Mësim qytetërimi

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Mësim qytetërimi

Mesazh nga Agim Gashi prej Sun Nov 23, 2008 4:33 am

Eugjen Merlika: Mësim qytetërimi



Eugjen Merlika
Mësim qytetërimi
Nga Eugjen Merlika
Votimet në SHBA për zgjedhjen e presidentit të 44 t të Vendit u ndoqën me një interes shumë të madh nga opinioni publik ndërkombëtar dhe zëdhënësit e tij, shtypi i shkruar dhe mediat elektronike. Ky interesim rrokte një sërë motivesh, ndër të cilët spikaste një dëshirë e përgjithëshme, e kthyer në një farë “amoku”, e që shfaqej nëpërmjet fjalës “ndryshim”. Përfundimi i votimeve nuk la shteg për diskutime e vendimi i shumicës së 130 milion amerikanëve kurorëzoi në postin më të lartë të Bashkësisë më të përparuar të globit afroamerikanin Barak Obama.
Në mitingun e parë mbas njoftimit të rezultateve (vetëm gjashtë orë mbas mbylljes së kutive të votimit) Presidenti i ri e filloi kështu fjalimin e tij para dhjetra mijra simpatizantëve të qytetit të tij, Çikagos: “ Të përshëndes Çikago! Nëse ka ende ndonjë që dyshon se Amerika është Vendi ku gjithshka është e mundur, që ëndrra e etërve tanë themelues është ende e gjallë në ditët tona, që është në mëdyshje mbi forcën e demokracisë sonë, mirë, përgjigjen e ka marrë sonte.”
Përgjigja ishte vetë personi që fliste, një njeri pa të kaluar, bir i një çifti të ndarë, i rritur nga gjyshërit, afrikan nga Kenia prej t’atit e amerikan nga Kansasi nga nëna, me motra e vëllezër në tre kontinente. Cili Vend i botës do t’i jepte një fëmije në këto kushte mundësinë të studjonte në Harvard, të bëhej profesor universiteti, senator pa mbushur ende 35 vjet, për t’u paraqitur si kandidat për president i shtetit më të fuqishëm, duke rrëzuar në betejën e parë një ish First lady të Amerikës, një nga avokatet më të njohura të saj, e në raundin e dytë kandidatin fitues të republikanëve, një hero të SHBA, një luftëtar të ndritur të konservatorizmit fisnik amerikan? Pyetja nuk është thjesht retorike, është pasqyrë e një realiteti që spikat mbi të gjitha përvojat e tjera të shoqërive të globit e tregon se çfarë rezultatesh mund të arrihen në një demokraci që nuk kushtëzohet nga paragjykime të çdo forme.
Pa dashur të hyj në analizën politike të shkaqeve të fitores së Obamës e as të pasojave të saj në realitetin amerikan e botëror, më duket me vënd të ndalem në një tjetër aspekt t’atij çasti që është konsideruar historik. Vetëm 44 vite më parë presidenti Lindon Xhonson detyrohej të ndërhynte me forcë e në vetë të parë, për të bërë të mundur pranimin e studentëve zezakë n’universitetet e Misisipit e t’Alabamës. Sot Amerika zgjedh një president me ngjyrë. Evolucioni i mendësisë s’atij populli ka ritme marramendëse, që vetëm një shoqëri, gjithënjë në lëvizje, mund t’i përballojë. Vetëm një demokraci me D të madhe mund t’u japë mundësi edhe individëve që vijnë nga shtresat më të varfëra e më të papërkrahura të popullsisë, që ka origjinën nga të gjitha vëndet e globit, kur kanë aftësi vetiake të bëjnë rrugë, t’arrijnë synime madhore, të hyjnë n’elitën kulturore e politike të Kombit. Kjo ndodh mbasi atje zotëron parimi i meritokracisë për të gjithë banorët, në kundërshtim me pjesë të tjera të botës ku origjina, kushtet shoqërore, niveli material, kufizimet ideologjike, oligarkitë e ndryshme, mendësitë ultrakonservatore e raciste pengojnë shumë individë të shquhen e t’arrijnë synimet. Të gjithë këta faktorë mbante parasysh Presidenti i ri kur mbante fjalimin e tij.
Por mësimi më i çmuar që na vjen nga ai çast historik i orëve të para të 5 nëndorit 2008 është një tjetër. Barak Obama luftoi me të gjitha forcat, kryesisht ato mendore, për dy vite të tërë, beteja që e çuan në të gjithë cepat e SHBA për të bindur banorët e tyre në projektin e tij të ndryshimeve. Beteja zgjedhore, si në partinë e tij ashtu edhe në garën me kandidatin republikan, nuk ishte gjithmonë e qetë e me përkëdheli, ishte një garë ku jo rrallë u përdorën armë të papërshtatëshme e fyese. Këto, në një farë mënyre, bëjnë pjesë në në vetë lojën që përfundoi n’ato orë të para të ditës së përfundimit të votimeve. Pikërisht n’atë çast, si në një skenar furtune kur ajo pushon e del dielli, kundërshtarët e stërlodhur njohin vendimin e zgjedhësve e shohin në sy njeri tjetrin. “Luani i vjetër”, ish i burgosuru i qelive të Vietnamit, bir e nip ushtarakësh të lartë të SHBA, 72 vjeçari McCain, ngre receptorin e telefonit, bën numurin e kundërshtarit fitues e i uron atij fitoren. Para votuesve të tij, në mitingun e fundit, ai shprehet:
“I ftoj të gjithë amerikanët, që më kanë dhënë mbështetjen e tyre, të bashkohen me mua, jo vetëm për të përgëzuar atë , por edhe për t’i ofruar Presidentit të ri vullnetin e mirë dhe përpjekjen e ndershme për të arritur marrëveshjet e nevojshme, për të sheshuar ndryshimet dhe kërkuar rigjetjen e mirëqënies sonë, mbrojtjen e sigurisë sonë në një botë plot me rreziqe, për t’i lënë bijve e nipave tanë një Vend më të mirë e më të fortë..... Sot kam qënë kandidat për postin më të lartë të Vendit që dashuroj aq shumë. E sonde mbetem shërbëtor i tij..... I uroj fat të mbarë burrit që qe rivali im e që do të jetë Presidenti im.”
Nga mitingu i Çikagos, në fillim të fjalimit të tij, Barak Obama shprehet:
“Ndonjë orë më parë kam marrë një telefonatë jashtzakonisht të ngrohtë të senatorit McCain. Senatori McCain ka luftuar gjatë me të gjitha forcat e tij në këtë fushatë zgjedhore. Gjithmonë ai ka luftuar me të gjitha forcat e tij për Vendin që dashuron. Ka pranuar sakrifica n’emër t’Amerikës, që pjesa m’e madhe prej nesh nuk mundet as t’i marrë me mend. E ne të gjithë kemi përfituar nga shërbimet që i ka bërë Vendit ky drejtues bujar e i guximshëm. Atij i bëj përgëzimet e mija, po ashtu sikurse dhe governatores Pahlin, për gjithshka kanë arritur. Do të jem i gëzuar të punoj së bashku me ta për të përtëritur premtimin këtij Kombi...”
Janë fraza që shprehin respekt të ndërsjelltë, që burojnë nga një botkuptim i hapur e pa paragjykime ndaj kundërshtarit, shprehje e një etike politike t’admirueshme që nuk kufizohet vetëm me fasadën, por që depërton në thelbin e dukurive, duke u bazuar në idenë se të gjitha betejat i shërbejnë mbrojtjes e përparimit t’Atdheut, duke u konsideruar të gjithë ushtarë të këtij qëllimi. Përtej retorikës së këtyre qëndrimeve ka në to një mësim të madh qytetërimi për të gjithë, por në mënyrë të veçantë për ne, shqiptarët, që duhet të ndërtojmë një demokraci jo vetëm të fasadës, por të vërtetë, mbas një përvoje diktature të pashembullt n’Evropë.
vijon
vijon
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Mësim qytetërimi

Mesazh nga Agim Gashi prej Sun Nov 23, 2008 4:35 am

Që n’agimet e krijimit të bashkësive të qeverisura, kur politika bënte hapat e para, ajo pati dy fytyra, njëra në shërbim të interesave të bashkësisë e tjetra në shërbim t’atyre vetiake. Koncepti i bashkësisë erdhi duke u zgjeruar nga fshatrat, qytetet, krahinat e deri tek Kombi e Shteti. Së bashku me këtë zhvillim u bë më komplekse dhe e hollë edhe shkenca e politikës, që do t’administronte jo vetëm rregullat e bashkëjetesës brënda një bashkësie, por edhe marredhëniet mes popujve e kombeve të ndryshme. Historia e botës tregon se, në pjesën më të madhe të faqeve të saj, politika ka qënë përdorim force, dhunë ndaj shtetasve brënda e ushtrim fuqie ushtarake në marredhëniet mes shteteve. Kështu historia e njerëzimit, që dikush e quan histori të qytetërimeve, më duket se është më shumë ajo e mbizotërimeve me dhunë të popujve e shteteve të ndryshme ndaj fqinjëve e atyre më të largët. Në këto mijëvjeçarë perandorish që kanë zëvëndësuar njëra tjetrën në pjesë të ndryshme të globit, individi me të drejtat e tij natyrore, ka qenë një nocion krejtësisht i papërfillur e demokracia, sistemi që garanton e mbron ato të drejta, megjithë parantezën e shkurtër athinase, ka mbetur një ëndërr, ende sot në shumë Vende të botës e pasendërtuar.
U desh një kontinent i ri, një tokë ku vërshuan njerëz nga e gjithë Evropa e fillimit t’industrializimit, të bënte të mundur lindjen e një shoqërie që, në parimet e saj themeluese, të vinte të drejtat e njeriut, të përjashtonte idenë e pushtetit të trashëgueshëm e, nëpërmjet votës së qytetarëve të ligjësonte institucionet që do t’a administronin. Atë që evropianët kishin mundur t’a sendërtonin pjesërisht vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, arritën t’a realizojnë në kontinentin e zbuluar nga Kolombi, nëpërmjet përpjekjesh, luftërash, betejash konceptesh e mendësish, në një periudhë relativisht të shkurtër, duke e bërë Vendin e tyre të ri një pikë riferimi për gjithë banorët e planetit. Kjo demokraci e realizuar prodhon efekte si ato të qëndrimit të dy kandidatëve presidencialë të sotëm, ku shfaqet jo vetëm fisnikëri karakteresh vetiake, por edhe një mësim i madh qytetërimi: lufta politike ka caqet dhe objektivat e saj. Caqet janë kufijtë e betejës por edhe të respektit të ndërsjelltë mes subjekteve ndërluftuese, qofshin këta individë apo grupe t’organizuara, ndërsa objektvat janë shërbimi ndaj Atdheut të përbashkët, ndaj interesave të tij të çastit e të perspektivës, bashkërendimi i forcave për të përballuar sfidat që koha vë përballë brënda e jashtë Vendit. Obama e McCain , në qëndrimet e tyre, na e dhanë këtë mësim e secili prej nesh, si qytetarë të botës e si idhtarë të një shoqërie demokratike, besoj se duhet t’u jemi mirënjohës.
Kjo mirënjohje duhet të shoqërohet me bindjen se shëmbulli i mirë duhet imituar e me vetëdijen se, në shtëpinë tonë, në Shqipërinë pas komuniste me fjalë e neokomuniste me mendësi, jemi shumë larg atij mësimi. Po të bëjmë një analizë të shpejtë e të shkurtër të defiçitit të madh që kemi përsa i përket koncepteve të demokracisë, nuk mund të shkarkojmë vetëm mbi politikën e sotme të gjitha gjynahet e përgjegjësitë.. Mungesa e dëshirës për t’u marrë vesh me njëri tjetrin, prirja për të mos përkrahur apo dhënë vëndin e duhur prijës njerëzve t’aftë, dëshira për të dalë në pah pa merita e për të përdorur postin publik për interesa vetiake, janë shfaqje të hershme të karakterit e historisë sonë.
25 vitet e qëndresës legjendare të Skënderbeut janë të mbushura me kushtëzime të ndryshme, pabesi, tradhëti ndaj prijësit nga ana e një pjese të bashkatdhetarëve. Qeveria e parë e Shtetit të pavarur nuk zgjati më shumë se 14 muaj e ministrat e saj e braktisën për të bashkëpunuar me Esat Pashë Toptanin kundra plakut të Vlorës. Më 1919 do të paraqiteshin njëheresh tre delegacione të Shqipërisë në Konferencën e paqes në Paris, përfaqësuese të një Vendi, popullsia e të cilit nuk arrinte as në një miljon banorë. Më 1923 Ahmet Zogu fitoi në mënyrë demokratike zgjedhjet, por disa muaj më vonë i ashtuquajturi “revolucion demokratiko-borgjez” do të zhvleftësonte rezultatet, duke përdorur dhunën me pasoja rrënuese për gjithë historinë e shtetit bashkëkohor shqiptar. Më 1943-44 krerët e poitikës shqiptare u treguan krejtësisht të paaftë të shmangnin ardhjen e komunistëve në pushtet, me pasojat katastrofike që i njohim të gjithë.
Nëse deri më 1990 i kemi paguar haraçin mangësive tona gjenetike e shumë faktorëve që nuk vareshin prej nesh, mbas një përvoje si ajo e regjimit komunist duhet të kishim ditur të përfitonim nga mësimet e qytetërimit. Fatkeqësisht klasa politike e mbas regjimit mbeti robe e mendësisë së asaj shoqërie në të cilën u formua e nuk deshi apo nuk diti të marrë nga përvoja e demokracisë evropjane e sidomos amerikane parimet e metodat, mbi të cilat do të ngrihej godina e re e Shqipërisë mbas rrënojave të komunizmit. Në asnjë çast të këtyre viteve nuk kemi parë një gjest mirëkuptimi njerëzor e politik si ai i përshkruar më sipër. Votimet, veprimi më thelbësor i një shoqërie demokratike, mbeten ende sot problem i parë, në sajë të parregullsisë së tyre e paaftësisë së forcave politike për të përcaktuar rregullat. Çfarë mjerimi! Në SHBA, ku votojnë 130 milion , pak orë mbas mbylljes së kutive, bëhet i njohur përfundimi. Në Shqipëri, me pak më shumë se një milion votues efektivë, duhen javë për të patur rezultatet përfundimtare, të shpallura nga një KQZ , që nuk ekziston n’asnjë Vënd të përparuar demokratik. Fjalori i drejtuesve politikë, jo vetëm që nuk i njeh kundërshtarit asnjë lloj merite, por rivalizon e i a kalon në sharje edhe atij të sarahoshëve nëpër mejhanet. Etika politike është një termë që duhet hequr nga fjalori. Meritokracia është një nocion që i vishet vetëm aftësisë për t’u pasuruar me çdo mjet. Historia mbetet ende robe e dogmave komuniste e rishkrimi i saj një nocion që nuk gëlltitet nga institucionet përkatëse. Shqipëria ende vazhdon të përfaqësohet në botë nga gjysëm injorantë , të zgjedhur si besnikë politikë të ish regjimit apo të drejtuesve të sotëm, kur mijra vajza e djem të diplomuar në këta vite jashtë shtetit mund të përfaqësonin me dinjitet edhe Vënde më të mëdha e më të zhvilluara se i yni.
Të gjitha këto ndodhin se ne nuk kemi arritur ende atë kuptim të drejtë të fjalës “Atdhe”, ashtu siç e konceptojnë Obama apo McCaini. Atdheu për ne është Vendi në të cilin duhet të pasurohemi, ku të shohim të sendërtuara interesat tona të ngushta që shkelin mbi interesat e shumë të tjerëve, ndërsa ai duhet të jetë pika e përqëndrimit të interesave të të gjithë qytetarëve brënda e jashtë Shqipërisë. Për të qënë i tillë ai duhet të ketë një klasë politike që të punojë n’atë drejtim, që të përcaktojë me mënçuri e largpamësi synimet e objektivat, duke i sendërtuar ato hap mbas hapi, pavarësisht se kush qeveris. Kur veprimet e atyre që qeverisin shkojnë në drejtimin e duhur, t’i kundërshtosh ato do të thotë të pengosh ecjen përpara të Vendit. Në Shqipëri, fatkeqësisht, ndodh kështu. Pa hyrë në shembuj konkretë, kjo dukuri është një nga motivet kryesore të ecjes prej breshke të Vendit drejt një demokracie të përparuar. Të gjitha këto mbeten fjalë në letër të përsëritura shumë herë, kesaj rradhe të frymëzuara nga një leksion i vërtetë qytetërimi që na erdhi nga Amerika e largët. Uroj që ai leksion të depërtojë edhe në mëndjet e politikanëvë tanë.
Nëndor 2008 - AlbanovaOnline.info
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi