Përbashkimin s’e bën vetëm dëshira

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Përbashkimin s’e bën vetëm dëshira

Mesazh nga Agim Gashi prej Thu Sep 03, 2009 9:19 pm

Përbashkimin s’e bën vetëm dëshira

Xhevat SYLA, shkrimtar
Debate

Këto ditë u riaktualizua në shtyp çështja e unifikimit të planeve dhe programeve mësimore dhe e teksteve shkollore në mbarë hapësirën tonë kombëtare. Ajo që është edhe më me rëndësi është shprehja e gatishmërisë, sado deklarative, e faktorëve përgjegjës të arsimit në Kosovë dhe në Shqipëri për t’i përkrahur dhe shtyrë këto punë përpara.
Mirëpo, dëshiroj të përkujtoj se kjo gatishmëri nuk shprehet për herë të parë. Përpjekje të këtilla ka pasur edhe më herët. Madje, rezultate të rëndësishme në këtë fushë janë shënuar pikërisht në kohën e aparteidit mbi arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, pra në vitet ’90, në kohën e pushtetit okupues serb. Atëbotë në Kosovë kushtet për punë ishin tejet të rënda, para së gjithash për shkak të largimit të institucioneve arsimore e kulturore nga objektet e tyre, për shkak të përjashtimit të tyre nga sistemi i financimit, si dhe për shkak të ndjekjeve të vazhdueshme policore dhe të ngushtimit të hapësirës së veprimit. Në këto rrethana kishim mirëkuptimin e plotë të institucioneve arsimore dhe kulturore të Shqipërisë. Ekipe ekspertësh nga Kosova, duke kaluar kufijtë e hekurt, rrugëve e dhiareve, me letra e pa letra, arritën të bashkoheshin me kolegët e tyre në Shqipëri për t’i harmonizuar planet e programet mësimore për shumë lëndë mësimore, posaçërisht për ato që kanë të bëjnë me identitetin tonë. Paralelisht me krijimin e kësaj baze u punua edhe në sigurimin e teksteve të përbashkëta shkollore për lëndën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, të historisë, të edukatës qytetare etj. Duhet theksuar me këtë rast se, që në fillim të viteve ’90-të, pra para krijimit të këtyre teksteve, nga Shtëpia Botuese Libri Shkollor e Tiranës u morën për përdorim dhe u botuan për nevojat e nxënësve në Kosovë edhe tekstet e matematikës për ciklin e ulët të shkollës fillore, tekstet e gjuhëve të huaja për shkollën fillore dhe të mesme, si dhe një numër të konsiderueshëm i teksteve të lëndëve të arsimit të mesëm profesional. Arsyeja ishte se deri atëherë në Kosovë këto tekste ishin marrë kryesisht nga Beogradi, meqë kishin rezultuar të pasuksesshme disa përpjekje për krijimin e tyre nga ana e autorëve tanë.
Një përpjekje, po ashtu serioze, e iniciuar nga ministri i atëhershëm i Arsimit të Shqipërisë, z. Ethem Ruka, dhe e përkrahur pa rezervë nga Ministria e Arsimit në Kosovë, por edhe nga përgjegjësit shqiptarë për arsimin shqip në trojet e tjera etnike shqiptare në Mal të Zi, në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës, menjëherë pas mbarimit të luftës në Kosovë, ishte edhe nisma për krijimin e Abetares mbarëkombëtare. Ekspertë nga të gjitha këto hapësira kombëtare hartuan kriteret për krijimin e Abetares dhe u shpall konkursi në të cilin patën arritur dhjetë dorëshkrime. Megjithatë, ai konkurs nuk arriti të japë rezultatin që pritej. Në bazë të propozimit të komisionit të përbashkët vlerësues, doli vendimi për botimin e tri abetareve – dy në Shqipëri dhe një në Kosovë. Si njeri që kam marrë pjesë në disa punë përgatitore dhe që kam përcjellë me vëmendje punët për realizimin e tyre, kurrënjëherë nuk e kam pasur të qartë nëse për një vendim të tillë patën ndikim vetëm çështjet profesionale apo ai doli edhe si rezultat i interesave të caktuara të ngushta. Prandaj, gjendja ngeli ajo që ishte. Në hapësirat shqiptare ende vazhduan dhe vazhdojnë të botohen dhe të përdoren abetare të ndryshme, sigurisht më cilësore. Si rezultat i këtij konkursi, por edhe i angazhimit të drejtpërdrejtë nga Ministria e Arsimit e Kosovës pati dalë edhe abetarja më e re e Qamil Batallit (botimi i vitit 2003), e cila në deklaratat e njerëzve përgjegjës të arsimit disa herë u përzje me abetaren e tij të krijuar para njëzet e sa vitesh që ishte në përdorim deri në vitin 2003.
Nisma më e re për unifikimin e programeve mësimore dhe të teksteve shkollore vjen në kohën e kushteve më të favorshme që kemi pasur ndonjëherë, por edhe në kohën kur dukej se kjo çështje pothuajse ishte harruar. Urojmë që kjo nismë të marrë udhën që dëshirohet, duke kapërcyer mbi interesat e ngushta eventuale, të cilat rëndom shiten nën petkun e gjoja demokratizimit, të konkurrencës dhe të shumësisë së vlerave. Pikërisht duke respektuar këto vlera, ka mundësi të vihet deri tek të arriturat që dëshirojmë dhe i janë aq të nevojshme të arsimit tonë, përkatësisht fëmijës dhe të riut tanë në mbarë hapësirën tonë kombëtare. Konsolidimi i vlerave në këtë hapësirë do të jetë parakusht për integrimet tona të mëtejme dhe për konkurrencën në një treg më të gjerë. Përbashkimin s’e bën vetëm dëshira. Nevojiten hapa konkretë të atyre që duhet të jenë bartësit kryesorë të realizimit të këtyre synimeve – ekspertëve, të cilët do të bëjnë unifikimin e programeve, të atyre të cilët do të përkujdesen që në baza institucionale të sigurohet mbarëvajtja e punëve e deri tek ata që do t’i shkruajnë tekstet.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi