të krijuar terren”për “ndërhyrjet në proceset e qeverisjes dhe jetën institucionale në Kosovë”. Po qe se mendohet se këtë “nuk do ta lejojë bashkësia ndërkombëetare”, jemi para rrezikut që të krijojmë një “iluzion të gabueshëm”,sepse bashkësia ndërkombëtare, megjithë vendosjen e pransië së saj në Kosovë, kishte lejuar “ndërhyrje të Serbisë në jetën institucionale në Kosovë”.

Do të përmend dy a tre shembuj me këtë rast.Para syve të UNMIK-ut dhe me miratimin e tij,qe lejua certifikimi i partive politike serbe “me seli në Serbi, për pjesëmarrje për zgjedhjet në Kosovë”. Para syve të UNMIK-ut dhe me miratimin e tij qe lejua që serbët e Kosovës “të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale në Serbi”. Dhe, të përmen edhe një shembull tjetër. Me “miratimin e bashkësisë ndërkombëtare qe lejua që në preambulën apo pjesën hyrëse të një dokumenti që mëtonte të ishte një akt kushtetues i përbashkët i Serbisë dhe Malit të Zi, brendapërbrenda tij të përmendet edhe “Kosova e Metohia”.

Tash sikur, me dokumentin e decentralizimit “ngjallen orekset” e Serbisë për “ndërhyrje në Kosovë” që mund të krijojnë një gjendje paradoksale: që Serbia “të dalë nga një derë e madhe nga Kosova” dhe sërish “të hyjë në te nga një derë e vogël”.

Vërejtja e parafundit shtrihet në nevojat reale që ndien Kosova për rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike dhe të reformimit të administratës publike për të gjithë qytetarët pa përjashtim dhe në këtë kuadër, nevojat “për dekoncentrim të pushtetit” në territoret të cilat “efektivisht kontrollohen nga serbët”. Këto nevoja mund të diskutohen ndaras, me gjithë lidhjen logjike që kanë dhe mund të kenë me procesin e decentralizimit.

Nëpërmjet të dekoncentrimit të pushtetit,për aq sa “është i përqëndruar”, do të mund të krijoheshin hapësira:për shpërndarjen e përgjegjësive në shkallë më të ulta të qeverisjes; afrimin e shërbimeve qytetarëve; shkurtimin e rrugëve të komunikimit të pushtetit me qytetarët; përshtatjes së kushteve dhe rrethanave të caktuara të mjedisit të caktuar; identifikimit më të lehtë të parregullësive; individualizimit të përgjegjësive etj., që, në të vërtetë, përbëjnë edhe përparësitë e decentralizimit përgjithësisht.


CDO PROCES TE VENDOSET NE “KUADRIN LIGJOR”TE KOSOVES

Vërejta e dhjetë dhe e fundit që po theksoj me këtë rast në këtë konferencë,është domosdoja që çdo proces që po ndodhë dhe do të ndodhë në të ardhmen në Kosovë të vendoset në “kuadrin ligjor të Kosovës”, sepse “poqese nuk do të ndodhë zbatimi unik i ligjeve në Kosovë, nëpër tërë territorin e saj”, megjithë përkufizimin e statusit, Kosova do të përballet me sfida të mëdha.


Vërejtjet mbyllëse

Decentralizimin,as si nocion,as si koncept dhe as si kategori kushtetuese,nuk e kundërshtoj. Por, për shkak të konfuzionit që mund të krijojnë dhe po krijojnë “ofertat për decentralizimin në Kosovë”, vëmendja duhet të përqëndrohet në reflektimin e tij në proceset e tashme dhe të ardhshme zhvillimore në Kosovë.

Në këtë kumtesë tërheq vërejtjen se “përfillja pa kriter” e konceptit serb të decentralizimit që synon të afirmojë identë territoriale si “formë të zgjidhjes së konflikteve ndëretnike”, në të vërtetë,mund të jetë prodhim i burimit të ri të konflikteve.

Një fakt tjetër që nuk e favorizon përshpejtimin e procesit të decentralizimit në Kosovë, në mënyrë të veçantë të “implementimit të tij para statusit”, është se institucionet e Kosovës ende nuk kanë kompetenca të plota, madje dhe ato që i kanë, nuk i shtrijnë në tërë territorin e Kosovës që vetvetiu,shtrojnë nevojën që përpara se të vendoset për decentralizimin,të sigurohet unifikimi i territorit të Kosovës në kufijtë e tij.

Cdo “imponim i modelit të decentralizimit në Kosovë” do të mund të kthehej në efekt të kundërt me qëllimin e tij

Veçanërisht do të ishte i dëmshëm imponimi i projektit të decentralizimit “të mveshur me petkun territorial dhe etnik”, me qëllim të krijimit të privilegjeve për pakicën serbe në Kosovë. Sepse, po qe se do të ndodhte krijimi i privilegjeve për pakicën serbe, ajo përpara se “të integrohej”, do të “dezintegrohej” dhe për këtë duhet menduar mirë e mirë.

Problemi me “ruajtjen e interesave serbe në Kosovë” është një problem më vete dhe në lidhje me te shqiptaët duhet të ndihmojnë në përpjekjet për të gjetur zgjidhje “për ruajtjen e interesit të popullaës serbe dhe të trashëgimisë së tyre në Kosovë”, po sikurse që serbët do të duhej të dëshmoheshin me integrimin e tyre në institucionet e Kosovës dhe të pajtoheshin me realitetet e krijuara në Kosovë dhe me njohjen e statusit të saj në përputhje me vullnetin e popullit shumicë në të.

Abstenimi i tashëm i serbëve në institucionet e Kosovës ndodh me porosinë e Beogradit dhe çdo veprim i tyre në Kosovë është “nën kujdestarinë”e tij. Serbia kërkon “krijimin e dy entiteteve në Kosovë” dhe këtë plan nuk e fsheh. Ai plan është një “agjendë për ndarje etnike, e jo për integrim”.

Për këtë duhet të jetë e vetëdijshme bashkësia ndërkobëtare dhe në vend të deklarimit verbal se “nuk do të lejojë” duhet të ndërmerr veprime konkrete që “të parandalojë”. Cdo veprim i saj i “jashtëkohshëm “nuk do të prodhonte efekte për Kosovën dhe ruajtjen e integritetit territorial të saj, por “pavarësisë së saj” do “t’i jepte shije të hidhur”.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi