Shqipëria model i kulturës dhe tolerancës

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Shqipëria model i kulturës dhe tolerancës

Mesazh nga Agim Gashi prej Wed Oct 28, 2009 12:40 am

Shqipëria model i kulturës dhe tolerancës

Bamir Topi, president i Shqipërisë


Padyshim ky takim shumë i veçantë, na ka mbledhur sot këtu të gjithëve. Dëshiroj të them që në fillim se gjatë viteve të fundit temat e dialogut ndërfetar janë shndërruar në objekt ballafaqimi dhe debati me pjesëmarrjen gjithnjë e më të gjerë të forumeve dhe të opinionit publik. Në këtë vazhdë edhe seminari i sotëm, është një kontribut i mirëpritur në favor të dialogut si mjeti i vetëm, më demokratiku dhe më i suksesshmi për iniciativa të tilla. Gjej rast të falenderoj organizatorët për ftesën, të përshëndes miq e të ftuar dhe t’ju siguroj për mbështetjen time duke ju uruar sukses të plotë!
Mesdheu është djepi i qytetërimit tonë, pse jo le të guxojmë e të themi, edhe i qytetërimeve, eshtë djepi i tri feve të mëdha moneteiste: hebraizmit, kristianizmit dhe islamizmit, kësaj pasurie të madhe shpirtërore e kulturore të botës. Në momente të tilla, ndoshta nga referues të ndryshëm mund të ketë dhe referenca të njëjta. Kjo tregon madhështinë e njerëzve që kanë studiuar këtë botë, por pa dashur të përsërisim njëri-tjetrin, me besnikëri i referohemi të njëjta thënieve. Kështu, një historian i njohur e ka thënë që “Mesdheu nuk është një gjë, po një mijë gjëra së bashku, nuk është një peisazh, por një sasi e panumërueshme peisazhesh, nuk është një det, por dete të njëpasnjëshme, nuk është vetëm një civilizim, por shumë civilizime të vendosura mbi njëra-tjetrën, apo në krah të njëri-tjetrit”. Pra, Mesdheu nuk është thjesht një ekosistem fizik, gjeografik, por është një histori e tërë. Mjafton t’i referohemi pak kilometrave katrorë në qendër të Jeruzalemit për ta kuptuar këtë gjë.
Gjatë shekujve Mesdheu ka qenë një vend bashkëjetese, takimi, shkëmbimi, por edhe luftrash, përplasje e dhune ndërmjet atyre që e ndryshmja e tjetrit, u dukej si kërcënim për veten. Por edhe në kohë përplasjesh të mëdha, njerëzimi është ndalur dhe ka reflektuar për të gjetur zgjidhje, për të ndërtuar bashkëjetesën paqësore brenda vetë përbërësve të shoqërive të tyre në fermentim, si dhe me fqinjët e një tjetër besimi. Shembujt madje vinë edhe nga Mesjeta. Në Evropë, Shën Toma i Akuinit predikonte një teologjizëm racional që i lejonte krishterimit të bashkëjetonte me të kaluarën laike, e gjithashtu në botën muslimane, racionalizmi i Averroas kishte pasuesit e vet dhe shfaqej herë pas herë përmes sfidash të ndryshme. Sot dominojnë jo vetëm individët e iluminuar, por edhe shoqëritë edhe shtetet që janë të interesuara që vendin e antagonizmit ta zërë bashkëpunimi dhe pranimi i njëri-tjetrit. Natyrisht, ky është një proces që për arsye të ndryshme do të ketë mbështetës dhe kundërshtarë, të cilët ballafaqohen nëpërmjet artikulimit politik.
Dialektika historike në Mesdhe ka lënë gjurmët e saj. Ka krijuar realitete të patjetërsueshme, frymëmarrja e të cilave është e gjerë. Ajo përballet sot me tendenca tradicionaliste dhe fenomene të reja, herë-herë edhe të kundërta, që e kanë sjellë vëmendjen mbi problemet e dialogut ndërfetar si domosdoshmëri, suksesi i të cilit shihet si zgjidhje. Nga njëra anë globalizmi, e nga tjetra fondamentalizmi i natyrave të ndryshme, zgjerimi i Evropës dhe tendeca e ruajtjes së veçorive lokale, iniciativat e komunikimit ndërfetar apo aktet terroriste frenuese. Këto ballafaqime kanë zgjuar refleksione të mëdha, duke u bërë pjesë e jetës së përditshme. Çdo njëri prej nesh shtron pyetjen se cilat janë marrëdhëniet e vërteta ndërmjet popujve të Mesdheut sot, si është thelbi i tyre dhe cili është qëllimi, cilat janë rezultatet e arritura dhe cilat janë ato gjëra që duhet të bëjmë në të ardhmen?
Më konkretisht brigjet ballkanike të Mesdheut, sa i njohin kulturat, mënyrat e jetesës, historinë, fenë e brigjeve të jugut apo veriut të Mesdheut e anasjelltas? Nuk ekziston vetëm një përgjigje, por jam i bindur që për të gjitha këto mund të diskutohet me qetësi dhe respekt reciprok, me objektivitet shkencor dhe me një dëshirë të fortë njohëse, integruese, ashtu siç është edhe fryma e fesë dhe e këtij seminari. Mesdheu është një njësi e përbashkët, ku siç thamë jetojnë shumë kultura, dhe këto kultura kanë ndërvepruar në shekuj: Spanja arabe, Siçilia arabe, Egjeu venedikas dhe gjenovez, Afrika prokonsullore franceze, Shqipëria me influkse venedikase, otomane etj. Kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe nga e kaluara duhet të shpëtojmë momentet dhe takimet më pozitive, të restaurojmë jo vetëm tempujt dhe ujësjellësit, mozaikët dhe rrugët e vjetra, por edhe miqësinë, e cila gjithmonë ka ekzistuar ndërmjet njerëzve vullnetmirë.
Nga përvoja e vendit tim, unë jam i bindur se qytetarët e Mesdheut duhet të hyjnë në skenën publike të vendeve të tyre, në radhë të parë si qytetarë, duke e konsideruar si tërësisht individuale çështjen e besimit, pra me identitetin e tyre demokratik dhe jo me identitetin e tyre fetar.
Kjo nënkupton gjithashtu, pranimin e pluralizmit fetar si një të drejtë, mbrojtjen e të drejtave individuale e fetare, dialogun ndërmjet identiteteve të ndryshme të Mesdheut, dialogun ndërmjet institucioneve fetare dhe shtetit, ku asnjëra palë të mos interferojë tek hapësira e tjetrit, gjithmonë duke ruajtur bashkëpunimin ndërmjet shtetit dhe fesë në respekt të kushtetutës.
Të nderuar miq!
Shumë nga paragjykimet e së shkuarës po bien! Lufta që NATO-ja bëri për të çliruar Kosovën, është dëshmia më e qartë e një mendësie të re, ku përkatësia fetare nuk ishte aspak faktor frenues për Aleancën. Përvoja ballkanike, madje edhe në epokën moderne, flet edhe në kahun tjetër, për ato raste të keqpërdorimit të përkatësisë fetare. Në ato raste kur feja është përdorur si instrument ideologjik për të ndërtuar shtete etnikisht të pastra, apo në mënyrë manipulative, si kundërvënie ndaj qytetërimeve me qëllim krijimin e marrëdhënies superior-inferior ndërmjet popujve, pasojat kanë qenë të tmerrshme, luftë dhe spastrime etnike me pasoja tragjike, si njolla të errëta në historinë tonë të përbashkët.
Është me domethënie organizimi i kësaj konference në Shqipëri. Ne të gjithë jemi krenarë për harmoninë e shkëlqyer që ekziston ndërmjet bashkësive fetare në vendin tonë, vend në të cilin brenda një kohe të shkurtër janë realizuar disa takime që evidentojnë në mënyrë të qartë këtë frymë. Ndërtimi dhe funksionimi i Këshillit Ndërfetar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve më të nderuar të komuniteteve fetare e tregon dhe e dëshmon këtë gjë në mënyrë shumë elokuente. Tri fetë që mbizotërojnë në Shqipëri janë si tre mure të së njëjtës ngrehinë shpirtërore, ku të gjithë janë njësoj të ligjshëm e njësoj të barabartë, ku liria e besimit, besimi i tjetrit, laiciteti, agnosticiteti është i shenjtë, i pacënueshëm, i mbrojtur mbi të gjitha nga shpirti i shqiptarëve e i garantuar nga Kushtetuta e vendit.
Kam kënaqësi të sugjeroj modelin shqiptar, si një vlerë për t’u marrë në konsideratë, si një përgjigje për shumë nga pyetjet, që vetë shtrova në fjalën time. Të shohin nga Shqipëria të gjithë ata që pesha e së kaluarës i bën që të jenë refraktarë ndaj harmonisë, dialogut dhe bashkëpunimit ndërfetar si dhe ato vende, ku nga lëvizjet migratore, krijohen realitete dhe prezenca të ndryshme nga ato të vendit. Studimi i arealit fetar shqiptar është një shans dhe zgjidhje njëkohësisht për bashkëkzistencën fetare. Historia na ka vënë në krah apo përballë njëri-tjetrit, pra përjetësisht jemi të “dënuar” të rrimë kështu, dhe jam i bindur që të gjithë aspirojmë një jetë më të mirë në paqe e harmoni. Për këtë duhen mbështetur pa kushte punëtorët e dialogut, këta qytetarë të progresit.
FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË SEMINARIN NDËRKOMBËTAR “SFIDA DHE ZGJIDHJE PËR BASHKËJETESËN FETARE NË RAJONIN E MESDHEUT”.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi