Cila është agjenda sekrete politike e Edi Ramës?

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Cila është agjenda sekrete politike e Edi Ramës?

Mesazh nga Agim Gashi prej Fri Nov 20, 2009 6:16 pm

Cila është agjenda sekrete politike e Edi Ramës?

Nga Kastriot MYFTARAJ


Pyetja që del natyrshëm duke parë mënyrën se si po vepron Edi Rama pas zgjedhjeve të qershorit, është nëse ai vërtet kërkon të ushtrojë të drejtën për hapjen e kutive ku gjenden fletët e votimit, apo kjo është thjesht një fazë apo një mjet për avancimin e një agjende politike të natyrës subversive, për përmbysje politike afatgjatë në Shqipëri. Me këtë nuk dua të them se nuk duhet të hapen kutitë e që mbajnë fletët e votimit, siç mund të mendojë ndokush

që i lexon këto rreshta. Unë jam që ato të hapen sepse kështu do të zbulohet pjesërisht agjenda sekrete e Edi Ramës, duke qenë se ai, në momentin që do të hapen kutitë do të ndryshojë qëndrim dhe do të fillojë të flaës për parregullsinë e kutive më tepër se për përmbajtjen e tyre, domethënë për parregullsinë e mënyrës se si janë mbyllur kutitë, e vulave të kutive etj.
Në këtë përfundim të çon fakti që Edi Rama nuk parapëlqeu që të ndiqte procedurën e parashikuar nga Kodi Zgjedhor (i hartuar krejtësisht sipas projektit të tij) për ankimin ndaj parregullsive në procesin e numërimit të votave. Në rast se në procesin e numërimit të votave komisionerët e opozitës kanë parë parregullsi dhe nuk kanë ndjekur procedurën ligjore për evidentimin dhe ankimimin ndaj tyre, atëherë këtë gjë ata e kanë bërë vetëm me urdhër të Edi Ramës apo sipas instruktimit paraprak prej tij. Aq më tepër kur sipas raportit të ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit, në 22 vendnumërimet e votave ku numërimi është bërë keq apo shumë keq PS kishte shumicën në 12 prej tyre, pra në më tepër se gjysmën. Kjo do të thotë se Edi Rama nuk ishte i interesuar fare për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, ku as kandidoi, por ai kërkonte t' i anulonte ato, në zbatim të agjendës sekrete politike të tij.
Edi Rama nuk kërkonte fitore në zgjedhjet e 28 qershorit për arsye se e dinte që atje edhe sikur të fitonte, kjo fitore do të ishte e ngushtë dhe ai do të kishte shumë probleme me grupin e vet parlamentar, ku të pakënaqurit do t' ia prishnin mazhorancën në çdo moment. Tashmë është një gjë e dukshme se Edi Rama, megjithëse ka bërë bërë të gjitha përpjekjet për t' u bërë një diktator i partisë, duke bërë edhe ndryshime statutore për këtë qëllim, nuk arrin dot që të ketë në PS kontrollin që ka Berisha në PD. Nëse Edi Rama do të kishte fituar zgjedhjet e 28 qershorit, ai nuk do të mund të qeveriste jo më me një mazhorancë me 74 deputetë, si Berisha, por as me 80 deputetë, aq më tepër kur Edi Rama nuk arriti ta bënte në shkallën e duhur spastrimin e grupit të vjetër parlamentar të PS. Në këto rrethana atij do t' i duhej një mazhorancë me mbi 80 deputetë për të qeverisur, nëse do të kishte fituar zgjedhjet e 28 qershorit, gjë që nuk mund të ndodhte, aq më tepër që ai nuk do të pëlqente bashkëqeverisjen me Ilir Metën.
Prandaj Edi Rama kishte planifikuar që të mos e pranonte rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke qenë se realizimi i objektivit të tij kërkonte që zgjedhjet të përsëriteshin. Përsëritja e zgjedhjeve i sjell katër avantazhe Edi Ramës, nga të cilët dy afatshkurtër dhe dy afatgjatë. E para, Edi Rama do të ketë një mundësi tjetër për të spastruar të padëshiruarit e mbetur nga lista e kandidatëve për deputetë të PS. E dyta, përsëritja e zgjedhjeve parlamentare do të çojë në një rrjedhje të madhe votash nga PD, që në mos do të shkojnë në favor të PS, nuk do të votojnë. është e kuptueshme se nëse PD pranon përsëritjen e zgjedhjeve, kjo do të thotë që t' i humbë ato në tavolinë. Pas kësaj i vetmi kuriozitet nuk do të jetë më rezultati i zgjedhjeve, por çështja se sa e thellë do të jetë humbja e PD, dhe fitorja e PS. E treta, LSI do të zhduket si parti parlamentare. E katërta, Berisha do të largohet nga drejtimi i PD (ai që para zgjedhjeve të kaluara kishte premtuar dorëheqjen në rast se humbte zgjedhjet), duke lënë pas një PD në një ditë shumë të keqe, derisa ka dalë nga një humbje në zgjedhje të përsëritura, ku ajo praktikisht del të ketë qenë manipuluese. Humbja e këtyre zgjedhjeve nga PD e mbetur dhe pa liderin e saj historik, do të shënojë pikënisjen e rënies së lirë elektorale të kësaj partie, e cila me kalimin e kohës do të fraksionohet duke mbetur një tjetër parti e vogël e politikës shqiptare.
Kështu do të realizohet plani i vjetër i Ramiz Alisë, i vitit 1990, sipas të cilit pluralizmi politik në Shqipëri duhet të ishte vetëm me një parti të madhe, PS, dhe me disa parti të tjera të vogla, si në të majtë ashtu dhe në të djathtë, pa pasur një parti të madhe rivale të PS. Kërkesa e Edi Ramës për hapjen e kutive, me të cilën kërkohet të gjendet pretekst për kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve, është pikërisht në funksion të riaktivizimit të këtij plani të hershëm të Ramiz Alisë, i cili mbetet ende aktiv pas kuintave në PS, derisa doli para pak ditësh në kohën më të ndjekur televizive në emisionin e Sokol Ballës, për një intervistë prej rreth dy orësh.
Agjenda sekrete e Edi Ramës është zhdukja e pluralizmit politik në Shqipëri për 20-30 vjetët e ardhshëm. Edi Rama është 45 vjet dhe tashmë është e qartë se ai planifikon që të rrijë në krye të PS edhe për 20-30 vjet, për të mos thënë sa të jetë gjallë, si Andrea Papandreu, babai i mikut të tij të ngushtë, Jorgo Papandreu. Kjo kërkon që përballë PS të mos ketë një parti rivale të madhe, pra që të mos ekzistojë PD si një parti e madhe, çka do të justifikojë tiraninë e Edi Ramës në politikën shqiptare. Kështu që përsëritja e zgjedhjeve, nuk do të shënojë fitoren mbi tiraninë, siç pretendon Ngjela, por fitoren e tiranisë, e një tiranie të paparë politike në Shqipëri, që nga koha e Enver Hoxhës dhe të cilën as Berisha dhe as Nano nuk kanë arritur kurrë që ta ushtrojnë as për së afërmi.
Qendrat relevante ndërkombëtare, të cilat monitorjnë dhe influencojën politikën shqiptare, dhe në radhë të parë amerikanët, duhet ta kenë të qartë këtë gjë. Që t' i pritet rruga zbatimit të agjendës për triumfin e tiranisë, duhet që ambasadori amerikan të bëjë atë që bëri me PD pas zgjedhjeve të vitit 2001, pra që t' i kërkojë PS të hyjë në parlament. Nëse nuk ndodh kështu, në Shqipëri do të ndodhin të gjitha të këqijat e imagjinueshme dhe trazirat që do të çojnë në përsëritjen e zgjedhjeve, do të jenë vetëm ato preliminare. Tirania afatgjatë e Edi Ramës, duke ditur dhe qarqet ndërkombëtare që janë pas tij, është një gjë e patolerueshme. Elektorati i majtë pro Edi Ramës duhet të pajtohet me idenë se Edi Rama mund të vijë në pushtet në 2013, në zgjedhjet e radhës, kur nuk ka rrezik që të zbatojë agjendën e tij për subversion afatgjatë në politikën shqiptare. Tekefundit Edi Rama është kryetar i një partie që ka katër vite në opozitë pas tetë vitesh qëndrimi në pushtet, kështu që nuk është ndonjë tragjedi se do të rrijë edhe katër vjet në opozitë.

Nga Kastriot MYFTARAJ
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi