Teki Dervishi:Mbështille diplomacinë me një copë gazetë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Teki Dervishi:Mbështille diplomacinë me një copë gazetë

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Sep 08, 2009 9:07 pm

Mbështille diplomacinë me një copë gazetë

Teki DERVISHI
Sheshi në sirtar

Gazetat shërbejnë për t’u demantuar deklaratat dhe vendimet zyrtare, të cilat gjithmonë “i keqkupton” opinion i gjerë, opinioni i instrumentalizuar nga kujt kushit i teket t’ia fusë kot. Gazetat janë edhe për diçka tjetër, por për “diçka tjetër” janë në vendet e lira, ku rëndom gazetat nuk mburren duke deklaruar se janë “ta pavarura”. Në shtetet e varura gazetat janë gjithmonë të “pavarura”, shembull ja ku e ke Kosovën.
(P.sh. EULEX-i demanton se tinëzisht ka bërë allishverish me shokët serbë të policisë që i ka demokratizuar Tadiqi me prospektin e Solanës). Çifti i “demokracisë” evropiane, demantin e praktikon në mënyrë shumë të sofistikuar, jo për tjetër, por për ta mbajtur “nivelin” e bashkëpunimit “miqësor” “diplomatik” në marrëdhënie “politike”, ose në ndërtimin e tyre, që rëndom është i imponuar, jo vetëm me diplomaci por edhe me polici. Lexo: po thonë se do të merren vesh me lidershipin e Kosovës, dhe me ta do t’ia lidhin kryet kësaj zallahie që e shkaktoi media “e pavarur”.
Policia me polici! Pra policia dhe demokracia, të dyja bashkë, se thonë pa polici - demokracia shndërrohet në anarki. Pra më mirë diktaturë, se anarki. Aty ku vendoset diktatura, dije se aty më parë ka pasur - anarki! Sidomos në vendet ku “rinia demokratike” eksporton demokracinë nga shtetet e zhvilluara të Evropës, me të cilën “demokraci” ndërton shtetformimin e saj në diktaturë policore të okupatorit, dhe kështu e eliminon anarkinë. Në diktaturë ka qetësi policore, që ndryshe i thonë dëgjueshmëri, lojalitet qytetar. Diktatura i bën qytetarët që me sy plot shkëndija mirënjohjeje t’i shikojnë ata që ndihmojnë zbatimin e ligjit, rendit dhe që nuk lejojnë anarki. Kontrabandë dhe mafia, po, por anarki - jo! Ilaçi i anarkisë është policia dhe armata ndërkombëtare! Kështu na mëson historia që nga Xhigis Kani, Hanibali, Aleksandri i Madh, Mark Antoni, Bonaparta e deri te shokët Hitler e Milosheviq.
Nga përvojat që njeh “historia e diplomacisë”, sidomos në kohën para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, “miqësitë aleate” spektakularizoheshin me protokolle si ato të Stalinit dhe Çemberlenit që lidhën me Hitlerin, për mossulmim ushtarak. Por sulmi i Hitlerit në Rusi dhe Angli megjithatë ndodhi edhe pas protokolleve për “paqe”. Kur ia krisi Hitleri Anglisë dhe Rusisë, atëherë i demantuan protokollet, se media ende nuk ishte e pavarur, që t’ia lënin fajin asaj. Protokollet u quajtën “kontekste të gabuara” në marrëdhëniet e vendosura me armiq. Ishin ato marrëveshje që janë festuar duke i trembur djajtë e ujit me cingërima gotash shampanje! Pas cingërimave të gotave shampanje, cingëruan bombat në Shlezi!
Është gjithnjë solemn spektakulariteti i “përkrahjes” ndërkombëtare që i bëhet Kosovës, me fishekzjarrë deklaratash boshe, por përkrahje i bëhet Kosovës për “të nesërmen” e lavdishme të saj, e cila vjen pasnesër me ndihmën e policisë serbe dhe asaj të EULEX-it. Në realitetin politik aktual, situata e krizës humanitare dhe ekologjike shkon gjithnjë duke marrë tatëpjetën e krizës dhe të mosmarrëveshjeve që i shkakton “media”, kush tjetër?! Ah, kjo media! Media ka faj, sepse është “e pavarur” dhe nuk ia var fare “institucioneve” ndërkombëtare, të cilat edhe e sponsorojnë median. Po, po, media! (Kështu thanë këto ditë zotërinjtë, thanë se media po problematizon çështjen e protokollit me policë serbë, se jo… mirë është puna, me një fjalë nuk është aq keq qysh po e paraqet media. Pra demantohet media).
Kjo media, me fakturë joserioze, e papërgjegjshme, media që kërkon ekskluzivitet, tema sensacionale me të cilat sensacione e ka vënë në gjumë opinionin, qytetarët e parapaguar optimistë. Pra “moskuptimet”, deklarimet e demantuara nuk prezantohen si zyrtare, por si të pavarura në natyrën e pavarësisë politike të medias. Realiteti (e vërteta) asnjëherë nuk i arsyeton “mjetet e qëllimit”, sepse qëllimi është strategjik dhe asnjëherë nuk transparentohet në masën e duhur. Kështu për shkak se demantimit nuk është tjetër pos instrument i propagandës, një sforcim i qëndrimit zyrtar, “jo kështu” si kanë “prejudikuar” mediat, por kështu si qëndron puna bash zyrtarisht. Kështu fuqia policore injoron opinionin, qytetarët, popullin. Është një popull i pafuqishëm, është mësuar ta shohë çlirimtarin në fytyrën e okupatorit, prandaj injoroje deri në pikë të fundit.
Pra ky është qëllimi i deklaratave të eminentes evropiane mbi situatën e sotme në Kosovë. Ata nuk kanë frikë, ndaj janë arrogant, cinik, injorues. Dhe kjo paraqitje “në dritë” e një terri të krizës, opinionin e Kosovës e shtyn të mendojë se “puna do të rregullohet” pasi që po thonë kështu në Bruksel , po garantojnë “figurat eminente”. Ec e kritiko diçka që lavdërojnë evropianet! Kjo situatë ka shkuar shumë larg, sa mund të themi, në mënyrë metaforike, populli i Kosovës është bërë pozitë ndërkombëtare përballë opozitës inekzistente vendore.
“Diplomacisë” evropiane i ka dalë boja në Kosovë. Ajo kujton se ende mund ta procedojë në media, aty të censurojë dykuptimësinë konfendinciale të strategjive të djallit, të strategjive cilat i përballë bipolariteti, interesi banal i fuqive të mëdha. Atje në Bruksel dhe në Kremlin e thonë të vërtetën, e kur e dëgjojmë ne, neve na thonë: “Nuk kemi dashur të themi ashtu, po kështu!” Sidoqoftë, propaganda mund të pijë ujë vetëm në vendet ku populli shpreson se kriza është ende në fazën e riparimit, ku anarkia zëvendësohet me diktaturë të egër policore.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi